leoni

Ferizaj kremton 15 vjetorin e Pavarësisë

Këtë të premte, qyteti i Ferizajt ishte i stolisur me flamuj të shumtë për të festuar 15 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Aktivitete për shënimin e kësaj ditë kanë filluar me homazhe tek Varrezat e Dëshmorëve të Kombit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilave i priu Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, i shoqëruar nga drejtues të shoqatave të dala nga lufta, udhëheqës e përfaqësues politik e institucional si dhe qytetarë të shumtë. Aktivitete kanë vazhduar edhe me një Akademi Solemne, mbajtur në Teatrin e qytetit “Adriana” në Ferizaj. Të pranishmëve me një fjalë rasti ju është drejtuar Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, i cili ka thënë se sot është festë, gëzim, emocion i papërshkrueshëm, që në shtrirje kapilare, i jep jetë e frymë, hartës shqiptare në Ballkan e shqiptarëve kudo. “17 shkurti përfaqëson për të gjithë ne, Ditën e Pavarësisë së Kosovës, ditën e ngadhënjimit të lirisë mbi robërinë, ditën kur u hodhën themelet e ngrehinës tonë shtetërore, themele këto që u njomën me gjak dëshmorësh e martirësh, me pendën e dijetarëve, me pushkën e trimave e trimëreshave. Flet zëshëm, kumbueshëm  në mbarë mendjen e gjithsecilit prej nesh, përpjekja jonë për liri. Përpjekje që ngriti në këmbë një popull që deshi lirinë, që luftoi e sakrifikoi për lirinë. Janë shëmbëlltyrat e heronjve, ato që skalisin shndritshëm portretin e Kosovës sonë martire, në rrjedhën shekullore të historisë. Është pra, e veçanta datë, në kalendarin e qindra datave heroike të popullit shqiptar, kjo e 17 Shkurtit – Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, që krenare, lartësohet në kullën e qenies sonë kombëtare”, tha Aliu. Kryetari Aliu, tutje është shprehur se liria erdhi si fresk mëngjesi, për t’i dhënë frymë, jetë, shpirt, popullit mbarë. Lirinë e sollën krismat e pushkëve të luftëtarëve të lirisë. “Ata ishin mbrojtësit, ata ishin ngadhënjimtarët ndaj robërisë, ata janë fitorja jonë, që me gjak, me njomësinë e tyre, me shkabën dy krenare e flamurin gjithnjë lartë, luftuan, sakrifikuan e ranë, në përjetësinë e kujtesës dhe shpirtit të çdo shqiptari, në themelet e ekzistencës sonë kombëtare e shtetërore. Kudo mes nesh, në ajrin e lirisë, gjejmë gjurmën e tyre. Gjejmë rrezet që ngrohin çdo skaj të Kosovës së lirë. Gjejmë Dëshmorët e Kombit, martirët, të burgosurit politik, invalidët e veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, familjet e dëshmorëve, të zhdukurit, mijëra qytetarë të pafajshëm, që me lavdinë e veprës së tyre, i dhanë si kurorë mbretëreshës dardane –Kosovës, lirinë, pavarësinë e shtetësinë. Kosova përjetoi dramën e përgjakshme në fundshekullin XX. Populli shqiptarë në Kosovë përjetoi gjenocidin e pashembullt, të paparë në botën e civilizuar. Robëria nguli më thellë, kthetrat në palcën e qenies sonë kombëtare. Kosova u ndodh në udhëkryq të ekzistencës së saj, populli shqiptar njohu masakrat më të llahtarshme që vetëm urrejtja, fashizmi, më i egri regjim serb, mund t’i bënte popullatës së pafajshme, vetëm se ishim shqiptarë” theksoi Aliu. Të pranishmit me një fjalë rasti i ka përshëndetur edhe kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Rafiz Sejdiu. Ai ka vlerësuar tejet lartë të gjithë ata që kontribuuan në pavarësinë e shtetit tonë. Në fund u shfaq edhe një program i pasur kulturo-artistik i përgatitur nga Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit enkas për 15 vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, ku performuan artistë të mirënjohur ku mysafirë special ishin këngëtarët Selami Kolonja, Teuta Kurti, Liridon Sadriu, që me intepretimet e tyre, madhështuan festën e 15 vjetorit të Pavarësisë sonë.

Mund të jetë një imazh i 9 persona, njerëz në këmbë dhe ambiente të jashtme

 

Kontrolloni gjithashtu

Ferizajaset Valmira Ramadani dhe Yllka Jashari fituese të medaljes së bronztë në Kampionatin Ballkanik të Beach Volleyt

Ferizajaset Valmira Ramadani dhe Yllka Jashari i siguruan Kosovës, medaljen e bronztë në BVA Kampionatin …