Menjëherë pas tërë atyre vrasjeve, masakrimeve dhe karbonizimeve të viktimave, e pas hedhjes së tyre në shtratin e Drinit të Bardhë, jo larg vendlindjeve të viktimave, për t’i zhdukur gjurmët e krimeve në Krushë të Vogël, në Celinë, në Fortesë, në Krushë të Madhe, në Brestos, në Nagac e në Hoçë të Vogël, nga njëra anë, por edhe mbi Qëndresë, kah Retia e Smadraxha, në anën tjetër, forcat serbe pretendonin marrjen e “Izbishtit”, “Lis-Dervishit”, “Lajthishtës”, “Malit të Dushkut”, “Lugjet e Qëndresës” dhe “Gërçillën” kah Mamusha, pyje këto e prozhme të bukura të Anadrinit që ishin bërë çerdhe e luftëtarëve të Komandantit Legjendar Adem Jasharit.
Edhe pse jo larg Rahavecit të mbushur e stërmbushur me forca serbe, as nga Hoça e Madhe që ishte një çerdhe çetnikësh të njohur qëmoti, e Zoçishtit me një manastir prej nga u rekrutuan forcat çetnike serbe, të sistemuara si “Tigrat e Arkanit”, nën kontrollimin e të cilëve ishin edhe serbët lokalë shumë të armatosur, ose bri aksit më të kontrolluar të magjistrales Prizren-Gjakovë, aty ku kishin filluar aksionet e para guerile më 26 prill të vitit 1998, te “Përroni i Keq”, ndërmjet fshatrave Piranë e Krushë e Vogël, kjo nuk u prishte punë “Djemve të Qëndresës” që të organizohen si njësit themelor i instrumentit të forcës në Zonën Operative të Pashtrikut.
Për t’u rezistuar bandave të shfrenuara serboçetnike që depërtonin prej Prizreni e Gjakove në drejtim të Rahavecit, luftëtarët e lirisë pozicionoheshin në harkun mbrojtës, duke filluar prej “Maleve të Pisjakut” të Qëndresës, në kodrinat mbi fshatin Celinë, nëpër “Malet e Dushkut” ndërmjet fshatrave Nagac e Hoçë e Vogël, e në drejtim të “Arave të Mamajve” në krye të fshatit Vnesht (ish-Samadraxhë) të Therandës, ku lidheshin brigadat 123 e 124 “Gani Paçarizi”, që mbulonin territorin e Therandës e të Rahavecit e më gjerë, tërë Zonën Operative të Pashtrikut, e forcuar nga pjesët veriore prej brigadave 121 “Ismet Jashari-Komandant Kumanova” e 122 “Imer Krasniqi” të Llapushës, ristrukturohet në pozicionet e kombinuara, por me synime themelore që të mbahen e të mbrohen “Pyjet e Izbishtit”.
Në këto luftime të përgjakshme që skuqën fundmarsin e Anadrinit, afër fshatit Krushë e Madhe, por jo larg Qëndresës, përjetësohen: Agim e Sami Nalli, Nijazi Gashi, Shukri, Xhemali dhe Ragip Hoti, vëllai i profesor Ukshinit. Në krahun e fshatit Celinë, kah “Pisjaku” përjetësohet luftëtari i lirisë, Rifat Dina, kurse gjatë luftimeve kah Hoça e Vogël bien Gashët: Bahtjari, Xhemaliu e Xhelali afër fshatit Reti, në rajonin e “Lis-Dervishit” përjetësohen Ersani e Ramadan Mazreku, njëri prej Retie e tjetri prej Prizreni. Në Drejtim të “Arrave të Mamajve”, kah Vneshti (ish-Samadraxha) i Therandës, përjetësohen edhe Latif Shukaj, Nexhmedin Hoti, Mirsad Musaj, e Lulzim Bylikbashi e në “Rrasat e Rahavecit” edhe vëllezërit Shabandula: Zabiti, Fahredini e Qazimi, por tronditje më të rënda Brigadës 124 “Gani Paçarizi” i shkaktoi rënia e dëshmorit Fetah Osman Rexhepit, me të birin Osman Fetah Rexhepin.
I ati i Osmanit të ri, Fetah Rexhepi, sot dëshmor i kombit, është i lindur më 4 prill të vitit 1954 në fshatin Qëndresë të Anadrinit. Njihej si bujk shumë i vyeshëm, i matur në bisedë, i vendosur dhe i gatshëm për t’i dhënë çdo gjë Kosovës. Dikur, pasi nuk kishte tokë të mjaftueshme, qe punësuar në ndërmarrjen e hidrosistemit të Radoniqit dhe kyçet në ilegalen e Anadrinit ku ishte radhitur edhe një pjesë e madhe e të rinjve të fshatit Qëndresë, Fetahu qëndronte pranë veprimtarit të shquar Sokol Haziri, profesor nga Krusha e Vogël, pranë Muhamet Malësorit, profesor nga Krusha e Madhe, Nait Hasanit e Hazër Hoxhës, drejtor i Shkollës Fillore “Idriz Seferi” në fshatin Qëndresë, e në fund sistemohet në strukturat për formimin e instrumentit të forcës, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Si njëri prej luftëtarëve më të moshuar, Fetah Rexhepi gëzonte respektin e bashkëfshatarëve, prandaj edhe kishte ndikim të madh në zhvillimin e luftës në drejtime të ndryshme, varësisht prej pozicioneve të forcave serboçetnike përreth Qëndresës. Por këtë ndikim arriti ta ushtrojë me shembullin personal në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sepse ndër të parët e kishte angazhuar të vëllain Lulzimin, djalin e vetëm Osmanin dhe nipin Nuhiun, sot të gjithë dëshmorë të kombit. Kështu, shumë shpejt, kompania e Qëndresës u bë ndër formacionet më të mëdha, më të organizuara e më stabile, pavarësisht prej luftimeve, prandaj mbetet në pozicionet shumë të rëndësishme ndërmjet brigadave 123, 125, 126 të Hasit dhe 124 “Gani Paçarizi”, kurse në territorin që kontrollonte kjo kompani u zhvilluan luftimet më të përgjakshme më 26 e 27 tetor të vitit 1998, më 6 nëntor, më 3 dhjetor, më 14 dhjetor të atij viti e më 20 janar, 26 shkurt, 26-28 prill e më 28 maj të vitit 1999.
Më 26 mars të vitit 1999, Fetah Rexhepi përjetësohet me djalin e hasretit, Osmanin, nipin Nuhiun dhe të vëllain Lulzimin dhe kështu familja e Fetah Rexhepit mbetet pa burra në shtëpi. Sot, trupat e pajetë të Atyre që nuk mbetën vetëm, pushojnë jo larg vatrës së Rexhepëve në konakun e të cilëve rri krenare nëna Zymritë, bijë e Gashëve të Leshanit, kurse me krenarinë për të anë, Fetahun e për të vëllanë, Osmanin jetojnë katër motrat e Mon Rexhepit, hasretit të nënës Sanie e të motrave: Besire, Mirjetë, Mentore e Fitore, të cilat me punë – dore mbajnë familjen modeste në fshatin Qëndresë të Anadrinit. (S. C.)
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …