Fetnete Ramosaj: Beteja në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë

Mëngjesin e nëntë majit, të gjithë shqiptarët u zgjuan me ankthin e lajmeve për luftën e sapofilluar në qytetin e Kumanovës, madje jo vetëm kaq. Sakaq pamjet e tmerrit të luftës në “Lagjen e Trimave” pushtuan botën. Një shtet i tërë, i njohur tashmë për ligje e veprime raciste, madje edhe terroriste kundër njërit nga popujt më të fuqishëm shtetformues të tij, madje jo vetëm kundër atij, vuri në përdorim gjithë arsenalin e rëndë luftarak tokësor e ajror kundër një lagjeje shqiptare me një popullsi prej 20 mijë banorësh! Edhe banorët, edhe vendbanimi u godit pa paralajmërim nga të gjitha anët, nga toka dhe nga ajri, me të gjitha mjetet!


Madje nën hijen e luftës së Kumanovës, mbeti edhe parada e famshme e Moskës, e organizuar në 70-vjetorin e luftës kundër fashizmit, në të cilën presidenti i shtetit pa emër, Ivanov, po merrte pjesë, krahas homologut të tij serb, Nikoliq, të dy të ftuar nga presidenti i Federatës Ruse, Vladimir Putin. Të ndalemi pak këtu.


Maqedonia ka vite që është duke u vërtitur ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit. Paraprakisht në Maqedoni askush nuk foli për vendimin e Ivanovit për të shkuar në Moskë, në kohën e acarimit të raporteve Perëndim – Rusi, kur pothuajse të gjithë përfaqësuesit e shteteve perëndimore refuzuan ftesën e Putinit. Në prag të shkuarjes në Moskë, Ivanov, doli dhe i qortoi edhe një herë NATO-n dhe BE-në, të parën kinse për mashtrimin e popullit për integrim në strukturat euroatlantike, ndërkaq të dytën se nuk ia paska zgjidhur çështjen e emrit! Njëherësh deklaroi se ai drejton një politikë të “të qenit të hapur ndaj të gjithëve”, dhe se shkuarjen në Moskë e konsideron “interes shtetëror”!


Po. Kishte ndarë mendjen të shkonte në Moskë, ku Rusia pritej që të tregonte fuqinë e saj luftarake, dhe prej andej do t’i përcillte porosinë Perëndimit se Rusia ka dhe investon në pajisje moderne luftarake, sidomos në prodhimin e saj të famshëm tankun e sofistikuar të tipit “T-14 Armata”. Por, ndodhi që pikërisht ky tank – “krenaria ruse” të prishet mu në mes të Sheshit të Kuq në Moskë gjatë provës gjenerale për paradën e 9 Majit, dhe u detyruan ta tërheqin zvarrë për ta larguar nga parakalimi!


Ditën e 9 majit, që në orët e hershme të mëngjesit shteti pa emër (IRJM) ndërmori një operacion terrori kundër lagjes shqiptare në Kumanovë, që assesi nuk mund të quhet ndryshe pos luftë, që la pas viktima, djegie e shkatërrim, bërje rrafsh me tokë të një lagjeje të tërë. Agjencia e lajmeve “Reuters” duke parë gjendjen e pasluftës vlerësoi se “Lagja e Trimave” në Kumanovë duket sikur të jetë goditur nga një cunam, rrugët kanë mbetur të shkatërruara dhe muret të rrëzuara nga artileritë e rënda ushtarake të njësisë anti-terrorizëm të forcave speciale maqedonase”.


Natyrisht se i gjithë ky operacion dyditor i luftës e terrorit shtetëror u mbulua edhe nga një fushatë mediale, e përcjellë me informacione të mangëta, të pavërteta dhe tendencioze. Ndonëse, u tha se nuk kishte viktima civile, kësaj të dhëne është vështirë t’i besohet, pasi që tashmë shteti pa emër ka stazhin e veteranit për fshehje, montime e tjetërsime faktesh! Çuditërisht mjetet dhe metodat që po i përdorë tash sa vite kundër shqiptarëve nuk dallojnë fare nga ato millosheviqiane. Me banorët e lagjes një pjesë të burgosur e të terrorizuar, të lënë pa strehë, një pjesë të degdisur në të katër anët, pa guxuar as të flasin, vështirë të besohet kjo. Do të ishte e udhës që të vërtetën e Kumanovës ta zbardhë pa humbur kohë një Komision Hetues Ndërkombëtar. Është e çuditshme se si na kategorizojnë ne shqiptarëve, si heshtën e minimizohen aktet e rënda të terrorit shtetëror. Paramendojeni se çdo të kishte ndodhur po të ishte aplikuar një terror i tillë kundër serbëve apo të tjerëve?! Të paktën do të mblidhej me urgjencë Këshilli i Sigurimit!


Ndonëse ministrja e brendshme, Jankullovska, deklaron se i duhet vetëm pak kohë për t’i zhdukur shqiptarët (siç u zbardh edhe nga bisedat e përgjuara), lufta në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë e dëshmoi të kundërtën, ashtu siç e kishin dëshmuar shqiptarët edhe më 2001. 30-40 të rinj shqiptarë u përballën me 3 – 4 mijë forca ushtarako-policore e njësite speciale, të cilat i lëshuan edhe pikat kufitare për të mësyrë Kumanovën. Në kushte tepër të pabarabarta, luftuan e qëndruan mbi 30 orë, të rrethuar nga të gjitha anët në një qendër urbane!


Po t’u referohemi njoftimeve të para mediale, ende të pacensuruara, duke iu referuar deklaratave të policëve të plagosur maqedonas të dhëna nga spitalet e Shkupit mësojmë se pos që kanë pasur armatimin më modern të kohës, “personat e armatosur që janë përleshur me policinë maqedone në Kumanovë” gjatë tërë kohës sa janë zhvilluar luftimet në “Lagjen e Trimave” kanë kënduar këngë patriotike shqiptare. Policët e plagosur vazhdojnë më tej se “personat kanë qenë të armatosur mirë dhe të veshur me uniforma të zeza, të ngjashme me ato të njësive speciale “Tigrat”, por se në krah kanë pasur emblemën e UÇK-së. Madje, sipas tyre, kanë qenë uniformat ato që i kanë hutuar në disa raste pjesëtarët e Njësive Speciale të policisë maqedone, me ç’rast edhe është shënuar një numër i madh i viktimave në radhët e tyre”. (Zëri.info, 9 maj 2015).


Po, një pjesë e këtyre djemve kishin mbi supe përvojën e fituar në nga dy-tri luftëra: në Kosovë, në Kosovën Lindore dhe në IRJM më 2001! Ata që ishin liribërës, madje me ndikim në fitoren e luftës më 2001 në këtë vend, pasi që partitë politike shqiptare të atjeshme kanë dështuar të mbrojnë interesat e popullit që e përfaqësojnë, kur Marrëveshja e Ohrit ka vdekur ende pa u realizuar, kishin 1001 arsye për ta riaktivizuar Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare për t’i dalë në ndihmë popullit të vet, dhe për këtë treguan se nuk mund t’i ndalojë asgjë, sikurse nuk mund ta tjetërsojnë misionin e tyre për liri, barazi e mirëqenie të shqiptarëve. Prapë u treguan të gatshëm të vdesin për atdheun e tyre, për njerëzit e tyre!


Mirsad Ndrecaj, një nga drejtuesit e kësaj lufte, më 26 prill 2015, pas aksionit në pikën kufitare në Gushincë, do t’i drejtohej në mes tjerash popullit me një letër publike, për t’i sqaruar se këtë aksion nuk e ndërmorën njerëzit e Gruevskit, por luftëtarët më të mirë të luftës së vitit 2001: “…Popull i dashur Shqiptar në tokën e Iliridës, ju betohemi në gjakun më të ndershëm të Dëshmorëve të Kombit Shqiptar se ne djemtë Tuaj, për Lirinë Tuaj ne më shumë e duam Vdekjen se sa armiku e do jetën, vetëm e vetëm që fëmijët tanë dhe ju shqiptarë një herë e përgjithmonë të jetoni në tokat tuaja të lirë, ndershëm, si çdo popull i botës së civilizuar”.


Kur ndalemi dhe i analizojmë porositë e shkruara që kanë lënë ata që tashmë domosdoshmërisht janë shndërruar në heronjtë e kësaj beteje të përgjakshme, dhe si të tillë shpirtërisht me dhembje e krenari po i njeh dhe po i pranon mbarë Shqiptaria, nuk lë fare hapësirë për të dyshuar në misionin e tyre atdhetar, ndonëse po udhëhiqet një fushatë e tmerrshme mediale për poshtërimin e tyre. Por, këtu nuk ka asgjë të jashtëzakonshme! Nuk është hera e parë që e bëjmë këtë, mbase na është bërë tradicionale, jemi të vonuar në hap me kohën në reagime e në veprime, dhe me dije apo pa të e bëjmë punën e tjetërkujt.


Po të kthehemi prapa, shohim se pothuajse ndaj të gjithë heronjve tanë kemi bërë të njëjtat veprime, të njëjtat gabime. Fillimisht i kemi akuzuar, i kemi poshtëruar ende pa u varrosë as pa u tharë gjaku i tyre i derdhur për liri. Përmendim këtu vetëm rastin e Tahir Mehës, meqë këto ditë e kishte 34 vjetorin e rënies, pikërisht më 13 maj 1981 në ditën e të ashtuquajturës polici jugosllave, kur u rrethua nga të katër anët në kullën e tij në Prekaz. Ndonëse shtypi, mediat e politika e kohës tentoi ta poshtërojë e ta etiketojë si armik të popullit, qëndresën dhe rënien e tij populli e ndjeu ndryshe. Ndër ata të paktët që i bënë nderime dhe e varrosën pa pyetur për “hyqymet” qenë Shaban Jashari me të bijtë Hamzën e Ademin. Aty edhe u betuan se do të hakmerren për të, aty edhe u ribetuan se do ta vazhdojnë luftën për liri. Epilogun e këtij betimi e dimë të gjithë. Ndaj, është e habitshme se si populli di të ecën me kohën, di t’u bëjë vend në zemër heronjve të vet. Këtë e bëri edhe me heronjtë e betejës më të re – me Heronjtë e Betejës së Kumanovës.  


Sipas të dhënave zyrtare, në luftimet dyditore në Kumanovë u vranë 8 pjesëtarë të njësive speciale (katër maqedonas, tre serbë dhe një shqiptar) dhe u plagosën rëndë e lehtë 37 të tjerë. Ndërkaq, të dhënat për palën shqiptare qoftë për të vrarët, qoftë për të plagosurit, qoftë për të burgosurit që po keqtrajtohen tmerrësisht janë kontadiktore. Njëherë u tha se janë vrarë 14 shqiptarë, pastaj se janë vrarë 10! Familjarëve të luftëtarëve shqiptarë, emrat e të cilëve u publikuan pos që jo zyrtarisht u kanë thënë se të afërmit e tyre janë të vrarë, janë të masakruar e të bërë copë-copë sa të mos mund t’i njohin, zyrtarisht ende nuk u janë dorëzuar trupat e tyre! Shteti i Kosovës ka bërë fare pak, për të mos thënë aspak për t’u interesuar për qytetarët e vet, për t’u dalë në ndihmë familjeve të tyre, për të zbardhur të vërtetën cilado qoftë, për të kërkuar zbatimin e konventave ndërkombëtare për raste të tilla. Realisht interesimi dhe përkujdesja për qytetarët e vet nuk do të duhej të varet nga vullneti, dëshira apo disponimi pro apo kundër i zyrtarëve, por si në çdo shtet normal të botës edhe zyrtarët e shtetit tonë interesimin dhe përkujdesjen për qytetarët e vet e kanë obligim kushtetues. 


Asnjë prej mekanizmave ndërkombëtarë perëndimorë luftëtarët e Betejës së Kumanovës nuk i etiketoi si terroristë, sepse nuk e përbënin asnjë element të terrorizmit. Asnjë prej shteteve më të fuqishme perëndimore nuk i etiketoi si të tillë. Ashtu iu atribuuan vetëm qeveritarët e zyrtarët e shtetit pa emër, ata të Serbisë e të Rusisë. Ashtu iu referua edhe ndonjë politikan apo zyrtar shqiptar nga shteti pa emër, nga Kosova e nga Shqipëria që dolën me deklarata të ngutshme e të papeshuara.


Në ditët e sotme si të doni quajeni, por Beteja e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare e zhvilluar më 9 e 10 maj, në Lagjen e Trimave në Kumanovë, domosdoshmërisht shënon fundin e regjimit terrorist kundër shqiptarëve dhe fillimin e një epoke të re. Nëse shpëtohet, kjo betejë do të jetë faktori vendimtar që do ta shpëtojë shtetin pa emër, ashtu siç e shpëtoi UÇKombëtare më 2001. Ka kaq ditë dhe shqiptarët anembanë botës po jetojnë me jehonën e saj, me dhimbjen e saj, me krenarinë e saj, me heronjtë e saj të papërsëritshëm!

Kontrolloni gjithashtu

Formacioni politik, Lista për Familjen, që u zyrtarizua muaj më parë, pretendohet se është përçarë

Formacioni politik, Lista për Familjen, që u zyrtarizua muaj më parë, pretendohet se është përçarë

Formacioni politik,  Lista për Familjen, që u zyrtarizua muaj më parë, pretendohet se është përçarë. Behgjet …