Në dosjen e Fondit për të Drejtën Humanitare thuhet se që nga viti 2001 e deri më sot në territorin e Republikës së Serbisë në katër lokacione janë zbuluar varreza masive me trupat e 941 shqiptarëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë, kryesisht civilë.
Në Batajnicë sipas dosjes janë gjetur 744 trupa, në Petrovo Selo së paku 61 trupa ndërsa te liqeni Peruçac janë gjetur 84 trupa. Sipas kësaj dosje në Rudnicë në varrezën masive janë zbuluar 52 trupa. Sipas dosjes së Fondit në varreza, përveç meshkujve janë gjetur trupat edhe të grave dhe fëmijëve dhe në shumicën e rasteve shkaqet e vdekjes janë plagët nga armët e zjarrit, ndërsa në rastet më të shumta ato kanë qenë në kokë, çka tregon se viktimat nuk kanë pësuar gjatë luftimeve por janë ekzekutuar jashtë vatrave të luftës. Sipas të dhënave të FDH-së Sllobodan Millosheviqi i kishte dhënë urdhër ministrit të atëhershëm të brendshëm, Vlajko Stojilkoviq për të shmangur përgjegjësinë penale për krime.