Federata Sindikale e Bujqve të Kosovës, i bashkohet protestës së nesërme të opozitës, për ta kundërshtuar “Zajednicën” dhe faljen e mbi 8.000 Ha tokë Malit të Zi, dhe kundër kësaj Qeverie. Bujqit e Kosovës më së shumti kanë arsye për të protestuar. Sepse, Qeveria e Isa Mustafës e Hashim Thaçit, e ka lënë bujqësinë në gjendje të mjerueshme.
Një pjesë e madhe e buxhetit që ndahet për bujqësi, është vjedhur, një pjesë tjetër ka shkuar në investime të gabuara, e pjesa e mbetur po u shkon vetëm militantëve partiakë. Prodhimet e bujqve, nuk po kanë treg për shitje. Prodhimtaria bujqësore e Kosovës po ngulfatet nga konkurrenca jolojale, nga importi, dhe për këtë arsye janë mbyllur qindra ferma prodhuese të qumështit në Kosovë. Pjesa më e madhe e refugjatëve që ikën drejt Evropës, ishin familje bujqish, sepse Qeveria nuk ua ka siguruar as kushtet minimale për t’u marrë me bujqësi dhe për ta siguruar ekzistencën për familje. Nga prodhimtaria e grurit, asnjëherë nuk u arrit të sigurohet buka për popull, më shumë se 30%.