Ferizaj nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me francezët për shkëmbimin e praktikave të mira në menaxhimin e ujërave

Paraditen e së mërkurës, Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu i shoqëruar edhe nga drejtorët e drejtorive komunale të infrastrukturës dhe shërbimeve publike kanë pritur në takim Atasheun për Bashkëpunim në Ambasadën e Francës në Kosovë Joseph Giustiniani dhe Sekretaren e Përgjithshme në Departamentin për Bashkëpunim dhe Veprimtari Kulturore Fikrije Pllashniku – Tetaj, me ç ‘rast u diskutua për bashkëpunimin mes Ambasadës së Francës në Kosovë si pjesë e projektit të bashkëpunimit Francë- Kosovë për menaxhimin e lumit Sitnica. Përkitazi me këtë temë muaj më parë është mbajtur edhe komiteti drejtues me partnerë dhe përfitues në kuadër të projektit të bashkëpunimit të decentralizuar “Shoqëria franceze për Kosovën për Strategjinë Evropiane të Ujërave”. I pari i Ferizajt, Agim Aliu tha se qeverisja lokale në planet e saja afatshkurtra dhe afatmesme ka vendosur prioritete dhe ndër to është edhe menaxhimi i ujërave, përkatësisht obligimet që kanë organet komunale karshi menaxhimit të lumenjve, sigurimi i ujit të pijshëm dhe investimet e nevojshme në infrastrukturë që do t’i kontribuonin menaxhimit më të mirë të ujërave në territorin e Ferizajt. Rezultat i takimit të sotëm ishte nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit mes Komunës së Ferizajt dhe Ambasadës së Francës në Kosovë në kuadër të këtij programi, pjesë e së cilës nismë janë edhe shumë komuna të tjera të Kosovës. Kjo marrëveshje bashkëpunimi do të lehtësoj dhe hap dyert e aplikimit të komunave në projekte të ndryshme me qëllim investimet dhe infrastrukturën në menaxhimin e ujërave, përkatësisht lumenjve. Atasheu për Bashkëpunim në Ambasadën e Francës në Kosovë, Joseph Giustiniani falënderoi Kryetarin e Komunës së Ferizajt, Agim Aliu për pritjen e ngrohtë dhe ofrimin e bashkëpunimit, duke i siguruar se populli francez dhe qeveria e Francës përmes ambasadës së saj në Kosovë dhe organizatave të ndryshme është e interesuar të ofroj mbështetje dhe ekspertizë në shumë projekte zhvillimore për komunat, në rastin konkret në menaxhimin e lumenjve, gjegjësisht ujërave. Ky projekt mbështetet nga Ministria Franceze e Evropës dhe Punëve të Jashtme dhe zbatohet nga SICALA Haute-Loire, një autoritet lokal francez, përgjegjës për menaxhimin e lumenjve i cili përfaqëson 200,000 banorë, në partneritet me komunat e pellgut të lumit Sitnica. Projekti bazohet në shkëmbimin e ekspertizës dhe kompetencave ndërmjet autoriteteve lokale dhe synon zhvillimin e një menaxhimi koherent dhe të koordinuar të Sitnicës, në mes të komunave në rrjedhën e sipërme dhe në drejtim të rrjedhës së lumit, bazuar në përvojën e menaxhimit të pellgjeve të lumenjve në Francë në përputhje me Acquis-të e BE-së.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …