Ferizaj ndalon shpërndarjen dhe hedhjen e fletëpalosjeve reklamuese të megamarketeve

Mbrojtja e mjedisit është prioritet i qeverisjes lokale. Masat e ndërmarra deri më tani nga Inspektorati i Komunës së Ferizajt dhe aksionet e përditshme të Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Emergjencë, përmes ndërmarrjeve publike për eliminimin e deponive ilegale të mbeturinave janë tregues i përkushtimit të autoriteteve lokale në kujdesin institucional për mjedisin me efekt të drejtpërdrejt në shëndetin publik. Së fundmi në funksion të kësaj qasje dhe legjislacionit në fuqi, Inspektorati i Komunës, ka filluar aksionin për njoftimin e bizneseve që të mos shpërndahen/hidhen broshura, reklamacione apo fletëpalosje përmes së cilave bëhet marketing për produktet e biznesit të caktuar, fenomen ky i fokusuar në shpërndarjen kryesisht në objekte kolektive si dhe biznese e lokale përgjatë rrugëve kryesore të qytetit. Një masë të tillë, Inspektorati i Komunës së Ferizajt, ka filluar që ta zbatoj qysh sot, ku si fazë e parë janë njoftuar me procesverbal të veçantë këto biznese për këtë aksion, ku mosrespektimi i kësaj të fundit do të gjobitet sipas udhëzimit administrativ për ndëshkimin me gjoba mandatore. Kryeinspektori i Ferizajt, Ridvan Berisha njofton se një masë e tillë është në zbatim të legjislacionit në fuqi që rregullon këtë fushë, për të shmangur ndotjen e ambienteve të përbashkëta dhe zvogëluar kostot e mirëmbajtjes nga ndotja që shkakton shpërndarja dhe hedhja e këtyre materialeve. Madje ai tha se janë pikërisht denoncimet e qytetarëve, ato që fuqizojnë akoma më shumë këtë masë të ekzekutivit lokal me qëllim mbrojtjen e mjedisit. Tutje, kryeinspektori Berisha tha se i ndalohet subjekteve ekonomike të cilat bëjnë shpërndarjen dhe hedhjen e broshurave/fletushkave në bazë të Udhëzimit Administrativ nr.06/2018 për Ndëshkimin me Gjoba Mandatore. Në rast të mosrespektimit, shqiptohet dënimi prej 90.00 Euro. Komuna e Ferizajt, inkurajon qytetarët që të denoncojnë rastet kur hasin në shpërndarjen dhe hedhjen e materialeve të tilla, në mënyrë që sipas procedurës së paraparë ligjore, të shqiptohet gjoba për subjektet përkatëse afariste.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …