Adem Demaçi

Fehmi Berisha: Adem Demaçi-figurë artistike frymëzimi

“Po ku ka vjershë që e zë Adem Demaçin” pyet shkrimtari, Ibish Neziri, duke pasur parasysh, që madhështia nuk mund të mbyllet në asnjë përkufizim. Megjithëkëtë, krijues të ndryshëm, përmes vargjeve poetike, përpiqen të thonë diçka për këtë njeri të papërsëritshëm.

     Poezitë, që si lule të gjalla shumëngjyrëshe, me aromë atdheu e aromë jete, dalin dhe bulojnë nga ngjarjet e jetës të cilat shqetësojnë jo vetëm poetët, por mbar popullin, posaçërisht atë shtresën e ndërgjegjshme, e cila lirinë dhe të vërtetën e duan më shumë se jetën dhe çdo gjë tjetër.

      Nëpër rrugët e jetës dallohen gjurmë të ngulitura në thellësinë vrragëlënëse, të cilat portretizojnë kohën, përmbajtjen e saj, që rrjedhimisht, reflekton në ndërdijen dhe vetëdijen e bashkëkohësve, nxit frymëzimin, motivon ligjërimin si pasqyrim i përmbajtjes dhe i ndjesisë shpirtërore ndaj fenomenit a dukurisë. Kjo shpërfaqje bart karakteristikat e përjetimit konkret dhe simbolikën përfaqësuese në përshkrimin e rrjedhës a në ngjyrimet artistike, si bartje të realitetit.

      Si “Ylber mbi pyje”- akrostik i të cilës është Adem Demaçi, heroi im që nga fëmijëria, të cilin e shoh si majat më të larta, bjeshkë, të cilat përpijnë lartësitë, e shoh si dritë shpirtërore që na ndriçon rrugën e lirisë, duke ndërtuar përfaqësimin e epokës, kompleksiteti i së cilës shkrihet në sintetizimin simbolik që ngërthen rëndesën e përfaqësimit të një konture të projektuar, ambicien e sendërtimit të saj përmes krijimit të ikonëzimit avangard.

      Kështu, shndërrimi artistik i figurës – simbol, njeh nivele që u përkasin lartësive të arritshme vetëm nga virtyti, sepse madhështia tejkalon vetveten fizike dhe kap kategoritë e idealizuara, të cilat janë promotor i ndërhyrjes në psikologjinë e përgjithshme. Si e tillë (figura) “Rri bashkë me majat që përpijnë lartësitë”, ose është “Urë e brigjeve…”, mbikëqyrë dhe ndërlidh hapërimin, shtyt dhe tërheq refleksionet shpirtërore, si model i qëndrueshmërisë dhe përballjes me furtunat që dallgëzojnë mësymjen permanente.

       Veshur me këtë petk – mburojë emiton energjinë përndezëse që vjen si “…shkëndija e syve tu rrufeshëm” në marshin e gjatë me këngë të plisave që mundëson të “Afrohet agu i përflakur i ditës së re”, sepse këtë e duan lartësitë krenare në krahët e shqiponjave a në qëndismat e ylberëve e rrufeve.

      Profilizimi i subjektit lirik mbi bazamentin e aluzionit konkret, sjell portretin në tablonë e përshkrimit, shumëngjyrësinë dhe shumëdimensionalitetin e perceptuar nga këndi i përndijimit emocional në kontekstin e skicimit artistik të gjerësisë dhe thellësisë që përshkon ky subjekt. Autori shikon, me sytë e shpirtit, përdor penelata, vija dritësimi dhe pikturon peisazhin, infrastrukturën poetike në mënyrën që ngërthen transformimin në fanar orientimi. Prandaj, përkushtimi i përqendruar rafinon tërësinë e një bote të individualizuar duke mënjanuar rëndomtësinë, e për ta theksuar të veçantën e nxjerr nga brendësia e kësaj bote, për ta piedestalizuar bindjen dhe vizionin në sfera superlative, natyrisht, përmes mjeteve që ofron arti.

        Pra, poezia pasqyron shpirtin, delikatesën melodioze dhe stoicizmin e patundur, njëkohësisht, brenda këtij individualizimi aluziv. Figura e ylberit shpërfaq freskinë e përhershme të ngulitjes dhe flatrimin e saj mbi pyje, mbi madhështitë e papërkulshme që gërshetohen në natyrën dhe në karakteristikat e trajtuara poetikisht, që në “bashkësinë” e figuracionit, si: shqiponja, rrufetë, furtuna, dora, balli, kompletojnë ikonografinë e qëndresës dhe të idealit, ngritur në strukturë kënge, për personazhin me forcë krijuese, shprehëse dhe vepruese që e bënë atë njeriun më të veçantë të shekullit njëzet dhe fillimshekullit njëzetenjë.

        Mënyra e rrugëtimit në jetë sjell përvijimin e hapërimit në vargje e në këngë. Në zbërthimin konkret ky përvijim është dramatik, i posaçëm në kuptimësinë e tij, në peisazhin ku shtrihet dhe në mesazhin që plason, sepse rrugëtimi jetësor kalon krajatave të mundimshme, ngase ditët e “Netët pikojnë dhembje”, stiset furtuna ku pëson përjetimi,

hovi, e pësojnë “Zogjtë”:

                           ca të vrarë,

                          ca të plagosur,

                           disa përpëliten

                           e njërin e gjuajtëm me gurë,

                           ai hyri në dhimbjen e vet,

bashkë me brishtësinë e vrojtimit në brendësinë e iluzionit, me butësinë e rrezatimit: “Ai vetëm buzëqeshi/ Lidhi vetëtimat e fluturoi/ Qafës së malit të na sillte rreze…”

      Ademi, duke e njohur thellësisht mendësinë dhe shpirtin e popullit shqiptar, dhe, përkundër që ndaj tij, të ligë dhe injorantë, bënë edhe shtab, i cili përmes komisarëve qyqar, pa reshtur do të merrej me fyerjen, ofendimin, denigrimin dhe anatemimin e tij, ai sërish “vetëm buzëqeshi”, i bindur që vetëm dashuria është ndërgjegje njerëzore dhe se vetëm dija duhet të fitojë mbi injorancën, qoftë edhe duke u flijuar e rënë theror. Udhërrëfyesin e lirisë sonë, me 30 vjet burg të rëndë jugosllavie, as nuk e dëgjuam dhe as nuk e kuptuam. Edhe më keq: e gjuajtëm me gurë. Me gjithëkëtë, sërish, bjeshka vetëm “buzëqeshi”. Kështu mund të veprojë vetëm njeriu i cili për ideal mbi ideale ka vetmohimin deri në flijim për atdheun dhe popullin e vet. Kështu mund të veprojë vetëm njeriu i papërsëritshëm Adem Demaçi.

       Në shtigjet e këtij marshimi s`mungon as figurëzimi i ligshtimit a i devijimit në formën e bëmave të pamend a mosdëgjimit të intonimeve të kohës, mospërqëndrimin në vrojtimin e rrjedhës, duke injoruar “vetëtimat”. Prandaj “disa vranë vetveten”.

     Ngjitja afirmative e stilizuar shkallëzohet në sfondin e nënkuptimit për të arritur në kuotën e qëllimit, të cilën e synon autori. Në panoramën që shohin sytë e mendjes dhe ata të shpirtit, qarkullon dikush i ngarkuar me rëndesën e peshës që i duhet momentit të caktuar dhe kohës në vijim, bredhërinë dikush që shkrihet në tërësinë, si stimulim shpirtëror, si katalizator i forcimit të ngulmësisë për jetësimin e ambicies, për t`i dhënë atdheut, pa menduar kurrë të marrë gjë prej tij përpos forcës. E ne, të gjithë, nuk u rritëm deri te vetvetja dhe mbetëm infantil, posaçërisht lidershipi, që nuk ndjehet mirë afër pastërtisë e madhështisë së tij, kështuqë, do të vazhdojmë të rritemi, por pasi nuk ndoqëm rrugën e dritës, do të hapërojmë mjegullës.

      Pasqyrimi poetik e ndjek besnikërisht këtë, duke ndërtuar harmonishëm relatat jetësore me ato artistike. Kjo na mundëson tejdukshmërinë, në brendësinë e kuptimeve, të simboleve, përshkrimeve metaforike, imazheve të paragjykuara me tipare konkrete të vijëzuara.

    Motivet ambicioze zënë korniza të posaçme, në të cilat shpërfaqen, sfond adapt, shprehje të kapshme që mundësojnë perceptimin e tekstit dhe kontekstit, kuptimin e drejtpërdrejtë dhe atë figurativ. Të gjitha këto sajojnë fotografinë reale të vizatimit apo krijimin e identitetit të bazuar në këto piketime poetike.

       Kapërcimin e ylberit mbi pyje e shoqërojnë zogjtë dhe së bashku e formojnë një fenomen që mishërohet brenda një individualiteti të veçantë: figurë – simbol – kulm heroik i cili i profilizohet auditorit, veç tjerash, edhe përmes artit.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …