Fetnete Ramosaj

Fetnete Ramosaj: Në 25-vjetorin e themelimit të Shoqatës Atdhetare-Kulturore “Kosova”, me seli në Shkodër

Fjalë rasti e mbajtur me rastin e përurimit të librit “NË SHKODËR 25 VJET MË PARË” (botuar me rastin e 25-vjetorit të themelimit të Shoqatës Atdhetare-Kulturore “Kosova” me seli në Shkodër), botim i përbashkët i Shoqatës Atdhetare-Kulturore “Kosova”, Institutit Albanologjik – Prishtinë dhe Unionit Shqiptar të Shoqërisë Civile, Prishtinë, 2016. Përurimi i librit u bë më 19 nëntor 2016, në Bibliotekën “Marin Barleti” në Shkodër.

Të nderuar veprimtarë të Shoqatës Atdhetare-Kulturore “Kosova”,

Intelektualë të Shkodrës,

Përfaqësues të Institutit Albanologjik të Prishtinës,

Përfaqësues të Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së,

Të nderuar të pranishëm!

Jam shumë e nderuar që sonte gjendem në mesin Tuaj, këtu në Shkodër, në kryeqendrën e kulturës shqiptare, të qytetërimit, të dijes dhe të përparimit, në Shkodrën e shenjtorëve e të martirëve të atdheut e të fesë, të kolosëve të shkencës, në Shkodrën e ngjarjeve të mëdha historike, në këtë truall të kultivuar të kulturës, të artit e të atdhedashurisë në të gjitha periudhat historike, e cila me shembullin e saj të madh gjithnjë shërbeu si shembull që duhet ndjekur në veprimtarinë shumëdimensionale kombëtare, aq më tepër kur ndodhemi në një eveniment të veçantë jubilar, në përurimin e këtij libri që përkon me 25-vjetorin e themelimit të Shoqatës Atdhetare-Kulturore “Kosova”, me seli në Shkodër, e cila ia vuri për qëllim vetes që të merrej me çështjen e pazgjidhur të Kosovës dhe të trojeve të tjera shqiptare në Ballkan dhe nuk kishte si të ishte ndryshe, kur veprimtaritë e tilla atdhetare në Shkodër ishin kultivuar gjeneratë pas gjenerate.

Kur kemi parasysh veprimtarinë e gjithanshme të Shoqatës Atdhetare-Kulturore “Kosova” shohim se ajo nuk bëri sehir në kohë të vështira, nuk u shkoi pas ngjarjeve historike, por u parapriu atyre ngjarjeve që kulmuan me luftën e armatosur për çlirimin e Kosovës, rreth të cilës u bashkua një komb i tërë, por edhe bota demokratike në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Aktivitetet shumëvjeçare të kësaj Shoqate, që janë të ndërlidhura ekskluzivisht me Kosovën dhe për Kosovën, sensibilizimi i opinionit botëror me çështjen e Kosovës dhe mbledhja e dëshmive dhe e fakteve historike për luftën në Kosovë gjatë viteve 1998-1999 nuk janë të rastit. Përkushtimin për një veprimtari të tillë, tepër të rëndësishme dhe të domosdoshme, e gjejmë të përcaktuar qartë shumë kohë para fillimit të luftës frontale në Kosovë, pra e gjejmë që nga viti 1991, në aktet normative të themelimit të Shoqatës.

Që nga viti 1991, Shoqata Atdhetare-Kulturore “Kosova” është autore e shumë deklaratave, letrave, protestave, telegrameve e peticioneve, të firmosura nga mijëra shqiptarë, drejtuar personaliteteve të larta në politikës botërore dhe institucioneve ndërkombëtare në mbrojtje të lirisë e të pavarësisë së Kosovës, duke kërkuar ndërhyrje të shpejta e intensive diplomatike e ushtarake për zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe ndërprerjen e aparteidit dhe të gjenocidit serb ndaj popullit shqiptar të Kosovës që i ishte nënshtruar shfarosjes.

Gjatë luftës në Kosovë, përveç kontributit të veçantë në pritjen, përkujdesjen dhe strehimin e disa qindra familjeve shqiptare nga Kosova, kur vetëm në rrethin e Shkodrës, ishin vendosur rreth 40 mijë shqiptarë të dëbuar me dhunë nga Kosova, Shoqata “Kosova” u angazhua edhe për mbledhjen dhe evidentimin e dëshmive të shumta faktografike, të cilat pasqyrojnë dhunën, terrorin dhe gjenocidin e pashembullt të ushtruar mbi popullin shqiptar nga shovinistët serbë.

Dëshmitë për krimet e luftës që i posedon Shoqata “Kosova” janë dëshmi autentike të mbledhura nga shqiptarët e dëbuar nga Kosova sapo kanë hyrë në Republikën e Shqipërisë gjatë një viti radhazi.

Veçanërisht në muajt mars-prill 1999, rreth një milion shqiptarë u dëbuan me dhunë nga Kosova. Këso kohe Shqipëria, me gjithë varfërinë dhe krizën që e kishte, bëri të pamundurën për t’i dalë në ndihmë popullit të vet të ndarë padrejtësisht, duke i sistemuar rreth gjysmë milioni njerëz, pa e përmendur edhe ndihmën dhe pjesëmarrjen direkte të shumë bijve e bijave në frontet e luftës për çlirimin e Kosovës në radhët të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Vetëm rasti i grumbullimit të gati gjysmë milioni shqiptarëve të përndjekur nga Kosova në qytetin e Kukësit, solidarizimi me ta dhe sistemimi i tyre në viset e ndryshme të Shqipërisë është i jashtëzakonshëm, është i përmasave biblike, që vetëm Shqipëria dhe shqiptarët mundën ta bëjnë.

Një pjesë e materialeve që dëshmojnë krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin e kryer nga forcat serbe mbi popullsinë civile shqiptare të Kosovës, përfaqësues të Shoqatës “Kosova” ia kanë dorëzuar Tribunalit Ndërkombëtar të Hagës, me ndihmën e Shoqatës së Juristëve Amerikanë, e cila merrej me grumbullimin e dëshmive të luftës në Kosovë në vitet 1998-1999, duke dhënë kështu një ndihmesë të vyer për dënimin e krimeve të luftës në Kosovë.

Përcaktimi dhe angazhimi në kohë i Shoqatës “Kosova” për mbledhjen e dëshmive në terren për krimet dhe gjenocidin që po e kryenin forcat serbe kundër popullit shqiptar në Kosovë e në viset tjera shqiptare dhe paraqitjen e tyre para opinionit publik ndërkombëtar, tregon syçeltësinë dhe largpamësinë e tyre. Sikur të vepronin njëjtë dhe sikur të punonin kështu edhe të gjithë mekanizmat përgjegjës për grumbullimin e dëshmive të tilla në Kosovë, mbase sot nuk do të përballeshim me proceset e padrejta me tendenca raciste me të cilat po përballemi, siç është rasti i gjykatës speciale, nuk do të amnistoheshin xhelatët dhe të akuzoheshin viktimat. Nuk do të mbetej pa u ndarë drejtësia për mijëra shqiptarë (pleq, gra e fëmijë) të vrarë e të masakruar mizorisht në mbarë Kosovën.

Dëshmitë e grumbulluara nga Shoqata “Kosova”, të përpunuara dhe të klasifikuara me kujdes sipas llojit të krimeve, provojnë shkeljen e të drejtave njerëzore e kombëtare të popullit shqiptar të Kosovës, nga Serbia pushtuese, që pa asnjë dyshim mund të klasifikohen si gjenocid dhe krim kundër njerëzimit. Ndaj si të tilla janë një material faktografik jashtëzakonisht i çmueshëm dhe i rëndësishëm për të dokumentuar të vërtetën për luftën në Kosovë.

Të nderuar të pranishëm, fati i popullit shqiptar është shumë i ngjashëm me fatin e popullit hebre. Por, hebrenjtë me angazhimin e tyre kanë arritur ta argumentojnë holokaustin e kryer ndaj tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore, e kanë detyruar botën t’ua njohë sakrificën dhe të përulet në vazhdimësi para saj. Ne, fatkeqësisht, nuk e kemi bërë këtë, edhe pse me holokaustin, gjenocidin e shfarosjen u përballëm para të gjithëve në Europë, madje disa herë radhazi, të paktën që nga 1912-ta e këndej. Nuk arritëm ta bëjmë këtë as për luftën e fundit në Kosovë, gjatë të cilës Serbia i kreu krimet më të tmerrshme kundër njerëzimit, kreu gjenocid të pashembullt mbi popullsinë civile shqiptare.

Megjithatë, krimet e luftës nuk vjetrohen. Prandaj, ende nuk është vonë që ta bëjmë këtë, e kemi obligim të gjithë ndaj të rënëve dhe të gjallëve, ndaj të djeshmes, të sotmes dhe të ardhmes që ta dokumentojmë të vërtetën, ta argumentojmë luftën e drejtë të popullit tonë, ta dokumentojmë tmerrin nëpër të cilin kaluam, t’i dokumentojmë krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin serb në Kosovë, në të kundërtën nuk do të na e falë as historia, as e tashmja, as e ardhmja.

Sot e përmot Shoqatës Atdhetare-Kulturore “Kosova”, të gjithë atyre burrave e grave, disa prej të cilëve nuk janë në mesin tonë, që vepruan në kohë të vështira dhe mbarë popullit vëlla të Shkodrës dhe të Shqipërisë, Kosova do t’u jetë mirënjohëse për mbështetjen e gjithanshme të ofruar në kohë të vështira. Ju faleminderit!

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …