Zëvendës-ministri i Infrastrukturës dhe kryetari i degës së PDK-së, në Shtime, Fehmi Mujota në një intervistë ekskluzive për TV-Diellin veç tjerash ka folur edhe për angazhimet dhe rezultatet që ka arritur kjo parti në shtet-ndërtimin e Kosovë, qysh prej mbarimit të luftës e deri tani. Z. Mujota ka segmentuar disa nga sfidat me të cilat po ballafaqohet partia, me qëllim për të tejkaluar dobësitë dhe për të realizuar programin e vet me synime për të qenë sërish partia më e madhe dhe më me ndikim në vend. Rënien numerike në zgjedhjet e fundit ai e lidh me partitë e koalicionit qeverisës, të cilat u ndihmuan nga anëtarësia e gjerë e PDK-së por edhe me degradimin e klimës së përgjithshme të politike në Kuvend e më gjerë. Mujota beson fort se PDK-ja po rritet dhe po forcohet gjithnjë në përshtatje të rrethanave të kohës, meqë vendin e presin sfida të mëdha, për të cilat kjo parti ndien obligim parësor, pasi ka lindur është rritur dhe është zgjeruar me Shtetin e Kosovës, në të gjitha proceset, nëpër të cilat ka kaluar dhe po kalon vendi. PDK-në e presin sfida të mëdha për Shtetin dhe vetveten ka thënë mes tjerash ai, në intervistë për TV-Diellin.
Të sjellim në kujtesë se Fehmi Mujota ka qenë veprimtar politik qysh në vitet ’90, pastaj Komandant për Moral në Zonën Operative të Neredimes gjatë luftës, kryetar i Komunës së Shtimes pas luftës në dy mandate, deputet i Kuvendit të Kosovës, Ministër i parë i FSK-së, Ministër i Infrastrukturës kur është ndërtuar autostrada, Morinë-Besianë ku aktualisht është në postin e zëvendës ministrit.