Fehmi Imer Berisha (22.12.1970 – 6.9.1998)

Fehmi Imer Berisha (22.12.1970 – 6.9.1998)

Java e parë e shtatorit të vitit 1998 ishte një javë e zjarrtë pas vapës së paparë të korrikut e të gushtit. Forcat e mëdha e shumë të armatosura serbe, të mbështetura edhe prej paramilitarëve e civilëve serbë të vendit, pas thyerjeve që pësonin në Drenic” e Jasharajve e në Gllogjanin heroik të Haradinajve, rikonsolidohen edhe një herë në Prizren: ndërmarrin ofensiva në Lez e Jeshkovë, që sipas planit të Manojlo Marçetiqit, të shpartallohen luftëtarët e lirisë në Lez e Jeshkovë me grantime prej Kodrës së Billushës e së andejmi të depërtojnë me këmbësori edhe në brendi të Vërrinit. Por luftëtarët e lirisë, Berishët e Lezit: Alajdini, Xhevati, Asllani, Bekimi, Hasimi, Naipi, Nehati, Salajdini, Shefqeti, Shehadini, Shaljanët.Tamili e Refkiu, Ibahim Osmani, Samidin Emini, Milaim Thaçi e Hasim Maliqaj, qëndrojnë duke rezistuar deri në fishekun e fundit vetëm e vetëm për të mos rënë Lezi, për të mos u shembur Jeshkova e për të mos u nënshtruar Vërrini. Qëndruan të betuar, të gjithë si një, se tanksat serboçetnike mund të shkelin vetëm mbi trupat e tyre, përndryshe Lezi nuk do të bijë.

Pas granatimeve të shumta mbi kodrat e Lezit, forcat serboçetnike pësojnë keq, prandaj provojnë për të depërtuar kah Jeshkova: në Tuzsus të Prizrenit përjetësohen Arsim e Asret Poniku, ndërsa në Jeshkovë në altarin e lirisë ranë: Avdi Fazli Shala me të bijtë Agimin dhe Imridinin, Besim Shala, Fatmir Berisha, Nesim e Xhemil Krasniqi dhe plagoset rëndë Bashkim Suka. Pothuajse ngjashëm, sikurse edhe në skenarin e korrikut, po këto forca, pas humbjeve në Lez e Jeshkovë, mësyjnë Zatriqin e Anadrinit, mirëpo edhe zatriqasit u rezistojnë bandave të shfrenuara dhe sërish kthehen në Rrafshin e Anadrinit, pa e marrë Zatriqin. Në këto luftime, në mbrojtjen e Zatriqit përjetësohen: Esat e Mazllum Kastrati dhe Xhafer Vehapi, në Palushë Afrim Bajraktari e Shani Hoti, ndërsa buzë Drinit të Bardhë, në drejtim të Palushës edhe Mark Sopjani e Arben Bytyçi.

Por forcat serboçetnike edhe në këtë front të Anadrinit thyhen me turp për arsye se tërë ato eshalone me atë teknikë, me tërë atë efektiv banditësh të shfrenuar e të dehur, nuk u përballuan sulnieve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sepse luftëtarëve të lirisë u printe fryma dhe ideali i Komandantit Legjendar Adem Jashari. Këto beteja ndikuan që të zbehen të shterret logjistika e brigadave 123, 124, 125 e 126 të Zonës Operative të Pashtrikut, prandaj edhe shumë skuadra të operativës detyrohen të kalojnë në sektorin e logjistikës vetëm e vetëm që për vjeshtë, luftëtarët e lirisë të kenë sa më shumë material luftarak dhe në krye të këtyre detyrave, që zhvilloheshin kryesisht nëpër korridorret logjistike të Hasit e të Rekës, me qendër në Rogovë, në Gllogjan e Junik, në “Qafën e Milishecit” përjetësohen: Naim Sadri Gjukaj e Përparim Xhafer Krasniqi, ndërsa në Rogovë edhe Fehmi Berisha.

Dëshmori i kombit Fehmi Berisha, i Imerit dhe i nënë Sevdisë, bijë e Fortesës të Anadrinit, i vëllai i Nexhatit, Fatmirit, Valdetit, Nesretit dhe Ganimetes, bashkëshort i Behares, e baba i Fjollës dhe i Fatlindit, është i lindur më 22 dhejtor të vitit 1970 në Rogovë të Hasit. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, në fillore n e sotme “Haxhi Hoti- Lleshi” të Rogovës, ndërsa nuk provoi të shkollohet në të mesmen, por vendosi që së bashku me t’anë e me vëllezërit të kyçet në bujqësinë e ekonomisë familjare të Berishëve të Rogovës. Por dhuna me intensitet të shtuar e forcave policore serbo çetnike mbi të gjithë shqiptarët, e veçanërisht mbi hasjanët pranë kufirit të mallkuar shqiptaro-shqiptar, ndikoi në konsolidimin e radhëve të Atyre që shpresën e vetme ekishin në grykën e pushkës. Kështu edhe Fehmi Berisha, prej ditës kur ranë dëshmorët e parë të Anadrinit në “Lakun e Dëshmorëve”, në Brestos, më 27 janar 1990, asnjëherë nuk ndalej për të marrë pjesë në të gjitha format e manifestimit të revoltës kundër shtypjes dhe maltretimit të shqiptarëve.

Për të gjitha këto, policia serboçetnike herë pas herë u binte në gjurmë veprimtarëve të Rogovës së Hasit, por Fehmiu u shmangej kurtheve të përgatitura sa nëpër Rogovë aq edhe nëpër fshatrat nga thyhej kufiri për t’u furnizuar me armatim, aktivitet ky që pati filluar prej vitit 1992 kur në Bjeshkët e Pashtrikut ranë Jahë Hoti i Drinasit e Shkëlzen Krasniqi i Hoçës së Vogël.

Me daljen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në aksione guerile nëpër aksin e magjistrales Prizren – Gjakovë, më 26 prill të vitit 1998, Fehmiu u bashkohet shokëve të Formacionit ” 1000″ të Hasit, prej të cilit u zhvillua Brigada 126 e Zonës Operative të Pashtrikut. Në këtë formacion Fehmi Berisha është me bashkëfshatarët, të vëllain Nesretin dhe kushërinjtë: Haxhi Hotin-Lleshin, Asllan e Besim Berishën, Shefki Thaçin, Shefqet Thaçin, Afrim Stajkun, Artan Kovaçin, Astrit Rrushin, Besim Parallangajn, Besmir Bratin, Dinë Kolecin, Gaspër Karaçin, Hysni Temajn, Nebih Elezin, Qenë Qenajn, Skënder Hamelin, Zenun Çoçajn, sot dëshmorë të kombit e me Kapllan e Shukri Hotin, Nexhmedin e Shemsidin Berishën, Safet Gashin, Fetah Bekollin, Maxhun Shalën e me shumë shokë të tjerë, sot veteranë e invalidë të luftës. Të gjithë frymëzoheshin kur shihnin nekropolet dhe megalitet e shumta në Rogovë e Romajë, varret e vetmuar prej Rogove deri në “Qafën e Kunorës”, legjendat për të gjitha këto varrre e varreza të braktisura, “Vorret e Batareve”, dhe rrëfimet e hasjanëve që lidheshin me ndjekjet, persekutimet dhe vrasjet e burrave të shquar. Këto e frymëzuan edhe Fehmiun prandaj në mënyrë të pareshtur vepron në shoqërimin e bartësve të “Zjarrit të Lirisë” e të personaliteteve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si Fehmi Lladrovci, HashimThaçi, Xhavit Haliti, Azem Syla, Hysni Syla, Adem e Astrit Grabovci e shumë të tjerë. Por, krahas veprimtarisë në logjistikë, Fehmiu është aktiv edhe në vijën operative pasi që ishte i stërvitur mirë për manipulim me armatimin e lehtë të këmbësorisë. Tashmë si luftëtar me përvojë merr pjesë në Betejën e Fortesës, më 18 korrik të vitit 1998 kur forcat serboçetnike bllokohen në fshatin Fortesë të Anadrinit dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës mban Rahavecin edhe 3 ditë. Në Betejën e Fortesës Fehmiu mbetet pa Agim Kelmendin e Fortesës, Gani Paçarizin e Lumnishtës së Llapushës, Tafil Zyberajn e Drenajt të Zatriqit dhe Skënder Kastratin e Malësisë së Vogël të Anadrinit. Në Gusht të atij viti Femiu gjendet në vijën e rezistencës që shtrihej në aksin e rajonales Rahavec- Therandë, në pikat ndërmjet Apterrushit dhe Vneshtit (ish-Samadraxhës) të Therandës. Por menjëherë pas këtyre operacioneve, shumë formacione të vogla të brigadave të Zonës Operative të Pashtrikut arrijnë të riarmatosen.

Fehmi Berisha sërish i kthehet logjistikës dhe angazhohet me tërë teknikën dhe mjetet e transportit që i kishte familja Berisha. Fehmiu kishte një pasion të flaktë për drugëdhendje: i punonte me mjeshtëri të rrallë të gëdhendjes së drurit kundakët e armëve dhe veglat e ndryshme.

Por, prej 1 shtatori të vitit 1998, ndërsa korridori logjistik i Hasit që shtrihej prej Vlahne e Cahani deri në Romajë e Rogovë, kulmonte së vepruari në bartjen e “Zjarrit të Lirisë”, forcat paramilitare serboçetnike kishin kurthuar shumë prita nëpër fshatrat e Hasit. Tmerrin dhe trishtimin e përhapnin duke i dhënë zjarr e flakë prej Gurrazhubi e deri në Kallavajë, vetëm e vetëm që të bllokohet korridori logjistik. Kurtha të këtilla serboçetnikët patën vënë edhe në Ujëz, Rogovë, Pnish, Romajë e Kushnin ndërsa patrullat kufitare u bënë edhe më të shpeshta në front e në thellësi. Kështu, në të kthyer prej Shqipërie ku kishte qenë për armatim, ndërsa siguronte një grup të porsaardhur nga Shqipëria, në pjesën “Kah Haxhiollët” plagoset rëndë, më 3 shtator dhe bartet në spitalin ushtarak në Krushë të Madhe.

Me gjithë përpjekjet e dr. Fahredin Hotit, sot dëshmor i dëshmor i kombit, Fehmi Berisha, shumë i lodhur prej plagëve, nuk pati më forcë që t’i mbijetojë plagët dhe përjetësohet më 6 shtator të vitit 1998 në Rogovë të Hasit. Bashkëluftëtarët e Brigadës 126 Hasi të Zonës Operative të Pashtrikut, organizojnë në fshatin Rogovë një ceremonial modest të përcjelljes së fundit për këtë dëshmor të kombit.

Pas ndërprerjes së aktiviteteve luftarake në këtë areal të zjarrtë, për Fehmiun ngrihet një lapidar në lagjen e “Haxhiollëve” ku kishte rënë dëshmor. Sot lapidarët në Rogovë të Hasit flasin për luftën heroike të djelmoshave të Rogovës ndërsa rapsoditë e Islam Hasit, Shkurte Fejzës, Shyhrete Behlulit e të Besim Muhadrit ruajnë krenarinë për trimat hasjanë. Lapidarin e Fehmiut e vizitojnë edhe Fjolla, tashmë semimaturante dhe Fatlindi i cili shumë pak e pati parë t’anë, por sot dëgjon kujtimet e shokëve dhe rrëfimet për trimërinë e Fehmi Berishës nga Rogova e Hasit me krenarinë e të cilit sot ushqehen Fatlindi dhe Fjolla. Rënia e Fehmi Berishës në këtë ditë, është tronditje e dytë e Brigadës 126 të Zonës Operative të Pashtrikut, pas 8 qershorit kur pati rënë në “Qafë – Kunorë” Haxhi Halil Hoti, i njohur si Komandant Lleshi që atë ditë e thyente Pashtrikun për të tridhjetedytën herë pa u ndalur. Dëshmorin me shkrimet e veta e nderuan Xhevat Gashi, Nexhat Çoçaj, Bajram Kurti e Besim Muhadri. (S. C.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …