Fetiu u lind më 11 qershor të vitit 1975 në fshatin Viti të Marecit, komuna e Prishtinës. Ai ishte djali i Jahirit dhe i Fazile Haxhollit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje ndërsa të mesmen, Shkollën Teknike , në Prishtinë. Rrjedh nga një familje e varfër, por e ndershme fshatare.
Pasi i ati, Jahiri, kishte vdekur nga një sëmundje në vitin 1987, Fetiu ishte rritur në kushte të rënda ekonomike.
Familja dhe të parët e Feti Haxhollaj, e kishte strehuar kundërshtarin e kohës së ish-Jugosllavisë, luftëtarin Ramë Mehana, të cilit i ishte likuiduar tërë familja dhe kishte mbetur vetëm me të motrën, Hatixhenë, 6 – vjeçare. Rama detyrohet të ikë me të motrën dhe vendoset në Kalaticë të Gallapit, ku qëndroi më se një vit. Por ndjekja e tij vazhdonte edhe më tutje, kështu që largohet edhe prej atij vendi dhe vendoset në Viti të Marecit, në shtëpinë e gjyshit të Fetiut, Xhelë Haxhollit. Ramë Mehana ishte dajë i babës së Fetiut, i cili qëndroi i strehuar në këtë familje plotë 6 vite. Nga këtu, mbante lidhje me Ramë Gushën, Rifat Byqmetin, Gel Hysenin e Bahtir Dumnicën. Këta trima shumë herë kishin marrë aksione kundër kriminelëve të Serbisë, hordhive çetnike, nëpër fshatrat e banuara me serbë, përreth Marecit. Por, nga shërbëtorët e armikut zbulohet çerdhja ku rrinte Ramë Mehana, dhe për ta zënë, Serbia angazhoi 3 stacione të xhandarmërisë së kohës, kurse rrethohet shtëpia e Xhelë Haxhollit. Rama nuk pranoi të dorëzohej, por e nisi luftën kundër xhandarëve ku i la të plagosur 4 nga ata, ndërsa, në luftim e sipër, ra trimërisht. Pasojat më të rënda i kishte përjetuar familja Haxholli që i kishte bërë strehë trimit Ramë Mehana dhe nga xhandarët kërcënohen me djegie të shtëpisë, duke i mbajtur brenda të gjithë anëtarët e familjes. Të gjithë anëtarët e familjes, burrat, gratë dhe fëmijët, merren peng dhe dërgohen në burg, ku dënohen 4 burra e 3 gra me gjithsej 120 vjet burg. Dënimin e kanë mbajtur në Karllovc të Sërbisë. Familja Haxholli shkriu gjithë pasurinë, shtëpinë e katandinë vetëm për t’i nxjerrë nga kthetrat e Serbisë njerëzit e vet.
Nxjerrja nga burgu qe e pamundur, por ua zbritën dënimin në 37 vjet burg, të cilin e vuajtën në burgun e Gjilanit. Kësaj familje, gjatë asaj kohe i merren edhe 3 anëtarë të tjerë: Rama, Elfija dhe Zeqa, të cilët serbët lagjes së Dragocit, i masakrojnë mizorisht dhe i varrosin në vendin e krimit.
Këto rrëfime tronditëse dhe të hidhura, Fetiu i kishte mësuar nga babai dhe gjyshi i tij dhe pikërisht për këtë ai i urrente gjakpirësit serbë, sepse e dinte pabesinë dhe mizorinë e tyre, prandaj Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Fetiun e gjeti të përgatitur. Më 24 nëntor 1998 kyçet në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në njësitin e Vitisë, Brigada 153 e Zonës Operative të Llapit. Stërvitjet e duhura ushtarake i kreu në Qendrën stërvitore, në Zllash, nga data 7 mars 1999 e deri më 21 mars 1999. Edhe gjatë stërvitjeve tregoi suksese të shënuara.
Ka dhënë kontribut edhe në shpëtimin e popullatës së ikur e të strehuar. Në shtëpinë e vet kishte strehuar 25 të zhvendosur.
Edhe vëllai i Fetiut, Fazliu, ishte radhitur në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, po ashtu në njësitin e Vitisë. Ishte deklaruar të shkonte vullnetarisht në përforcim të shokëve të njësitit të Prapashticës, ku po zhvilloheshin ato ditë luftime.
Më 17 prill 1999, Fetiu ishte në detyrën e rojës, bashkë me ushtarin Kadri Vitia, të cilët në ora 6 të mëngjesit kishin vërejtur me dylbi lëvizje forcash policore e ushtarake serbe, me kamionë e pizgauerë, që kishin hipur në kodrat e Kukavicës.
Për këto rrethana shumë shpejt u njoftua komandanti i Njësitit dhe ushtarët e tjerë. Gadishmëria luftarake u rrit në nivel ende më të lartë dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës, brenda 15 minutash, ndërmori aksionin sulmues mbi forcat armike dhe nga radhët e saj nxori 7 komandosë, të cilët bënë planin e vendosjes së teknikës luftarake për të granatuar Marecin.
Fetiu kishte qenë i palëkundur, nuk e kishte tundur nga pozicioni dhe po zbrazte mbi armikun së bashku me mllefin shekullor të Haxhollëve edhe breshërinë e automatikut. Forcat ushtarake e policore serbe duke mos mundur kurrsesi t’iu ofroheshin luftëtarëve çlirimtarë, sepse breshëri plumbash po drejtonin vazhdimisht mbi ata, aktivizuan edhe granatahedhësit.
Më 20 prill të vitit 1999, njëra nga predhat e forcave serbe e preku edhe trupin e Fetiut Ai ra trimërisht e heroikisht ashtu sikur kishin rënë kurdoherë shqiptarët në luftë për ta mbrojtur atdheun, nderin dhe dinjitetin. Po atë ditë, më 20 prill të vitit 1999 ranë edhe shumë bashkëluftëtarë të tij. (A. Q.)
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …