Sot, i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, z. Miroslav Lajçak, pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, paska deklaruar se Kosova duhet të ndryshoj Kushtetutën e saj për të themeluar Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Duke shpjeguar këtë ide ai, ndër të tjera, paska thënë se Kushtetuta e Kosovës nuk është bibël dhe se ajo mund të ndryshohet.
Z. Lajçak, që kushtetuta nuk është bibël këtë ne e dimë më së miri në Evropë, dhe kjo jo sepse ky është një koncept i thjeshtë që e kupton kushdo që ka një formim minimal intelektual, por sepse ne kemi akomoduar shumë kërkesa të faktorit ndërkombëtar që kanë pasur të bëjnë më standardet për mbrojtjen e komuniteteve pakicë, standarde këto që nuk janë parë askund ne Evropë. E ndryshuam Kushtetutën edhe për të themeluar Gjykatën Speciale, edhe pse ishim të bindur që ajo ishte një ngrehinë juridike të cilën Evropa gjeografike, ku bëjmë pjesë edhe ne, nuk e kishte parë kurrë më parë. Pra ne jemi të fundit ne Evropë që duhet të na thuhet se kushtetuta nuk është bibël dhe se mund të ndryshohet.
Z. Lajçak, ne nuk duhet dhe nuk do ta ndryshojmë Kushtetutën për të akomoduar Asociacionin për dy arsye kryesore:1. Sepse ndryshimi i Kushtetutës për të themeluar Asociacionin nuk është përcaktuar në asnjë nga dy marrëveshjet që ka nënshkruar Kosova në Bruksel. Përtej atyre dy marrëveshjeve ne nuk duhet dhe nuk do të dalim;
2. Sepse ne nuk duam dhe nuk do lejojmë të prishet rendi ynë i brendshëm kushtetues i përcaktuar me Planin e Ahtisarit, mbi bazën e të cilit Kosova është shpallur shtet i pavarur dhe mbi bazën e të cilit është hartuar Kushtetuta. Plani i Ahtisarit është kompromisi i madh që ka bërë Kosova, dhe këtë ju duhet ta kuptoni njëherë e mirë.
Asociacioni duhet të themelohet sipas marrëveshjes së Brukselit dhe në përpikëri me frymën e Kushtetutës së Kosovës të vitit 2008 dhe Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të viti 2015. Çdo gjë tjetër jashtë kësaj kornize, është e palogjikshme, e pazbatueshme dhe Qeveria e Kosovës NUK guxon ta pranoj atë.