Fazli Qerkini u lind më 1.3.1964 në Korroticë të Poshtme të komunës së Drenasit nga babai Shabani dhe nëna Zadja, të cilët përveç Fazliut patën edhe pesë vajza (Hakia, Ziza, Duda, Nazifja dhe Fazilja) dhe djalin Nexhmedinin. Fazliu shkollën fillore e ka kryer në fshatin e lindjes, kurse të mesmen, në gjimnazin”Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” të Drenasit. Fazliu, për shkak të kushteve jo të mira ekonomike, nuk e kishte vazhduar shkollimin universitar, prandaj punoi privatisht për të siguruar ekzistencën e familjes.
Më 28 shkurt të vitit 1998 u zhvillua beteja në mes të njësiteve të UÇK-së dhe forcave serbe, ku mbetën të vrarë e të plagosur disa policë serbë dhe u dëmtua automjeti i tyre. Në shenjë hakmarrjeje forcat serbe rrethuan fshatrat Likoshan dhe Qirez, me ç’rast pasi i bastisën, plaçkitën dhe shkatërruan shtëpitë e këtyre fshatrave, ekzekutuan 24 civilë, në mesin e të cilëve kishte edhe fëmijë e gra.
Meqenëse nëna e Fazliut, Zadeja, bijë e Gjelajve të Likoshanit kishte humbur villain, Muhametin dhe djalin e vëllait, Naserin, Fazliu si nip i këtyre martirëve ishte lënduar në shpirt. Gjatë varrimit të dajallarëve dhe banorëve të tjerë të martirizuar, Fazliu u betua se për gjakun e derdhur në Likoshan e Çirez ai së bashku me shokët e tij do të hakmerret. Vetëm pesë ditë më vonë, një tjetër ngjarje e përmasave mbarëkombëtare po ndodhte në djepin e shqiptarizmës, në Prekazin heroik. Aty, në përballje me forcat militare dhe paramilitare serbe ,Komandanti Legjendar Adem Jashari me familje ra për të ngritur në këmbë gjithë shqiptarët në trojet e okupuara, por edhe në Shqipëri dhe kudo në botë. Pas këtyre ngjarjeve që shenuan kthesën vendimtare të luftës shekullore për çlirim, Fazliu në vazhdimësi kërkoi mënyra se si të armatosej dhe të rreshtohej në radhët e UÇK-së. Mirëpo, pasi ndihej mungesë e madhe e armatimit, dëshira për angazhim të drejtpërdrejtë në operacionet luftarake, nuk mund të realizohej. Në këtë situatë, Fazliu nuk qëndroi duarkryq, por pjesëtarët e UÇK-së i furnizoi me karburante dhe me gjëra ushqimore, pa lënë anash edhe vëzhgimin e terrenit duke raportuar për lëvizjet e forcave serbe, armatimin e tyre dhe mundësinë e ndërmarrjes së ndonjë sulmi.
Më 15.9.1998 Fazliu armatoset me automatik dhe rreshtohet krah për krah me luftëtarët e tjerë duke dhënë kontributin e tij për lirinë e vendit. Ishte i dashur, i afërt me të tjerët dhe çdo herë i gatshëm për sakrifica.
Më 14 prill 1999, në zonën e përgjegjësisë së Togut të Katërt të Batalionit të Parë të Brigadës 114, u zhvilluan luftimet për jetë a vdekje. Të udhëhequra nga luftë- tari i sprovuar në shumë beteja, Bejtë Rexhepi dhe të koordinuara mirë me pikat e tjera në këtë pjesë të zonës ushtarake të Drenicës, luftëtarët e UÇK-së po korrnin suksese të dukshme. Tentimet për t’i mposhtur ata ishin bërë të kota. Mirëpo, derisa pritej që i gjithë mundi dhe sakrifica të shpërblehej me një fitore të madhe përgjatë gjithë vijës së frontit, një grup militarësh serbë kishte ngelur ende pa u tërhequr. Traktori me të cilin luftëtarët çlirimtarë po ktheheshin nga beteja, u ndesh me militarët serbë. Ballafaqimi me militarët serbë ishte fatal, me ç‘rast nga arma e armikut të thyer ra Fazli Qerkini, së bashku me Bejtë Rexhepin, Hajzer Rexhepin, Mehdi Hoxhën, Naim Tikun dhe Agron Berishën. Pas rënies së tyre, shokët hartojnë planin për tërheqjen e trupave të pesë dëshmorëve, në mesin e të cilëve ishte edhe Fazli Qerkini.
Rreth mesnatës të 14 Prillit të vitit 1999, trupi i dëshmorit Fazli Qerkini u varros në varrezat e Paklekut. Ndërsa, rivarrimi u bë në “Kopshtin e Dëshmorëve” në Polac të Skënderajt.
Fazliu pas vetes ka lënë bashkëshorten Abiden dhe fëmijët Kaltrinën, Biondinën, Gjenetën dhe Fatlumin.
Në shenjë kujtimi dhe respekti për dëshmorin e lirisë, Fazli Qerkini, Komisioni për emërtimin e rrugëve dhe shesheve i komunës së Drenasit, me emrin e tij e ka pagëzuar një rrugë të qytetit. (I. S.)