Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, ka shprehur shqetësimin e tij mbi paralajmërimin për një shtrenjtim të ri të çmimit të energjisë elektrike, duke theksuar se kjo masë do të ketë pasoja të rënda për qytetarët dhe bizneset kosovare. Në një konferencë për media, Shala akuzoi qeverinë e Kosovës se, në emër të liberalizimit të tregut, po favorizon një grup të vogël të tregtarëve të energjisë, duke e rritur barrën mbi qytetarët dhe duke e vështirësuar gjendjen e biznesve. Shala kritikoi vendimin e ZRRE për të detyruar bizneset të paraqiten në KEDS për tregun e hapur, duke paralajmëruar se kjo do të krijojë pasiguri dhe vështirësi për ta. Ai theksoi se mungesa e konkurrencës reale do të çojë në çmime më të larta dhe kushte më të pafavorshme për konsumatorët. Ai paralajmëroi se PDK do të përdorë të gjitha mjetet ligjore dhe institucionale për të kundërshtuar këtë vendim, duke përfshirë kontestimin e tij në Gjykatën Kushtetuese.
