Kur u dha kushtrimi i lirisë, si shumë të rinj shqiptarë që iu përgjigjen zërit të atdheut, edhe Fehmiu ishte njëri ndër ata trima, i cili pa hezitim rroku armën dhe iu bashkua radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Fehmiu lindi në fshatin Kizharekë të Drenicës, në një familje të varfër, por me tradita atdhetare, nga prindërit Brahimi e Bahtie Kastrati.Shkollën fillore e kreu në vendlindje,ndërsa të mesmen nuk arriti ta përfundojë për shkak se që në moshën e njomë qe i detyruar të kryejë punë të rënda fizike për ta mbajtur familjen.
Kur hordhitë serbe, më 12 maj 1998, me tërë arsenalin e tyre ushtarak,me qindra tanke e autoblinda, kishin mësyrë Grykën e Llapushnikut, Fehmiu së bashku me dhjetëra luftëtarë të fshatit Kizharekë,siç ishin: Elmi Gara, Bedri Bajraktari, Azem Bajraktari, Idriz Hykolli, Fadil Bajraktari e të tjerë, zënë pozicione në vijën e parë të frontit, duke iu shkuar në ndihmë luftëtarëve të tjerë të lirisë, që tashmë kishin filluar një sulm frontal kundër këtyre hordhive. Fehmiu, së bashku me trimat e tjerë të lirisë, në Betejën e njohur të Llapushnikut kishte treguar një heroizëm të pashoq. Ai, me pushkën e tij të gjatë, që e kishte amanet nga gjyshi i tij, për asnjë moment nuk i lëshoi pozicionet, duke qëndruar e duke luftuar si një trim i vërtetë.
Pas disa ditësh, Fehmiu dërgohet në Kleçkë, ku menjëherë filloi ushtrimet në njësitin diversant. Gjatë kësaj kohe ai mori pjesë në disa aksione luftarake, si, për shembull, në Luzhnicë, ku shkoi për t’i ndihmuar luftëtarët që i komandonte komandant “Kumanova”.
Kur më 15-16 korrik 1998, kishte filluar beteja për Rahovecin, Fehmiu e shumë luftëtarë të lirisë shkuan atje për t’iu ardhur në ndihmë luftëtarëve të tjerë, të cilët kishin filluar një luftë të pabarabartë me forcat armike. Gjatë këtyre luftimeve të ashpra, siç rrëfejnë bashkëluftëtarët e tij, një veturë rrokulliset nga granatimet e armikut. Kur Fehmiu heton se në atë veturë kishte armatim, i hyn një rreziku të madh për ta tërhequr armatimin. Porsa arrin ta tërheqë armatimin, në një afërsi prej dhjetë metrash eksplodon vetura. Në këto luftime Fehmiu merr dy plagë të lehta, një në kokë dhe tjetrën në këmbë. Edhe pse mjeku i dha pushim dhe e rekomandoi që të pushonte një kohë, ai nuk qëndroi as edhe një ditë të vetme në shtëpi , por iu bashkua shokëve në vijat e frontit. Nuk kishin kaluar as dy ditë pas plagëve të marra kur ai mori pjesë në luftimet në Fushticë të Poshtme së bashku me shokët Idriz Obria nga Korrotica e Poshtme, Azem Bajraktari e Ahmet Kastrati nga Kizhareka e të tjerë. Më vonë Fehmiu ka marrë pjesë edhe në luftimet që janë zhvilluar në Qafë të Duhlës. Shokët e quanin dinamit, se vërtet ishte i fortë si dinamiti dhe këtë nofkë ai do ta bartë gjithnjë deri në rënien e tij në altarin e atdheut.
Nga mesi i gushtit të vitit 1998, Fehmiu caktohet në një pikë luftarake në fshatin Tërpezë të Malishevës, pikë kjo shumë e rrezikshme, sepse gati për çdo ditë rrahej nga granatat dhe minahedhësit e armikut. Një ditë ushtarët e kësaj pike sulmojnë pozicionet e armikut, por nuk e marrin me vete Fehmiun, duke e kursyer, sepse ishte shumë i ri dhe s’kishte kaluar shumë kohë kur ai ishte inkuadruar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.Luftëtarët e lirisë kishin ndërmarrë edhe një aksion tjetër luftarak kundër forcave armike, por as kësaj radhe nuk e kishin angazhuar Fehmiun. Ai e ndien veten të fyer dhe i drejtohet komandantit dhe shokëve me fjalët: ” Pse nuk po më caktoni edhe mua të marr pjesë në ndonjë aksion? Edhe pas këtyre fjalëve, siç rrëfejnë bashkëluftëtarët e Fehmiut, ne nuk donim ta merrnim atë në aksione luftarake, por tani e tutje ai as që do të përfillte sugjerimet tona! Te vendi i quajtur Rrezet e Lladrocit ishin pozicionuar forcat e armikut dhe nga aty gati për çdo ditë këto forca sulmonin pozicionet e luftëtarëve të lirisë. Ishte dhënë urdhri që të sulmohej ko bazë ushtarake e armikut. Këtë urdhër do ta zbatojnë, më 16.10. 1998, luftëtarët e lirisë: Afrim Shala (Brica) nga Miradia e Fushë-Kosovës, Agon Krasniqi (Prishtina) nga Prishtina, Besim Gashi nga Llapushniku dhe Fehmi Kastrati nga Kizhareka. Luftëtarët e lartpërmendur sulmojnë këtë bazë të armikut, duke i shkaktuar armikut shumë të vrarë e të plagosur, por nën flakën e breshërisë së të shtënave një plumb snajperi e qëllon për vdekje luftëtarin e paepur Fehmi Kastrati. Ai arrin t’iu thotë shokëve se e ka marrë keq një plumb armiku. Shokët e luftës, Agon Krasniqi e Besim Gashi, nën breshërinë e plumbave të armikut, arrijnë ta tërheqin mbi supe Fehmiun, ndërsa Afrim Shala ua bartte armët. Dinamiti gjithmonë, që prej ditës kur ishte inkuadruar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, mbante një shirit të kuq në kokë me emblemën e UÇK-së. Para se t’i thoshte lamtumirë kësaj jete, ai këtë shirit ia lëshoi në dorë “Studentit” (Besim Gashit), duke i thënë : “Amanet, këtë shirit t’ia dorëzosh vëllait tim, Aliut”. Në ceremoninë e varrimit, shiritin bashkë me automatikun e tij, vëllait të tij, Aliut, ia dorëzoi komandant “Çeliku”. Pas nja 20 minutash, Fehmiu i mbyll sytë përgjithmonë, duke hyrë kështu në përjetësi.
Varrimi i Fehmiut u bë të nesërmem, më 17 tetor 1998, te Mrizet e Berishës, me nderime ushtarake, ndërsa është rivarrosur në Kleçkë, në Varrezat e Dëshmorëve, në verë të vitit 1999. Në varrimin e Fehmiut morën pjesë, pos bashkëluftëtarëve të shumtë, edhe komandanti i njohur Fatmir Limaj (Çeliku), si dhe qindra qytetarë,që atëbotë ishin strehuar në grykat e këtyre maleve. Atë ditë aty ndodheshin edhe gazetarë nga Anglia, Gjermania, Franca etj., të cilët u mahnitën nga qëndrimi burrëror i nënë Bahties, e cila masës së tubuar iu drejtua me këto fjalë : “Dëshiroj që pushkën e tim bir Fehmiut ta bartë mbi supe biri im tjetër , Aliu.Unë edhe pesë djemtë e tjerë ia kam falur lirisë së Kosovës!
Fehmiu ka lënë pas: babanë Brahimin, nënën Bahtie, vëllezërit Fadilin, Aliun, Nazmiun,Veliun dhe Shemsiun, motrat Qerimen, Artimen , Velimen dhe Valmiren.
Me rastin e dyvjetorit të rënies, në fshatin e tij të lindjes, në Kizharekë, iu ka ngritur përmendorja së bashku me dëshmorin Islam Kastrati, ndërsa në oborrin e shkollës fillore në Lladroc atij dhe 8 dëshmorëve të tjerë iu është ngritur kompleksi përkujtimor.
Pas rënies, Qeveria e Përkohshme e Kosovës-Ministria e Mbrojtjes- i ka dhënë mirënjohjen Nderim, Kuvendi Komunal i Drenasit ,më 15.6.2000, i ka dhënë “Mirënjohje”, me rastin e Ditës së Çlirimit, Kuvendi Komunal i Drenasit i jep edhe një Dekoratë, me rastin e 3-vjetorit të Betejës së Fushticës së Poshtme,më 24.7.2000, Këshilli Komunal i Drenasit-Sektori për përkujdesjen ndaj luftëtarëve dhe dëshmorëve të lirisë i jep Mirënjohje, Rinia Demokratike e Kosovës-Nëndega në Bushat, në vitin 2000, i jep Mirënjohje.
Për dëshmorin Fehmi Kastrati janë botuar shkrime në revistën “Zëri i Kosovës”, si dhe janë emetuar emisione nga Radio Kosova e Lirë. Dëshmori Fehmi ka lënë si përkujtim emblemën e UÇK-së, si dhe një thikë karakteristike të punuar me dorën e vet. (Sh. K.)
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …