Ferizaj së shpejti do të bëhet me objekt modern të Qendrës Rajonale të Shëndetit Publik

U vu gurthemeli për ndërtimin e Qendrës  Rajonale të Shëndetit Publik në Ferizaj. Pjesë e kësaj ceremoni ishte kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Isa Mustafa, ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, deputete të Parlamentit të Republikës së Kosovës, si dhe shumë e shumë mysafirë të tjerë.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Isa Mustafa me këtë rast ka thënë se është mirë që Ferizaj në këtë ambient të mirë, po ndërton Qendrën Rajonale të Shëndetit Publik.

“ Investim shumë i rëndësishëm, sepse si qeveri i kemi dhënë prioritet të lartë shëndetit publik, ai prioritete do të bëhet me argumentim,  ku ditëve të ardhshme do të vihet gurthemeli  edhe i spitalit rajonal meqenëse edhe ministria ka shpallur tenderin dhe është një investim prej 9 milionëve,  një investim që do të bëhet në komunën e Ferizajt dhe është mjaft i rëndësishëm për qytetarët,  jo vetëm të Ferizajt, por edhe të komunave për rreth. Për neve është më rëndësi që qytetarëve t’ju ofrojmë shëndet të mirë, që të përkujdesemi për ta,  sepse ai është një investim shumë produktiv ku do të kemi popullatë të shëndoshë,  do të kemi ekonomi të shëndoshë, dhe po ashtu do të kemi përparim të gjeneratave të reja”, ka thënë akademik Mustafa.

Ndërkaq ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani, ka thënë se ndërtimi i Institutit Rajonal të Shëndetit Publik, ka qenë i domosdoshëm që të jetë në qytetin e Ferizajt.

“Ferizaj në zhvillimin e vet kohëve të fundit,  në zhvillimin ekonomik nuk ka mundur të përcjell edhe ngritjen  e kapaciteteve qoftë infrastrukturore, qoftë  në kuadër për shëndetësi, dhe ne Ministria e Shëndetësisë kemi vendosur që Ferizajn ta trajtojmë në mënyrën me të veçantë me një prioritete krahas Mitrovicës si në anën e specializimeve ashtu edhe në trajtimin e mundësive që të investojmë në infrastrukturë ”, ka thënë ministri Rrahmani.

Nga ana tjetër kryetari i komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa ka thënë se gurthemeli i Institutit Rajonal të Shëndetësisë Publike në Ferizaj, paraqet fillimin e investimeve të papara në këtë komunë në fushën e shëndetësisë.

“Siç jeni në dijeni, të martën është rishpallur tenderi për Spitalin rajonal, i cili, nëse gjithçka shkon sipas planit, do të duhej të fillonte së ndërtuari brenda disa muajsh. Në këtë mënyrë, komuna e Ferizajt, por edhe komunat përreth do të bëhen me objekte të rëndësishme për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, kurse kjo zonë ku jemi, po shndërrohet në zonë shëndetësore. Ne i shfaqim mirënjohje të thellë Qeverisë së Kosovës, kryeministrit Mustafa dhe Ministrisë së Shëndetësisë për miratimin dhe çuarjen përpara të këtyre projekteve kapitale. Me këto investime, po hyjmë në fazën kur mund të shohim drejtpërdrejt realizimin e synimeve të ferizajasve për të pasur një spital modern dhe një objekt bashkëkohor të Institutit të Shëndetësisë Publike”, ka thënë kryetari Svarqa.

Ai më tej ka shtuar se objektet e reja dhe kushtet e punës, janë vetëm njëra anë e problemit.

“Ana tjetër, dhe për mendimin tim, më e rëndësishmja, është organizimi i mirë i punës, angazhimi me përkushtim për të ofruar shërbime të mira shëndetësore për qytetarët. Në këtë aspekt duhet punuar shumë, në mënyrë që qytetarët të kenë mbrojtjen shëndetësore që e meritojnë. Uroj që edhe Instituti rajonal i shëndetësisë publike, në kushte më të mira pune që do t’i ketë në këtë objekt të ri, të tregojë angazhime të shtuara për të mbajtur nën vëzhgim gjendjen shëndetësore të popullatës, sidomos gjendjen epidemiologjike. Komuna e Ferizajt do të ofrojë gjithë mundësitë e veta që ky objekt të përfundojë me sukses dhe të vihet në shërbim të shëndetit të popullatës”, ka përfunduar i pari i Ferizajt, Muharrem Svarqa.

Të pranishmit në këtë aktivitet i ka përshëndetur edhe drejtori i Qendrës Kombëtare të Shëndetit Publik Naser Ramadani.

Komuna  e Ferizajt për ndërtimin e Qendrës Rajonale të Shëndetit Publik, ka ndarë 50 ari tokë ndërkaq ky projekt do të kushtojë 500 mijë euro, mjete këto të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …