Emri Bibël, (që shënon një libër hyjnor fetar) në gjuhën shqipe është përkthyer me kompozitën, Besë-lidhje, që do të thotë lidhje-bese, të cilën e ka përcaktuar vetë Hyji, duke iu drejtuar njeriut një detyrim, me qëllim që ta mbajë zotimin, besën. Në shqipërimin e emrit të librit hyjnor, studiuesit dhe përkthyesit e Biblës në gjuhën tonë, kanë praktikuar që ky libër të emërohet: “Besëlidhja e Vjetër” libri i përbashkët për tri fetë monoteiste, Hebraizmi, krishterimi dhe Islami dhe Besëlidhja e Re, Ungjilli që i përket vetëm fesë së krishterë.
Lidhja me besë, apo besë-lidhja është e pranishme në tërë trashëgiminë fetare e dokesore të Tores hebraike, Besëlidhjes së Vjetër, Besëlidhjes së Re dhe Kur’anit.
Në Besëlidhjen e Vjetër, në kapitullin e “Zanafillës” është e njohur Besëlidhja e Hyjit me profetin Noeh, pas përmbytjes së madhe. Pasi profeti me të vetët shpëtuan nga përmbytja, Hyji iu drejtua Noehit dhe bijve të tij, ai Tha: Ja unë po e lidhë Besën me ju dhe me trashëgimtarët tuaj, pas jush, e me çdo qenie të gjallë që është me ju …. Unë po e lidh Besën se nuk do të zhbëhet më, asnjë gjallesë, me ujërat e përmbytjes. Ylberin tim do të vë në re dhe do të jetë shenja e Besëlidhjes ndërmjet meje dhe tokës. Bibla Shqip, Ferizaj. 1994, faqe 28).
Në Besëlidhjen e Vjetër është e njohur edhe lidhja me Besë e Hyjit me profetin Abraham, përmes rreth-prerjes. “Ti duhet ta ruash Besëlidhjen time, po ashtu edhe pasardhësit tu, brez pas brezi…. Të gjithë meshkujt tu do të rreth-priten. Foshnja tetë-ditëshe te ju do të rreth-pritet, edhe skllavi edhe çdo fëmijë tjetër mashkull. Mashkulli i cili nuk do të rreth-pritet le të zhbëhet prej popullit të vet. Ai e thyen Besëlidhjen time.
Në Besëlidhjen e vjetër janë të shumta lidhjet me Besë mes Hyjit dhe Mojsiut. Kodi i Besëlidhjes, ( Bibla, po aty faqe, 105, 109, 122, 228.). Besëlidhja e Hyjit me Mojsiun është kapitull i veçantë i këtij fenomeni, meqë Mojsiu sipas librave hyjnorë ka biseduar me Hyjin nga i cila ka marrë edhe udhëzimet, premtimet e caktuara dhe zotimet për popullin e tij.
Në Besëlidhjen e Vjetër, në kohën e profetit Lot, vëllai i profetit Abraham, përshkruhet Besa e konakut dhe nderi i shtëpisë. Shtëpia ka besë dhe ai që është pranuar mik në shtëpi, ndodhet në besë të konakut, thuhet në Kanunin e Lekë Dukagjinit. Një rast anolog, mbase më i vjetër nga rastet e kodit dokesor shqiptar është shënuar edhe në kohën e Profetit Lot, vëllait të profetit Abraham. “Sodomasit e rrethuan shtëpinë e Lotit dhe i thanë: “Ku janë ata burra që hynë natën te ti, na i qit jashtë ta shfryjmë dëshirimin me ta! Loti doli te ta dhe pas shpine e mbylli derën e u tha: Mosni, vëllezërit e mi, mos ma bëni këtë të keqe. Ja, i kam dy vajzat e mia, të cilat nuk i ka prekur ende dora e mashkullit, ato po ua qes dhe bëni me to ç’ të doni,vetëm të mos u bëni gjë këtyre burrave, sepse kanë hyrë në hijen e pullazit tim… (Bibla shqip, faqe, 38.)
Profeti Lot kishte insistuar me çdo mënyrë të ruante nderin e atyre burrave, të cilëve u kishte hapur derën dhe i kishte pritur si miq. Ai, me qëllim për të mos lejuar t’iu ndodhte asnjë e keqe, meqë ishin në besë të shtëpisë, pranon t’ ua japë bijat e veta sodomasve, që ata të dëfreheshin me to, por nuk pranon t’ua japë mysafirët, edhe pse sodomasit pastaj hynë me dhunë në shtëpinë e tij.
Besa në Kur’an dhe në praktikën islame
Përveç në Besëlidhjen e Vjetër e në Besëlidhjen e Re, Besa, si sentiment i mbajtjes së fjalës e premtimit është shumë e pranishme edhe në Kur’an. Në të gjitha gjuhët e botës hasen fjalë të cilat përcaktojnë përmbajtjen e çdo fenomeni, që lidhet me praktikën njerëzore, fetare apo dokesore. Besa te shqiptarët ka specifikat e veta dhe është e shtrirë në sinkroni e diakroni, në kohë e hapësirë në traditën e moçme dhe të sotme.
Kur’ani, libri i shenjë i myslimanëve, e trajton besën si lidhje të shenjtë hyjnore mes Krijuesit dhe njeriut që i beson. Në këtë rast kemi të bëjmë me besën si besim fetar, si lidhje fetare, hyjnore për ta besuar Hyjin (All-llahun), por edhe besën si mbajtje të fjalës, si akt i ruajtjes me çdo kusht të premtimit.
Në kapitullin e Kur’anit “Fet-h” që do të thotë “Fitorja”, shkruan: “Ata që të dhanë Besë ty (është fjala për profetin Muhamed ), i dhanë Besë Zotit dhe dora e Zotit është mbi duart e tyre”. (Kreu “Fitorja -Fet-h, 10). Këtu kemi të bëjmë me një rast tejet interesant. Besa te shqiptarët përkufizon edhe veprimin fizik, ngritjen në këmbë dhe ritualin e dhënies së dorës shtrëngimit të saj, mes dy apo më shumë njerëzve që lidhin besë, qoftë mes atij që e jep besën dhe atij që e merr, si shenj fizik të dhënies së fjalës, me qëllim për ta mbajtur atë me çdo kusht.
Në interpretimin e thënieve të profetit Muhamed, shënohet edhe një lidhje hyjnore mes Zotit dhe njeriut, besimtarit islam. “Besa mes nesh dhe mes jush është namazi. Kushdo që e braktis atë është mosbesimtar”. (Hadith Sahih; Sahih Et Tirmidhi 2621). Namazi është njëri ndër pesë kushtet themelore bazike të islamit. Në këtë hadith, kryefjala ka të bëjë me lidhjen e Besës, sepse ai që e braktis namazin ka thyer besën dhe nuk është më besimtar. Namazi është ritual fetar i domosdoshëm për çdo pjesëtar të fesë islame, prej moshës madhore, pubertetit deri në pleqërinë e thellë, derisa njeriut të jetë i aftë ta falë atë, qoftë edhe ulur.
Besa në kuptimin fetar, si te myslimanët, të krishterët dhe përgjithësisht te besimtarët e feve monoteiste, ka po atë kuptim, me të cilin që është ruajtur edhe te shqiptarët, por jo vetëm te ne. Është e vërtetë se te shqiptarët, Besa ka një dimension më të gjerë, por edhe te të gjithë popujt e qytetëruar çmohet fjala e dhënë, mbajtja e fjalës, e premtimit, e zotimit.
Vetë fjala “zotim”, në gjuhën shqipe është fjalë e prejardhur dhe lidhet me emrin e Zotit, krijuesit të Gjithësisë. Zotimi ka sinonim Besën, por nuk është e njëjta në aspektin fetar. Lidhja e njeriut me Hyjin ka karakter shpirtëror, karakter universal fetar dhe nuk mund të reduktohet me fenomenin e Besës, të tillë sikur e ka trashëguar tradita dokesore shqiptare, sepse tjetër është, lidhja në besë mes njerëzve dhe tjetër ajo e Hyjit me njerëz të zgjedhur, me profetët.
Në praktikën e jetës së profetit Muhamed janë shënuar edhe shembuj të shumtë që lidhen me Besën, me mbajtjen e fjalës së dhënë
Tregohet se Aishja, gruaja e profetit, ka thënë: “Kur besimtaret u shpërngulën tek i dërguari i Allahut, ato do të kalonin një provë sipas fjalëve të Allahut: “O Pejgamber, kur të vijnë besimtaret që të të japin besën se: nuk do t’i shoqërojnë ( nuk do t’ i venë përballë) asnjë send Allahut; se nuk do të vjedhin; se nuk do të bëjnë kurvëri; se nuk do t’i mbysin fëmijët e tyre; se nuk do të gënjejnë me ndonjë shpifje (për fëmijën e huaj që kanë marrë) se është i tyre; dhe se nuk do të të kundërshtojnë në atë që i urdhëron, atëherë prano zotimin e tyre dhe lute Allahun t’i falë ato, se Allahu është mëkat-falës dhe mëshirues”. (El-Mumtehineh: 12)
Aishja ka thënë: “Ato gra që ishin dakord me këtë e kalonin provën dhe atëherë profeti, u thoshte: “Shkoni sepse ju e keni dhënë besën tuaj”’. Pasha Allahun dora e të dërguarit të Allahut, nuk preku dorën e asnjë gruaje, ato e jepnin besën e tyre vetëm me fjalë”. Dhënia e Besës vetëm me fjalë në praktikën islame bëhet për shkak se janë të kufizuara dhe selektive rastet kur gruaja ia jep dorën mashkullit. Në traditën dokesore shqiptare, besa jepet dhe merret me dorë qoftë nga burri, apo gruaja, qoftë mes burrash apo mes grash.
Ja edhe një shembull tjetër, që tregon rëndësinë e dhënies dhe mbajtjes së Besës te islamët e parë të kohës së profetit Muhamed.
Thuhet se një arab, Hudejfet ibnul Xhemani, u kap nga mosbesimtarët e Mekës, derisa ishte nisur të shkonte në Medine te profeti Muhamed. Ata i thanë se do ta lëshonin të shkonte në Medine, vetëm nëse e “jep besën” se nuk do të luftonte në radhët e tyre. Ai ua dha Besën. Kur shkoi në Medinë, tregoi besën që u kishte dhënë mosbesimtarëve, për të mos luftuar në radhët e medinasve. Profeti e udhëzoi që ta mbante fjalën e të mos luftonte. ( Ilmi Rexhepi, internet ).
Fenomeni i Besës ndër shqiptarë është fenomen “siu generis” dhe si i tillë meriton të studiohet në të gjitha dimensionet e shtrirjes, sepse kemi të bëjmë me një bazament të fortë moral, dokesor e fetar të kohëve të lashta, të cilat shqiptarët i kanë dhe i kanë përhapur gojarisht, brez pas brezi.
Ahmet Qeriqi
Referencat:
Bibla Shqip, Ferizaj, 1994.
Kanuni i Lekë Dukagjinit, Shkodër, 1933.
Kur’ani shqip, kapitulli, Fet-h, 10).
Kur’ani shqip, (El-Mumtehineh: 12)
Ilmi Rexhepi, internet.