Familja e dëshmorit Feriz Thaçi, ka përjetuar një fat tragjik, qysh nga e kaluara e largët, ashtu sikur edhe shumë familje shqiptare, të cilat i rezistuan pushtuesit serb. Atgjyshi i Ferizit, Sherifi, nuk ishte kthyer gjallë nga Kërçova ku ishte deportuar dhunshëm, në vitin 1916 në punë të detyruar. Ai, në shtëpi, në fshatin Paterk, kishte lënë djalin 4-vjeçar, Feratin, i cili u rrit me mund, vështirësi e skamje. Në kohën e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në verë të vitit 1998, Feratin, gjyshin e dëshmorit, forcat policore serbe e kishin pushkatuar, në mesin e popullatës civile, në Grykë të fshatit Tërdec të Drenasit, edhe pse Ferati ishte plak në moshën 82-vjeçare. Fillimisht, trupin e tij e kishin varrosur në varrezat e fshatit Vuçak, pastaj në varrezat e dëshmorëve dhe martirëve në fshatin Negroc.
Djali i Feratit, Sheremet Thaçi, gjatë tërë jetës së tij ka bërë punë fizike, në Slloveni e gjetkë, me qëllim për ta mbajtur dhe për ta ngritur familjen. Lagja Thaçi, e fshatit Poterk, që shtrihet në malet e Kozmaqit të Drenicës, luftës së UÇK-së i ka dhënë shumë dëshmorë e martirë.
Feriz Thaçi u lind më 15. 10. 1975, në një familje të varfër, por bujare e mirëpritëse të fshatit Paterk.
Shkollën fillore e kreu në fshatin Llapushnik, ndërsa shkollën e mesme e mbaroi në Qendrën shkollore të Drenasit, (ish-Gllogoc). Gjatë kohës sa ishte nxënës i shkollës së mesme, ishte keqtrajtuar dhe ishte rrahur mizorisht nga policia okupatore serbe. Në pamundësi për të vazhduar studimet, Ferizi së bashku me vëllanë e tij, Ramizin, shkoi në Ulqin, me qëllim për të punuar dhe për të ndihmuar ngritjen e familjes shumanëtarëshe.
Në Ulqin, Ferizi së bashku me vëllanë dhe shqiptarë të tjerë nga Kosova bënte punë të rënda fizike. Edhe pse larg vendlindjes, ishte në njohuri me aksionet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Me rastin e zënies së Grykës së Llapushnikut, më 9 maj të vitit 1998, Ferizi bisedon me vëllanë Ramizin, për t’iu bashkuar luftës së UÇK-së. Fillimisht Ramizi, meqë ishte pak më i moshuar propozon që vetë të hyjë në radhët e UÇK-së, mirëpo këtë propozim të tij e kundërshton fuqishëm Ferizi, duke ia përkujtuar vëllait se ishte i martuar dhe kishte fëmijë, për të cilët në rast të rënies, mund të pësonin dhe të mbeteshin bonjakë.
Ferizi, meqë ishte i pamartuar, edhe pse ishte më i ri, e bind Ramizin dhe në verë të vitit 1998, nga Mali i Zi futet ilegalisht në Shqipëri e prej andej me luftëtarët e lirisë hynë në Junik. Në Shqipëri ishte takuar me luftëtarin, Bedri Shala nga fshati Negroc, me të cilin edhe kishte marrë pjesë në shumë luftime. Në ditën e rënies së Bedriut, më 10 gusht të vitit 1998, Ferizi me bashkëluftëtarët e tërheqin trupin e tij nga vendi i rënies. Ai kishte marrë pjesë edhe në varrimin e tij të shpejtë dhe pa vonuar ishte kthyer në front.
Sërish, me disa luftëtarë kthehet në Shqipëri për të marrë armatim e municion. Gjatë muajve qershor, korrik, gusht, shtator, Ferizi disa herë kishte kaluar kufirin dhe kishte sjellë armatim për nevojat e luftës në Dukagjin dhe në Drenicë.
Në fund të tetorit të vitit 1998, Ferizi kthehet në Drenicë dhe viziton familjen në Paterk. Atje takon prindërit: babanë, Sheremetin dhe nënën, Sofijen, vëllezërit: Abedinin, Samedinin dhe Samedinin, si dhe motrën e vetme, Eminen. Gjatë bisedës me babanë, i kishte thënë atij që nese bie për Atdhe, ata të mos ngushtohen, sepse liria nuk vjen pa gjak.
Ndërkohë sistemohet në radhët e Brigadës 113 “Mujë Krasniqi” të Zonës Operative të Drenicës.
Një kohë ka qenë i sistemuar në njësitin e fshatit Negroc. Ndërkohë, sistemohet në Kompaninë e Parë të Batalionit të Tretë të Brigadës 113 “Mujë Krasniqi”. Asokohe pranohet në shkollën e kadetëve, e cila funksiononte në fshatin negroc dhe aftësohet në kursin komandues të skuadrës. Aftësimi i kadetëve u mbajt prej 2 mars deri më 16 mars të vitit 1999.
Gjatë dimrit të vitit 1999, Ferizi me bashkëluftëtarët: Ejup Thaçi, Nuhi Fazli Thaçi, Nuhi Ramadan Sadik Thaçi merr pjesë në luftimet që u zhvilluan sidomos në malet e Kozmaqit.
Më 2 maj të vitit 1999, me bashkëluftëtarët: Nuhi Fazli Thaçi, Nuhi Ramadani, Sadik Thaçi e të tjerë u ndesh ballë për ballë me forcat policore serbe, në vendin e quajtur “Lugu i Madh” në malin Kozmaq. Gjatë luftimeve, Ferizi me shokët vranë dy policë serbë, ndërsa plagosën një tjetër. Ndërkohë, duke qenë se luftimet ishin zhvilluar në afërsi, Ferizi bën përpjekje t’ua marrë armët policëve. Papritmas, një sulmues serb, nga prita, merr në shenj dhe godet për vdekje, Feriz Thaçin. Pas shkëmbimit të zjarrit, bashkëluftëtarët e tij ishin tërhequr, meqë ishte konsideruar me të drejtë se nuk mund ta nxirrnin trupin e tij, në vendin ku kishte një numër të madh të forcave serbe.
Gjashtë ditë më vonë, në tërheqjen e trupit të tij morën pjesë vëllai i dëshmorit, Abedini me bashkëluftëtarët: Halil Azem Thaçi, Bashkim Thaçi, Brahim Vesel Thaçi, Çazim Thaçi, Halil Xhemë Thaçi, Agim Selmani e të tjerë. Fillimisht e varrosin rreth 50 metra nga vendi i rënies, ndërkohë, pas çlirimit të vendit nga okupatori serb, në gusht të vitit 1999, trupi i dëshmorit, Feriz Thaçi dhe i pesë dëshmorëve të tjerë nga kjo lagje, rivarroset në Varrezat e Dëshmorëve, në fshatin Polac të Drenicës.
Dëshmori Feriz Thaçi nuk ka qenë i martuar. Ai ka lënë babanë, Sheremetin, nënën, Sofinë, vëllezërit: Ramizin, Sherifin, Abedinin, Samedinin, si dhe motrën, Eminen.
Pllaka me fotografinë e dëshmorit Feriz Thaçi, është përjetësuar në mesin e 32 dëshmorëve dhe martirëve në Grykën e Llapushnikut. Familja Thaçi ka marrë mirënjohje nga SHP i UÇK-së, nga Zona Operative e Drenicës, nga Kuvendi komunal i Drenasit nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës dhe nga shoqatat e luftës. (A. Q.)