Ferat Shala: Kush humb më shumë nga vonesa për miratimin e Ligjit për vlerat e luftës së UÇK-së?
Kuvendi i Republikës së Kosovës, ka dështuar sërish të miratojë ligjin për vlerat e luftës së UÇK-së. Kjo vonesë në miratimin e këtij ligji mundë te ketë pasoja edhe më të mëdha nga këto që deri tani i kemi parë dhe përjetuar. Humbjet nga vonesa për miratimin e këtij ligji mundë të jenë të mëdha dhe të pa riparueshme.
Kush në fakt humb nga vonesa në miratimin e këtij ligji?
Humbet shteti i Kosovës duke u vonuar në institucionalizimin e kësaj vlere sublime të lirisë dhe pavarësisë. Është thënë e stërthënë që vlera më e madhe e lirisë, pavarësisë dhe shtet-ndërtimit të Kosovës është UÇK-ja. Kosova shtet i pavarur, ashtu sikur është tani, nuk do të ishte e tillë pa luftën e lavdishme të UÇK-ja. Ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe lufta e saj e lavdishme që i dhe vulën lirisë dhe shtetësisë së Kosovës. Prandaj, nëse Republika e Kosovës, është produkt i vlerës së UÇK -së, atëherë, duke e ruajtur, nderuar dhe kultivuar këtë vlerë, ne mbrojmë, çmojmë dhe respektojmë shtetësinë e Kosovës.
Humbet historia më e re e Kosovës, duke i dhënë rastin të tjerëve që ta përdhosin, tjetërsojnë dhe nëpërkëmbin luftën e pastër dhe heroike të UÇK-së. Është konfirmuar nga historian, njohës të zhvillimeve shoqërore dhe analistë vendor dhe ndërkombëtarë që UÇK-ja është faqja më e ndritur e historisë tonë kombëtare dhe ndërmarrja më e suksesshme politike e ushtarake e vendit tonë, andaj vonesat dhe dyshimet në formalizmin ligjor të kësaj vlere, do ta dëmtojnë UÇK-në edhe në aspektin historik.
Humbet trashëgimia jonë kombëtare duke mos arritur që luftës së UÇK-së, t’i japë vendin meritor në piedestalin e vlerave kombëtare të çmueshme, të pazëvendësueshme dhe të papërsëritshme. Të rikujtojmë që ishte pikërisht UÇK-ja që bashkoj shqiptarët nga të gjitha trojet etnike dhe nga diaspora në një zë të vetëm, dhe si asnjëherë më parë na bëri unik para botës duke e ndërkombëtarizuar çështjen e shqiptarëve dhe duke e vënë në agjendat më të rëndësishme të organizatave të vendosjes ndërkombëtare.
Humbet dhe zbehet vlera e lirisë. Qëllimi themelor i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte liria. Ishte e drejta për të qenë i lirë dhe për të vendosur pa presion dhe pa ndikime. UÇK është sinonim i vlerës së lirisë së Kosovës, që është vulosur me gjakun e heronjve, dëshmorëve dhe me sakrificën e popullit tonë liridashës. Andaj vonesa në njohjen e kësaj vlere origjinale të lirisë në mënyrë ligjore, e zbehin dhe e minimizojnë këtë vlerë dhe qëllimin për të cilin UÇK ishte themeluar.
Humbet demokracia e brishtë e shoqërisë sonë. Mbrojta e vlerave të UÇK-së, është edhe demokratike, humane dhe emancipuese.
Një kulturë të tillë të ruajtjes së vlerave kombëtare dhe historike të një populli e gjejmë kudo në botë në vende demokratike. Ka shumë shembuj e praktika të ndryshme të ruajtjes së këtyre vlerave autentike, përmes muzeve, memorialeve, monumenteve , institucioneve dhe ligjeve të veçanta. Andaj shoqëria e jonë e re, duke mos qenë në gjendje që të ofrojë mbrojtjen e merituar ligjore për vlerat e UÇK-së, dëshmon që ende nuk është në radhën e shoqërive të vërteta demokratike që mbrojnë vlerat fundamentale të saj.
Humbet shteti ligjor, duke mos qenë në gjendje të ofrojë mbrojtje ligjore për një çështje që aq sa është e drejtë ligjore është edhe obligative ndaj të gjitha kategorive që përfshihen në këtë ligj, Qëllimi i themelimit të Kuvendit të Kosovës, dhe i zgjedhjes së përfaqësuesve të formacioneve politike në kuvend është mbrojtja dhe përfaqësimi i interesave të qytetarëve, përmes nxjerrjes dhe miratimit të akteve ligjore që janë në interes dhe në shërbim të shoqërisë. Duke dështuar të mbrojë me ligj të drejtat dhe interesave të një grupi që ka përfshirje të një shtrese kaq të rëndësishme të shoqërisë, Kuvendi i Kosovës, dështon në misionin e tij për të bërë ligje në shërbim të përfaqësuesve që i kanë zgjedhur.
Humbet drejtësia, duke rrezikuar edhe më tej që vlerat e luftës së UÇK-së, të nëpërkëmben dhe të gjykohen në mënyrë të pa drejtë. Fatkeqësisht, edhe sot pas 20 vitesh të përfundimit të luftës, Kosova po vazhdon të paguajë çmimin e lirisë, po vazhdon të bëjë sakrifica e kompromise të dhimbshme me të vetmin qëllim, që vlera e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe e luftës sonë për liri, të mbetet e pastër, e paprekshme dhe e pakontestueshme. Në mungesë të mbrojtjes ligjore të vlerave të luftës së UÇK-së, po vazhdon të humbet edhe drejtësia jonë që shpesh edhe po bëhet subjekt i eksperimenteve ndërkombëtare.
Humbet uniteti ynë para një çështje me interes të përgjithshëm. Mbrojtja dhe kultivimi i vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të duhej të na bashkonte, sepse është vlerë kolektive e popullit të Kosovës. Nuk është vlerë individuale e as klanore. Është vlerë përtej interesave politike e grupore. Të gjitha formacionet politike që kanë marrë besimin e popullit do duhej të jenë pjesë e formalizmit të mbrojtjes së vlerave të luftës sonë. Andaj, askush nuk duhet të ketë frikë që të jetë pjesë e procesit të mbrojtjes së vlerave të UÇK -së. Askush nuk duhet të ketë dyshime dhe dilema në mbrojtje të vlerave të popullit të cilin e përfaqëson.
Nga vonesat për miratimin e ligjit të vlerave të UÇK-së, humbasin të gjithë ata që ja donë të mirën shtetit të Kosovës, dhe fitojnë ata që kanë interesa ta njollosin dhe nëpërkëmbin luftën e UÇK-së. Andaj sa më shumë që të vonohet miratimi i këtij ligji, aq më të mëdha do të jenë pasojat për të ardhmen.
Duke mbështetur ligjin për vlerat e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, deputetët e zgjedhur në Kuvendin e Kosovës, e kryejmë një obligim të vonuar, i cili është dashur kaherë të finalizohej. Duke votuar për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së, deputetët i japin fuqi ligjore këtyre vlerave dhe i bëjnë ato që të njihen, përjetohen dhe të vlerësohen edhe nga gjeneratat e ardhshme.