Ajo që dje u publikua në media, e që ishte diskutuar paraprakisht në një takim virtual të mbajtur në mes të Kryministrit Hoti, Ministrit të Shëndetësisë Zemaj, atij të Arsimit Likaj, dhe për çudi edhe të një Sazan Ibrahimit nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, dhe ku ishe biseduar për tri modele të fillimit të vitit të ri shkollor, është treguesi më i mirë i mungesës së kapaciteteve profesionale të kësaj qeverie për të udhëhequr arsimin në kushte normale, e lere më në kushte dhe rrethana të një pandemie.
Të tri modelet e prezantuara, janë të pa analizuara mirë dhe si të tilla nuk duhet as të mbështeten e as të eksperimentohet me fëmijët të cilët edhe ashtu kanë humbur shumë dhe janë nën presion të asaj se çka do të ndodhë me një shtator.
Por, pse këto tri modele nuk duhet të zbatohen:
1. Modeli i parë që nënkupton vijimin e mësimit nga nxënësit në shkollë, në rrethana pandemie kur Kosova prinë me numrin e viktimave dhe të infektuarve, është një rrezik i madhe, një ide e pa menduar mirë dhe që dërgon në infektimin masiv të qytetarëve e ku si bartës do të jenë nxënësit e shkollave, si pjesa më vitale e shoqërisë tonë. Kjo formë e organizimit të mësimit është në kundërshtim edhe me udhëzimet e promovuara nga IKSHP, përmes së cilave parandalohet përhapja e Covid-19.
2. Forma e dytë, modeli i mësimit online si formë e imponuar në një situatë emergjente nuk ka treguar rezultate, por ishte i domosdoshëm për një periudhë kohore, dhe si e tillë nuk mund të vazhdohet. Kjo formë e mësimit kisht shumë mangësi, sikurse ishin mos përfshirja e gjithë nxënësve në procesin e arsimit, ku 10-15 % e tyre nuk patëm mundësi ta ndjekin mësimin si pasojë e mungesës së teknologjisë. Pastaj nxënësit e shkollave të mesme të larta profesionale, nuk mund të aftësohen profesionalisht përmes mësimit online, ata duhet të aftësohen përmes mësimit praktik. Madje edhe vet mësuesit pohuan se nuk arritën rezultate të duhura gjatë këtij procesi dhe se ishin në siklet me mënyrën e zhvillimit të mësimit. Pra forma online e mësimit mundtë të arsyetohet për 4 muajt e shkuar të pandemisë, por nuk është si formë alternative për vazhdimin e procesit mësimorë sepse do të sjellë pasoja afatgjate dhe dështim të pashmangshëm.
3. Forma e kombinuar nuk është asgjë tjetër, përpos një përzierje e dy formave të lartë përmendura që garantojnë dështim dhe kaos në sistemin arsimor, apo thënë matematikisht shumëzim me zero.
Këto tri modele kanë për emërues të përbashkët dështimin e sistemit arsimor. Këtë dështim e përshpejtojnë pashmangshëm edhe dy çështje të diskutuara në takimin e sipërpërmendur.
E para kompetencat e secilës komunë për të vendosur se cilin model duhet zbatuar. Kjo qasje e Qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit, nuk është asgjë tjetër pos ikje nga përgjegjësia në kohë të vështirë, kur do të duhej të merrte përgjegjësi dhe të ofronte rreth veti ekspertët më të mirë të fushës, e jo njerëzit më të paditur. Mbase kjo është vetëm një strategji për tu arsyetuar më vonë dhe për të hedhur fajin te komunat kinse ato ishin fajtore për dështim, sepse kishin përgjegjësi për organizimin e arsimit. Si ka mundësi, që me legjislacionin tonë për arsim në kushte normale politikat arsimore i drejton Ministria e Arsimit, ndërsa në rrethana të jashtëzakonshme ato iu kalojnë komunave. Kjo është njësoj sikur një armatë në gjendje lufte t’i dorëzoj komandën popullatës civile. Kjo, përpos që është jo humane, është edhe anti ligjore. Prandaj, Ministria e Arsimit duhet të marrë përgjegjësinë për organizimin e arsimit sikurse ka marrë përgjegjësitë dhe buxhetin që iu takonte komunave për ndërtimin e shkollave.
Çështja e dytë absurde që doli nga ky takim, ishte prania e një përfaqësuesi të një Organizata Jo Qeveritare dhe mungesa e përfaqësuesit të SBASHK-ut. Shtrohet pyetja, cili është mandati i këtij Sazan Ibrahimit, nga Asociacioni i Komunave të Kosovës? Cili është mandati juridik e kushtetues i këtij asociacioni? Mos ky asociacion i komunave ka fituar kompetenca ekzekutive e deputetët nuk janë në dijeni, apo ndoshta ky sekretari qenka ndonjë ekspert i fushës së arsimit dhe është ftuar në cilësinë e ekspertit? Pse në takim nuk ishte asnjë përfaqësues i SBASHK-ut, kur dihet se kjo sindikatë ka shumë ekspertë të fushës së arsimit që mund të ndihmojnë në këtë proces?
Zotërinj të nderuar, edhe kjo vështirësi ka alternativë dhe rrugëdalje. Por ju nuk i kërkuat, ju nuk shpenzuat kohë për të menduar zgjidhje, e as që u munduat t’i konsultoni ekspertët e fushës. Ju punuat pa e analizuar mirë problemin dhe pa menduar alternativat e duhura. Apo ndoshta edhe sikur të mendonit vështirë se do të gjenit zgjidhje më të mirë, sepse siç duhet ju ofruat më të mirën që ditët, por kjo nuk mjafton.
Të jemi të sinqertë, këto ishin edhe pritjet lidhur me ofertën tuaj për fillimin e vitit të ri shkollor, duke marrë parasysh, se ju keni opsion vetëm një rrugë, atë të dorëzimit në situata të vështira dhe të ikjes nga përgjegjësia atëherë kur kërkohen zgjidhje.
PDK me ekspertët e saj të fushës së arsimit nuk jep vetëm kritika dhe vërejtje, madje edhe vërejtjet dhe kritikat nuk i bënë për inate, e aq më pak për të dëmtuar të mirën e përgjithshme të shtetit tonë. Kritikat janë në të mirë të gjetjes së zgjidhjeve dhe përkushtimit për të dhënë kontributin tonë për të shmangur një rrezik që mund ti kanoset brezit të ri dhe shëndetit të popullatës.
PDK ka ditur të afrojë alternativa edhe në situata të vështira, sepse vet lindja e saj si forcë politike buron nga periudha të rënda kohore dhe po ashtu rritja e saj u përcoll me sfidat e kohës. Andaj, duke qenë në shërbim të qytetarëve, dhe duke marrë për bazë masat preventive për mbrojtje nga COVID-19, PDK prezanton propozimin e saj për fillimin e vitit të ri shkollor duke marrë për bazë këto çështje:
1. Ministria e Arsimit duhet ta merr rolin udhëheqës dhe të bëjë përgatitjet e duhura që mësimi të filloj me një shtator;
2. Ministri i Arsimit urgjentisht duhet t’i kontaktojë kryetarët e komunave dhe të paraqesë planin për fillimin e vitit të ri shkollor, duke zbatuar në përpikëri udhëzimet e IKSHP;
3. Të hiqet dorë nga format e propozuara sepse ato nuk garantojnë suksese, por vetëm dështim të vitit shkollor, dhe mundë të shpijnë drejt një katastrofe humanitare nga përhapja e pakontrolluar e pandemisë;
4. Të zbatohet forma e mësimit në shkolla me orar të shkurtuar nga 25 minuta ora dhe me grupe të vogla. Kjo formë nënkupton që një paralele të ndahet në dy grupe ( p.sh. paralelja praj 30 nxënësve të ndahet në dy grupe nga 15 nxënës). Numri prej 15 nxënësve në një turn (ndërrim), mundëson respektimin e plotë të rekomandimeve të IKSHPK, dhe mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve. Shkurtimi i orëve mësimore i mundëson mësimdhënësit të punoj me të dy grupet, me paralelen e ndarë në dy grupe, pa i penguar grupet pasuese. Kjo formë i jep mundësi mbajtjes së mësimit në shkollë, që garanton edhe suksesin e vitit shkollor. Krejt mësimi ditor mund të zgjatet për 40-50 minuta, dhe është i përballueshëm. E vetmja e metë e kësaj forme është shkurtimi i orës mësimore, por në anën tjetër është shumë më produktive se sa format që i ka propozuar Ministria e Arsimit.
5. Të përgatitet forma e mësimit online dhe të transmetohet si formë e mësimit plotësues, dhe e njëjta të mundësohet përmes kanaleve në YouTube, ku nxënësit mund të kenë qasje në çdo kohë;
6. Për format e propozuara të konsultohen edhe SBASHK-u, dhe të merret pëlqimi nga kjo sindikatë.