Bashkëluftëtari Ferat Shala ka bërë të ditur se ka vdekur veterani dhe luftëtari i lirisë Zymer Krasniqi. Ai në një postim të tij ka shkruar: Iku në amshim edhe një mësues tjetër, edhe një veteran dhe luftëtarë lirie. Zymer Krasniqi, mësuesi im i gjuhës shqipe nga shkolla fillore, njëri nga bashkëluftëtaret e orëve të para dhe një ndër themeluesit e njësitit Pëllumbi në Negroc.
Një jetë të tërë e vuri në shërbim të edukimit dhe emancipimit të brezave. U angazhua pareshtur në përgatitjen e një gjenerate të shëndoshë kombëtarisht dhe të gatshme për të udhëhequr luftën çlirimtare për liri. Shumë nga nxënësit që ai i edukoi, i kishte bashkëluftëtarë që u rreshtuan krahë tij në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Zymeri ishte luftëtarë i guximshëm, pjesëmarrës dhe kontribuues në shumë beteja të UÇK-së, si në Grykën e Llapushnikut, Negroc e Arllat, Gjergjaj, Likoc e Baincë, Mleqan e Kievë. Ai ishte kudo ku e kërkonte angazhimi, detyra, dhe nevoja. Sa në vijat e frontit, sa në linjat e furnizimit dhe logjistikës, deri në përfundim të luftës së lavdishme çlirimtare.
Kujtimi dhe respekti për kontributin e tij për çështjen kombëtare do të mbesin të pavdekshëm.
Lamtumire mësuesi Zymer!