Ferat Shala: “Ne, udhëheqesit e popullit tonë… shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe demokratik.”

Një fjali që populli i Kosovës, me breza të tërë, e ka pritur të dëgjojë dhe që u tha nga udhëheqësi politik i UÇK-së dhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, para një salle të mbushur plot me deputetë të zgjedhur nga të gjitha partitë politike të Kosovës që mbështetën pavarësinë.
Për dikë, ato ishin vetëm disa sekonda; për ne dhe për popullin e Kosovës, ato ishin një përjetësi e kaluar me vuajtje, sakrificë dhe përpjekje të vazhdueshme për liri.
Shpallja e pavarësisë ishte akti kulmor i brezave të tërë që kurrë nuk u dorëzuan përballë padrejtësisë, shtypjes dhe okupimit të Serbisë mbi trojet tona.
Ajo ishte fryti i përpjekjeve të atyre që dhanë gjithçka—disa jetën, disa rininë e tyre, e të gjithë bashkë shpresën dhe ëndrrën për një Kosovë të lirë dhe të pavarur. Por kjo ditë historike nuk do të ishte e mundur pa mbështetjen e pakushtëzuar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve të saj perëndimorë, të cilët qëndruan pranë nesh në momentet më të vështira. Për këtë mbështetje jetike, Kosova do të jetë gjithmonë mirënjohëse.
Kjo është një aleancë e ndërtuar mbi vlera të përbashkëta, një miqësi që nuk do të thyhet dhe as nuk do të harrohet kurrë.
Sot, pavarësisht sfidave dhe padrejtësive që ende vazhdojnë, përfshirë përndjekjet ndaj ish-luftëtarëve të UÇK-së si Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, e vërteta dhe drejtësia do të triumfojnë, ashtu siç triumfoi edhe liria.
Në këtë ditë të shënuar, le të festojmë me krenari sakrificën dhe guximin e atyre që e bënë të mundur pavarësinë tonë. Le të punojmë së bashku për një Kosovë më të fortë, më të drejtë dhe më të zhvilluar, në nderim të gjithë atyre që sakrifikuan për këtë ditë historike.
Lavdi luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmorëve, invalidëve dhe familjeve të tyre!
Gëzuar Ditën e Pavarësisë, Kosovë! Urime të gjithë qytetarëve të saj!

Kontrolloni gjithashtu

Fitim Selimi: PRIJËSVE TË LUFTËS PËR ÇLIRIM, TË REALIZIMIT TË PAVARËSISË E TË NDËRTIMIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS!

Ju trima që përfaqësoni lavdinë, e që festoni larg nga trualli e populli të cilit …