Ramosaj

Fetnete Ramosaj: Një ditar-lufte me dëshmi të dorës së parë, i shkruar nga mjekja e luftës, Teutë Hadri

(Kumtesë e paraqitur me rastin e përurimin të librit të Dr. Teuta Hadri, Krimi që pashë me sytë e mi, Vëllimi 1 e 2, mbajtur në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, më 1 nëntor 2016).

Të nderuar të pranishëm, Miq dhe dashamirë të librit,

Më lejoni që para se të paraqes fjalën time, të falënderoj veçanërisht Shqipe Jasharin, të bijën e komandantit legjendar Adem Jashari dhe Hanife Malën, bashkëshorten e heroit Rexhep Mala dhe përmes këtyre të gjitha ato familje të dëshmorëve dhe të martirëve të kombit që i kanë dhënë më të dashurit e tyre për lirinë që e gëzojmë sot. Jam e nderuar që sot gjendem në mesin tuaj, dhe më është dhënë mundësia të them dy fjalë për librin e mikes, të bashkëluftëtares, të mjekes së luftës Teuta Hadri, veprimtare e lëvizjes ilegale të Kosovës që nga vitet e ’70-ta, kur u angazhua përkrah heronjve të kombit Rexhep Mala e Nuhi Berisha, përkrah heroinës së kombit Xhevë Krasniqi-Lladrovci e shumë të tjerëve dhe për asnjë çast nuk e ndali veprimtarinë e saj atdhetare në shërbim të kombit, nuk e ndali luftën për lirinë dhe mirëqenien e popullit dhe të vendit të vet, as atëherë kur u përball me arrestime, as kur u përball me burgosje, izolime e lëçitje, as atëherë kur u ballafaqua me vdekjen.

Jam e lumtur edhe për një fakt tjetër, sepse, libri dyvëllimësh me titull: “KRIMI QË PASHË ME SYTË E MI – Ditar lufte 1998-1999”, i doktoreshës Teuta Hadri, është ditari i dytë – libër dëshmi për luftën, që përurohet brenda dhjetë ditësh në këtë amfiteatër të Bibliotekës Kombëtare, pas librit të mjekut Ibish Ahmeti, me titull: “Duke shëruar plagët e luftës”, dhe që të dy sjellin para lexuesve dëshmi autentike, dëshmi rrëqethëse për luftën dhe mbijetesën.

Emri i Teuta Hadrit është emër i njohur dhe i nderuar që nga vitet ’80-të të shekullit të kaluar qoftë për veprimtarinë ilegale në shërbim të çlirimit të vendit, qoftë për qëndresën në burg. Dhe krahas heroinave Xhevë Krasniqi, Marije Shllaku, tash dëshmore të kombit, e të tjerave si ato, ka qenë personifikim i femrës shqiptare atdhetare dhe burim frymëzimi për gjeneratat më të reja, që iu bashkuan lëvizjes ilegale për liri dhe çlirim, që kulmoi me organizimin më të shenjtë e më të suksesshëm ushtarak të të gjitha kohëve – Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Doktoresha Teuta Hadri, nuk u dorëzua asnjëherë para pengesave e vështirësive, e dihet se në rrugën e lirisë pengesat e vështirësitë janë të shumta. Me aktivitetin e saj të vazhdueshëm, si organizatore dhe pjesëmarrëse e drejtpërdrejtë në rezistencën antiserbe, duke e sfiduar okupimin klasik të Serbisë (veçanërisht të instaluar pas marsit të vitit 1989), me veprimtarinë e gjithanshme në shërbim të popullit dhe të vendit të vet, për të vazhduar me pjesëmarrjen aktive në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmoi se përcaktimin për luftën për liri nuk e kishte fals, as të rastit, as të përkohshëm, por e kishte të trashëguar e të kultivuar me përgjegjësi të lartë.

Në këtë ditar lufte, të cilin autorja Teuta Hadri, vendosë të fillon ta shkruajë pas nëntorit të vitit 1984, atëherë kur gjatë bastisjes dhe arrestimit nga inspektorët e UDB-së, fatkeqësisht shqiptarë, në shtëpinë e saj, në Gjakovë, mrekullisht kishte arritur ta digjte në zjarr ditarin e saj, të veprimtarisë së saj, për të mos rërë në duart e UDB-së. Dhe, që nga atëherë, siç thotë edhe vet ajo, nuk kishte mbajtur më ditar, e vetëdijshme për dëmet që do të bënte po të binte në duart e gabuara.

Por, pas shumë kohësh, janë pikërisht ngjarjet e fillimit të luftës frontale në Drenicë (Qirez e Likoshan), kur fushata sistematike e apartheidit, e dhunës dhe e terrorit serb, kulmoi me sulme sistematike që kishin për qëllim shfarosjen fizike të popullit shqiptar, të cilat e bindën të rifillonte shkrimin e ditarit, pra të rifillonte shkrimin dhe dokumentimin e ngjarjeve të përditshme që po ndodhnin në Kosovë, duke e ndjerë si obligim që të linte dëshmi për historinë, duke ndjerë përgjegjësinë historike që këto akte barbare të terrorit e të gjenocidit serb të mos mbetnin në harresë, e bindur se dëshmitë e shkruara jetojnë shumë, shumë më gjatë se sa njerëzit. Pra, në këtë ditar lufte përfshihen ngjarjet dramatike të luftës së Kosovës, ashtu siç i ka parë me sytë e saj, siç i ka përjetuar, siç i ka dëgjuar, që nga 28 shkurti i vitit 1998 – deri më 17 qershor 1999, kur Kosova, me mbështetjen e aleatëve të NATO-s, e fitoi luftën kundër okupimit barbar të Serbisë.

Në këtë libër shohim se si dr. Teutë Hadri, vë dorën për të parë plagët në trupat e pajetë të Jasharajve në Prekaz, të grave e të fëmijëve, pas epopesë së Marsit 1998, për të shënuar dëshmitë e barbarisë serbe në njërën anë dhe të sakrificës e vetëflijimit të pashembullt në histori të Jasharëve, jo vetëm në historinë e kombit tonë, por në historinë e mbarë botës, madje u drejtohet edhe medieve prestigjioze ndërkombëtare nga vendi i ngjarjes; shohim se si doktoresha u del në ndihmë grave dhe fëmijëve të traumatizuar të Ahmetajve në Likoshan, shohim se si bën përpjekje me çdo kusht për sigurimin dhe dërgimin e medikamenteve në zonat e luftës, edhe atëherë kur i duhet të kalojë nëpër postblloqet e policisë serbe; shohim se si i përjeton ngjarjet e luftës që zhvillohen në zonat e ndryshme në Kosovë, se si ndikojnë tek ato rëniet e njerëzve të afërm – rënia e Elton Zherkës në Betejën e Junikut, rëniet e shokëve në beteja; shohim se sa rëndë i përjeton humbjet e sa shumë u gëzohet sukseseve; shohim se si ka shpëtuar mijëra jetë nënash duke lehtësuar e mundësuar lindjen e mijëra foshnjave – jetëve të reja; shohim se si i mjekon plagët e luftës edhe atëherë kur mungojnë gjërat elementare; shohim se si i mbanë dhe i sistemon qindra të zhvendosur nga lufta në shtëpinë e saj e ndër miq e bashkëveprimtarë; shohim se si është dëshmitare e drejtpërdrejtë e spastrimit etnik, e krimeve kundër njerëzimit e gjenocidit kundër popullit shqiptar, shohim se si luftohet për jetë a vdekje në Drenicë, në Dukagjin, në Nerodime, Llap e Karadak e gjetiu, shohim se si sakrifikon njeriu për njeriun e vet, shohim gëzimin e fitores së luftës në Gjilanin e çliruar.

Dhe të gjitha këto dëshmi të dorës së parë, vijnë të rrëfyera në veten e parë nga mjekja e luftës Dr. Teutë Hadri, në ditarin e saj. Krahas këtyre, autorja shpalosë edhe dramën e saj shpirtërore, luftën e brendshme, mospajtimin me nënshtrimin. Janë përjetimet e saj, janë mendimet e saj, janë vlerësimet e saj, janë qëndrimet e saj, nga të cilat shohim se nuk heq dorë as atëherë kur mbetet vetëm, apo kur bashkëmendimtarët nuk i ka të shumtë. Shohim se gjithnjë ka matur me kutin e zemrës dhe ajo nuk e lë të gabojë. Koha i ka dhënë të drejtë në veprimet dhe vlerësimet e saj.

Mjekët në luftë ishin aq të nevojshëm dhe i kemi parë si shpëtimtarë jete. E këtillë ishte edhe Dr. Teuta Hadri.

Libri që po e përurojmë sot, është një libër i gjithanshëm për luftën, një libër që i kontribuon të vërtetës, i cili bën që krimet serbe të mos mbeten pa dëshmi, gjë që ishte dhe është qëllimi parësor i Serbisë. Këtë na e dëshmojnë mbi 550 varreza masive me trupa të shqiptarëve të vrarë e të masakruar, të gjetura pas përfundimit të luftës në Kosovë; këtë na e dëshmojnë mbetjet mortore të mbi një mijë shqiptarëve, prej tyre 122 fëmijë, të vrarë, të varrosur e të zhvarrosur në territorin e Serbisë, e të riatdhesuar prej andej në Kosovë përgjatë pesëmbëdhjetë viteve të kaluara, pasi u gjetën në varrezat masive në Batajnicë, Petrovo Sello, Peruçac, në Liqenin Danub në afërsi të Bajina Bashtës, në Rudnicë të Rashkës etj. të gjitha këto vendqëndrime të forcave policore e ushtarake të Serbisë, apo të tjerët që gjenden në lokacione të tjera ende të pahapura po në Serbi, apo të tjerët që në mënyrë sistematike i zhvendosën për në Serbi gjatë pranverës së vitit 1999, duke i djegur në fabrikat e Maçkaticës, Borit, etj. për t’i zhdukur gjurmët e krimeve të luftës, për t’i lënë krime pa dëshmi!

Ky libër dëshmi i Dr. Teuta Hadri është i mirëseardhur në këtë kohë, kur lufta për poshtërimin e UÇK-së tashmë pas fushatës sistematike shumëvjeçare të orkestruar nga Serbia dhe aleatët e saj ka marrë përmasa të mëdha përndjekjeje, madje edhe histerike, duke i bërë fajtorët të pafajshëm dhe të pafajshmit fajtorë.

Por, përkundër këtyre përpjekjeve realiteti nuk mund të ndryshohet. Ushtria Çlirimtare e Kosovës është ndër ushtritë e rralla çlirimtare në botë, e cila e ka fituar luftën, i ka fituar të gjitha betejat kundër saj, edhe kur iu desh të ballafaqohej me forcat pushtuese të Serbisë e të Jugosllavisë së mbetur, me një kapacitet prej gjysmë milioni forcash, që e përbënin forcën e tretë në Europë për nga kapacitetet ushtarake. Askush të mos ketë dyshim, se UÇK do ta fitojë edhe këtë betejë.

Dr. Teuta Hadrit, i urojmë shëndet, suksese e tituj të tjerë si ky libër me vlera të veçanta!

Ju faleminderit!

(Kumtesë e paraqitur me rastin e përurimin të librit të Dr. Teuta Hadri, Krimi që pashë me sytë e mi, Vëllimi 1 e 2, mbajtur në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, më 1 nëntor 2016).

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …