Fermerët malishevas furnizohen me pesëdhjetë krerë të lopëve qumështore

Dje dhe sot, dhjetë fermer nga Komuna e Malishevës, furnizohen me lopë qumështore, përkatësisht me nga pesë krerë lopë. Furnizimi i fermerëve me lopë qumështore, bëhet në kuadër të realizimit të projektit për përkrahjen e blegtorëve, dhe në kuadër të investimeve të përgjithshme në bujqësi.

Këta dhjetë fermer, paraprakisht janë ndihmuar nga komuna, në ndërtimin e stallave, ndërsa finalizimi i kësaj ndihme bëhet me furnizimin me lopë qumështore. Përmes kësaj ndihme, Komuna e Malishevës, synon shtimin e numrit të gjedhëve, rritjen e kapaciteteve për furnizimin e tregut me qumësht dhe produkte të qumështit dhe krijimin e vendeve të punës.

Në shpërndarjen e gjedhëve, mori pjesë edhe nënkryetari i komunës së Malishevës, Rexhep Mazreku dhe drejtori i Drejtorisë për Bujqësi,  Murat Hoxha, të cilët i kanë uruar fermerët  përfitues të kësaj përkrahje nga ana e komunës së Malishevës. “Uroj që ti gëzoni dhe ta shtoni numrin e krerëve në stallat tuaja”, ju tha nënkryetari Mazreku.

Ndërsa drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë, Murat Hoxha, ka thënë se “përkrahja për bujqësinë në përgjithësi dhe e blegtorisë në veçanti, do të vazhdoj të mbetet prioritet i Komunës së Malishevës, dhe investimi në këtë drejtim do të vazhdojnë edhe gjatë vitit 2017”. Drejtori Hoxha, ka sqaruar se ndarja e lopëve, është bërë sipas numrave, përkatësisht numrave të regjistrit që posedojnë lopët dhe kjo ka qenë forma më transparente e ndarjes së krerëve të lopëve.

Po ashtu drejtori Hoxha, ka thënë se “të gjitha këto krerë, janë të mbarësuara dhe brenda pak kohësh, praktikisht numri i tyre do të dyfishohet nga pesëdhjetë, në njëqind krerë dhe ky është edhe synimi ynë, që përmes kësaj ndihme fermerët të kenë mundësi ti rrisin kapacitetet e tyre në stalla”.

Përndryshe, furnizimi me lopë qumështore, është bërë në bashkëfinancim me fermerët, ku Komuna e Malishevës ka kontribuar me 70% të shumës, përkatësisht me 72,200 euro, ndërsa fermerët me 30% të shumës.

Gjatë vitit 2017, sipas drejtorit Hoxha, do të ketë edhe investime tjera, si në fushën e blegtorisë, ashtu edhe fushat tjera të bujqësisë.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …