Ferizaj shënoi Ditën Ndërkombëtare të Tokës

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu i shoqëruar edhe nga nënkryetari i Komunës, Naim Ferati si dhe drejtorët e drejtorive komunale, në prag të 22 prillit – Ditës Ndërkombëtare të Tokës kanë zhvilluar një aktivitet simbolik në sheshin para komunës, duke mbjell lule dhe drunj dekorativ. Me këtë rast, Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu është shprehur: “Ky aktivitet sot me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Tokës, tregon përkushtimin e gjithë ekzekutivit dhe administratës komunale dhe tregon qartë agjendën dhe platformën tonë qeverisëse sa i përket politikave mjedisore, simbolikisht është sot dita por siç edhe e kam thënë, ne do t’i japim mbështetje të gjelbrës vazhdimisht, sepse konsiderojmë se përmes politikave të tilla do të kujdesemi për shëndetin më të mirë të qytetarëve tanë dhe parandalimi më i mirë është pikërisht përmes mbrojtjes së ambientit tonë jetësor dhe zbatimit të këtyre politikave. Ju tashmë e dini se ne, edhe pa qenë Dita e Tokës, kemi mbjellur 840 fidane respektivisht drunj dekorativ, por ky aksion do të vazhdoj dhe do të ketë vazhdimisht aktivitete të tilla mjedisore. Aktivitetet tona mjedisore nuk do të jenë vetëm me mbjelljen e luleve dhe fidaneve, drunjve dekorativ, pyllëzimeve, mbrojtjes së pyjeve por do të jenë edhe përmes veprimeve konkrete të qeverisë komunale përmes ligjeve dhe akteve nënligjore në fuqi që kanë të bëjnë me inspektimet e ndryshme. Ju tashmë e dini se inspektorët tonë, kanë qenë, janë dhe do të jenë në veprim të përhershëm sa i përket pikërisht këtyre çështjeve dhe për të zbatuar në përpikëri legjislacionin që ka të bëj me politikat mjedisore por mbi të gjitha edhe me shëndetin e qytetarëve. Për këtë ne kemi shqiptuar edhe gjoba mandatore për ndotësit e mjedisit, por ne në fakt nuk e duam gjobën, ne duam që qytetarët të bashkëngjiten në aksione të tilla konkrete çfarë është ky sot por edhe çfarë do të ketë edhe në vijim, pra presim mbështetjen e tyre, mbështetjen qytetare që është më e fuqishme se çdo ndikim tjetër apo veprim individual i dikujt për të ndotur ambientin. Me këtë rast ftoj të gjithë qytetarët që të na mbështesin në politikat tona mjedisore në mënyrë që vërtet të kemi një të ardhme më të mirë dhe e ardhmja më e mirë është sigurisht se duke u kujdesur për mjedisin tonë dhe planetin tonë. Më lejoni, me këtë rast, t’i uroj gjithë qytetarët e Ferizajt për Ditën e Tokës” theksoi kryetari Agim Aliu. Gjithashtu, në kuadër të këtij aktiviteti, pjesëmarrës ishin edhe nxënës të shkollave fillore dhe qytetarë tjerë të cilët iu bashkuan këtij aksioni. Kujtojmë se përkushtimi i qeverisjes lokale për mbrojtjen e mjedisit ka rezultuar me aksione konkrete siç është eliminimi i mbi 50 deponive ilegale të mbeturinave, pyllëzimi në disa zona rurale, mbjellja e mbi 840 drunjve dekorativ në qytetin dhe fshatrat e Ferizajt – aksion ky që po vazhdon edhe tani si dhe me veprime konkrete për zbatimin e legjislacionit mjedisor përmes monitorimit të vazhdueshëm dhe gjobitjes së ndotësve të ambientit nga ana e inspektoratit komunal dhe shtimin edhe të një inspektori të mjedisit.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …