Fehmi Bajrush Rama (15.9.1976 – 14.4.1999)

Fehmi Bajrush Rama (15.9.1976 – 14.4.1999)

Fehmiu ishte djali i Bajrush dhe Emine Ramës. Lindi më 15 shtator të vitit 1976 në fshatin Likoc të Drenicës. Ka qenë pjesëtar i një familjeje të njohur për bujari, mikpritje dhe atdhedashuri.

Shkollën fillore e kreu në vendlindje. Ishte nxënës i dalluar në mësime. I zgjuar dhe i zellshëm, shkollën tetëvjeçare e kreu me sukses të shkëlqyeshëm. Shkollën e mesme, po ashtu me sukses të shkëlqyeshëm e filloi në Skënderaj dhe e mbaroi në Drenas, (ish-Gllogoc).

Në vitin shkollor 1995/96 u regjistrua në Fakultetin Teknologjik të Mitrovicës. Edhe pse i dashuruar në shkencë dhe dituri, Fehmiu ashtu sikurse edhe shumë bashkëmoshatarë të tij në atë kohë, preokupim parësor kishte çlrimin e Kosovës nga kolonizatorët serbë.

Kishte tipare të dalluara të fizikut. Ishte shtathedhur, zeshkan, autoritar në dukje, por shumë i afërt me shokët dhe mbi të gjitha shquhej për solidarësi.

Ka marrë pjesë aktive në demonstratat dhe protestat e rinisë studentore të 1 tetorit të vitit 1997.

Jehona e krismave çlirimtare në Drenicë, Fehmiun dhe familjen e tij e gjetën të përgatitur për f i dalë zot atdheut. Më 5 mars të vitit 1998, kur kryetrimi i shqiptarisë Adem Jashari kishte filluar të ndërrojë tik- taket e historisë shqiptare, Fehmiu së bashku me t’ atin Bajrushin dhe xhaxhinë Xhevat Rama, inkuadrohet në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Fillimisht sistemohet në pikën luftarake të quajtur Shpati, në Drenicën qendrore.

Në maj dhe qershor të vitit 1998, Likoci ishte bërë qendra më e njohur e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Fehmiu së bashku me bashkëluftëtarët e tij përforcojnë pozicionet në shumë rajone të Drenicës. Duke qenë se kishte pak armatim në krahasim me kërkesat gjithnjë në rritje të qindra vullnetarëve, të cilët nga të gjtiha anët e Kosovës ia kishin mësyrë Drenicës, Fehmiu me qindra luftëtarë të ardhshëm të lirisë, në gjysmën e dytë të qershorit të vitit 1998 shkon në Shqipëri për të sjellë armë, uniforma dhe municion. Nga atje kthehet më 17 korrik të po atij viti.

Pasi kthehet nga Shqipëria, stërvitet në njësitin komando në poligonin ushtarak, në Abri.

Fehmiu shquhet në të gjitha luftimet që asokohe janë zhvilluar në Likoc, e më pastaj edhe në Abri, Açarevë, Polac, Tërstenik, Rezallë deri edhe në Llapushnik e në Vaganicë.

Ka marrë pjesë edhe në sulmin në Stacionin policor në Drenas më, 10.11.1998, së bashku me një grup luftëtarësh të njësitit super special Komando (NSSC) Tigrat e Zinj.

Derisa babait i Fehmiut, Bajrushi luftonte në radhët e brigadës 113 Mujë Krasniqi, Fehmiun e sistemojnë në radhët e formacionit special diverzant TIGRAT E ZINj, që vepronte në kuadër të brigadës 111 Adem Jashari të Zonës Operative të Drenicës. Në këtë njësit të elitës së UÇK-së, ku bënte pjesë Fehmiu me bashkëluftëtarët e tij kishte edhe eprorë të dalluar si Bekim Berisha, Rasim Kiçina, Jahir Demaku, Besim Mala, Ferid Berisha e të tjerë.

Fehmiu ishte i shpejtë si petriti kur merrte në shenjë armikun. -Nuk më merr plumbi i shkaut, iu thoshte shokëve, sa herë që ata mundoheshin ta përmbanin gjatë luftimeve, meqë kudo mbi armikun sulej i pari.

Gjatë asaj kohe kishte një brengë të madhe. Bandat gjakatare serbe ia kishin arrestuar vëllanë, Valdetin, të cilin e mbanin ngujuar në burg. Nuk dinte se ç’ do të bëhej me të, por, në anën tjetër e dinte se atdheu do liri dhe liria do heronj, dëshmorë dhe luftëtarë të përkushtuar të skarificës, pikërisht të tillë sikur ishte vetë Fehmiu, por edhe tërë familja e tij.

Gjatë luftimeve që kishte zhvilluar në Polac dhe në Açarevë plagoset nga granatat, por asnjëherë nuk e ndal luftën. Ai luftonte duke mos e ndalur këngën për legjendarin, Adem Jashari.

Më 23 shtator të vitit 1998, Fehmi Rama, pastaj eprori Liman Musliu e të tjerë, në mes lagjeve, Kadriu dhe Rexhepi të fshatit Likoc, i sulmuan forcat serbe, në distancë rreth 70 metra, duke iu shkaktuar humbje të konsiderueshme.

Më 26 shtator, në luftimet që u zhvilluan në lagjen Muliqi të Abrisë, serbët pësuan humbje të mëdha, dhe në shenjë hakmarrjeje mizore ata vranë e masakruan 28 anëtarë të familjes Deliu. Atë ditë gjatë luftimeve ishte plagosur rëndë bashkëluftëtari i Fehmiut Enver Hoti, të cilin Fehmiu arrin ta tërheq nga fushëbeteja dhe së bashku me Zymer Shpatin, Shaqir Kallamakun dhe Asllan Francën e vendosin në Vuçak. Gjatë luftimeve që ishin zhvilluar në lagjen Gjokaj të Tërstenikut më 21 mars të vitit 1999, mitralozi i tij ishte skuqur nga zjarri i pandërprerë.

Ishte i zoti edhe në përdorimin e armëve të tjera, dëshmojnë bashkëluftëtarët dhe eprorët e tij: Liman Musliu, Driton Rama, Avni Tifeku, Sami Istogu, Skënder Halilaj, Hidaim Rama e të tjerë.

Ishte mishëruar në mitralezin njëqindësh por e përdorte me mjeshtëri edhe snajperin, zolën, murtajen e dorës dhe kishte njohuri të duhura për vendosjen e minave antitank.

Më 7 prill të vitit 1999, Fehmi Rama së bashku me shumë trima luftëtarë sulmojnë njësitë ushtarake serbe në fshatin Abri. Serbët pësojnë humbje të mëdha, ndërsa nga radhët e luftëtarëve të lirisë bien heroikisht: Xhevat Demaku, Imer Shala dhe Bedri Demaku, plagosen rëndë: Driton Ramaj, Besim Vrellaku, Xheladin Xhemajli dhe Rexhep Hoxha.

Më 14 prill të po atij viti pasi forcat e NATO-s kishin filluar të bombardonin ashpër, forcat serbe me tërë vrazhdësinë barabre iu kishin vërsulur popullatës civile. Po atë ditë në lagjen e Çarkajve të fshatit Rakinicë, Fehmi Rama me disa luftëtarë po e ndihmonin popullatën të tërhiqej nga territori i brigadës 112 Arben Haliti, në drejtim të territoreve të brigadës 113 Mujë Krasniqi.

Rreth orës 22.45 minuta, Fehmiu me disa bashkëluftëtarë has në forcat serbe dhe pas një beteje të ashpër e të pabarabartë merr plagë të rënda.

Lufton derisa e zbraz edhe fishekun e fundit të mitra lezit dhe në fund bie heroikisht në altarin e atdheut, trimi i paepur, i cili për asnjë çast nuk e ndali luftën kundër armikut as këngën për legjendarin Adem Jashari.

Në orët e vona të datës,16 prill 1999, bashkëluftëtarët trupin e dëshmorit e varrosin në fshatin Tushilë. Armët e Fehmiut i merr vëllai, Hakiu, i cili lufton trimërisht deri në fund të luftës.

Më 13 gusht të vitit 1999, familja dhe bashkëluftëtarët trupin e dëshmorit nga fshati Tushilë e rivarrosin në Varrezat e Dëshmorëve në Likoc. Ceremoninë e varrimit e organizojnë eprorë dhe ushtarë të Akademisë Ushtarake të Likocit, të Spitalit Ushtarak të Drenicës si dhe komanda e brigadës 113 Mujë Krasniqi.

Më 6 mars të vitit 2000 Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së Fehmi Ramën e shpall, dëshmor, me merita të veçanta, në mesin e 12 dëshmorëve të tjerë të brigadës 111 Adem Jashari, të Zonës Operative të Drenicës. Dekoratat i dorëzon personalisht komandanti i TMK-së, gjenerallejtnant Agim Çeku.

Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, familjes së dëshmorit i jep Mirënjohje. Në shenjë nderimi dhe respekti të veçantë për dëshmorin, me propozimin e qytetarëve të Likocit, drejtoria e shkollës më 2 shtator 2002 vendos që shkolla e Likocit të merr emrin e dëshmorit, FEHMI RAMA.

Për jetën dhe veprën e tij heroike të dëshmorit Fehmi Rama janë marrë dëshmi nga bashkëluftëtarët, eprorët dhe të afërmit e tij si, Bajrush Rama, (babai i dëshmorit), Asllan Franca, Sinan Javori, Xhevat Rama, xhaxhai i dëshmorit, Liman Musliu, Avni Vrellaku, Haki Xhemajlaj, Avni Tifeku, Afrim Osmani, Agron Spahiu, Sami Istogu, Lulëzim Deliu, Skënder Halilaj, Bekim Osmani, Hidaim Rama dhe Arif Aliu .

 

Poezi për dëshmorin Fehmi Rama, shkruar nga R.S.

 

Heu Drenicë me shkrepa

Sa ta kam lakmi

Për këta djem me rreshta

Për Tigrat e Zinj

Nga vjen ajo këngë

Që jehon ndër krisma

Nga një plumb për varg

E shkrepka Drenica

Kosovë e gjakosur

Kush është ai vigan

Ai me rrethatore

Mitralez që mban

Ai është Fehmi Rama

Ja kam dhënë bekimin

Ka shtatin si lisi

Rrufe ka vështrimin

N’ flakë e ndër beteja

Gjithë ta ndjeva këngën

Për lufta të reja

Linde Fehmi Ramën

I knon gryka e zjarrit

Dhe zemra e luftëtarit

I prin për fitore

Kënga e Adem Jasharit

S’ ta kam frikën shka

Me gjoks ta ndal zjarrin

Fluturimin tim

plumbat s’ mund t’ ma ndalin

I falëm nënë Kosovës

T’ i falem lirisë

Bashkë me shokët e mi

N’ themele të Shqipërisë

Heu Drenicë me gjak

S’ t’ u ndal pushka as kënga

Trim mes trimash linde

Trimin Fehmi Rama.

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …