Fetnete Ramosaj

Fetnete Ramosaj: Edhe 19 vjet nga Masakra e Qirezit dhe Likoshanit, askush nuk është nxjerrë para drejtësisë

Masakra e Qirezit dhe e Likoshanit njihet si masakra-vrasja e parë në masë, e kryer nga forcat okupuese serbe mbi civilët shqiptarë gjatë luftës në Kosovë (1998-1999).

Forcat serbe gjatë sulmit që e ndërmorën kundër fshatrave Qirez e Likoshan të Drenicës, më 28 shkurt të vitit 1998, i vunë në përdorim edhe tanket, helikopterët e artilerinë e rëndë, me ç’rast i vranë e i masakruan 24 shqiptarë, në mesin e tyre kishte edhe të mitur dhe një grua shtatzënë. Në Qirez e Likoshan forcat serbe i vranë: Ilir Nebihun (30), Rukije Nebihun (27 vjeç, shtatzënë), Xhemshir Nebihun (33), Rexhep Rexhepin (63), Beqir Rexhepin (30), Beqir Sejdiun (26), Nazmi Sejdiun (24), Bedri Sejdiun (24), Bekim Sejdiun (23), Ibish Ramën (38), Smajl Behramin (30), Behram Fazliun (50), Ahmet Ahmetin (50), Gani Ahmetin (46), Hilmi Ahmetin (44), Hamzë Ahmetin (44), Driton Ahmetin (23), Naim Ahmetin (22), Lumni Ahmetin (19), Shemsi Ahmetin (18), Basri Ahmetin (18), Elhami Ahmetin (16), Muhamet Gjelin (70) dhe Naser Gjelin (38). Njëkohësisht i plagosën disa të tjerë dhe i keqtrajtuan në mënyrat më të rënda qindra banorë të kësaj ane, shumica prej tyre fëmijë, gra e pleq.

Njëzet e shtatëvjeçarja Rukije Nebihu, në muajin e shtatë të shtatzënisë, nënë e dy fëmijëve, ishte vrarë nga forcat serbe, në dhomën e shtëpisë së saj ku po qëndronte me anëtarët e tjerë të familjes. Dëshmitarët e mbijetuar rrëfejnë se ajo u qëllua me armë zjarri nga policia serbe derisa po e mbante në prehër vajzën e saj 3-vjeçare. Plumbi që e kishte qëlluar nga afërsia ia hoqi pjesën më të madhe të kokës, i mbeti vetëm nofulla e poshtme, duke shkaktuar tmerr e panik tek anëtarët e tjerë të familjes. Atë ditë, Rukijes ia vranë edhe burrin Ilirin (30 vjeç) dhe kunatin Xhemshirin (33 vjeç). (Shih gjerësisht raportet e KMDLNJ-së për Qirezin e Likoshanin; shtypin ditor të kohës: Koha Ditore, etj.).

Kishte qenë pikërisht gjyqtarja hetuese e Gjykatës së Qarkut të Prishtinës, Danica Marinkoviq, e cila kishte dalë për të bërë hetime në vendin e ngjarjes. Gjyqtarja Marinkoviq kishte urdhëruar vrasjen e disa meshkujve të familjes Ahmeti në Likoshan.

Lidhur me këtë rast, drejtoresha shumëvjeçare e Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH)  Natasha Kandiq, duke iu referuar dëshmive të pjesëtarëve të policisë serbe pjesëmarrës në këtë masakër, ka deklaruar: “…Urdhëresat për likuidim nuk i kanë dhënë vetëm komandantët e njësiteve policore dhe ushtarake. Ata (policët serbë) më kanë thënë se personalisht Danica Marinkoviq (gjykatëse hetuese e Gjyqit të Qarkut në Prishtinë) ka urdhëruar likuidimin e disa meshkujve të plagosur të familjes Ahmeti, më 28 shkurt 1998, në fshatin Likoshan. Në hetimet në vendin e ngjarjes ajo ka ardhur në përcjellje të zëvendësit të prokurorit publik të qarkut, Jovica Jovanoviq, dhe punëtorëve të policisë kriminalistike. Para shtëpisë së familjes Ahmeti gjendej turma e kufomave. Disa meshkuj jepnin shenja jete. Në praninë e rreth 30 pjesëtarëve të njësiteve speciale antiterroriste, gjykatësja hetuese Danica Marinkoviq thuhet se ka thënë: “Unë këta nuk i marr, vrisni”. Atyre u është dhënë fund me hekler…” (Natasha Kandiq, Gjyqtarja urdhëroi vrasjen e të plagosurve në Likoshan,”Koha Ditore”, 8 mars 2002).

Sot, nëntëmbëdhjetë vjet më vonë, asnjë pjesëtar i forcave serbe, qoftë si pjesëmarrës i drejtpërdrejtë, qoftë si urdhërdhënës, nuk është nxjerrë para drejtësisë për masakrën e Qirezit e të Likoshanit. Faktikisht, jo vetëm për këtë, por për asnjë nga krimet e tmerrshme të luftës të kryera gjatë vitit 1998 nga forcat ushtarake-policore e paramilitare serbe në Kosovë, nuk është akuzuar asnjë pjesëtar i forcave serbe, madje as nga Tribunali Ndërkombëtar i Hagës. Megjithatë krimet e luftës nuk vjetrohen. Shteti serb duhet të përgjigjet për aktet më të rënda të krimit të gjenocidit, të kryera gjatë luftës në Kosovë (1998-1999), për të cilat Serbia as nuk është penduar as nuk është ndëshkuar.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …