Jo!- themelim të “Tribunalit” në formatin e imponuar nga bashkësia ndërkombëtare
Vëllezërve shqiptaro-amerikanë Yll, Agron e Mehmet Bytyçi, luftëtarë të Batalionit “Atlantiku” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, qoftë edhe për së vdekuri është për t’ua pasur lakmi për interesimin dhe këmbënguljen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ndriçimin e vrasjes së qytetarëve të vet. Mbase po të mos ishte ky rast, vështirë se do të zbuloheshin varrezat masive me trupa të shqiptarëve në afërsi të Beogradit (Zemun-Batajnicë e Petrovo Sello), aq mirë të maskuara nën asfaltin e vendqëndrimeve të njësiteve elite të policisë e të ushtrisë serbe, që siç u shpreh këto ditë vozhdi i ri çetnik Aleksandar Vuçiq, i kishin “paluar si sardele”! Ndonëse në vrasjen e vëllezërve Bytyçi, e më pas në fshehjen e kufomave të tyre, sikurse edhe në rastet e mijëra shqiptarëve të tjerë, faktet e pakontestueshme dëshmojnë se janë të implikuara instancat më të larta të shtetit serb, i gjithë zinxhiri komandues i policisë dhe i ushtrisë serbe, ka më shumë se një dekadë që as rasti i vëllezërve Bytyqi nuk ka marrë drejtësi, sepse Serbia vazhdon t’i mbrojë me fanatizëm kriminelët e luftës. Tek e fundit ata kanë vepruar nën platformën serbomadhe, e përgatitur nga strukturat më të larta akademike, kishtare e politike serbe, që kanë pushtet absolut edhe sot e kësaj dite në Serbi, të përforcuar edhe më shumë me fitoren e paradoditshme të vozhdëve çetnikë.
Varrezat masive me trupa të shqiptarëve të zbuluara në afërsi të Beogradit që nga viti 2001 e këndej (në Batajnicë e Petrovo Sello), varreza e fundit masive në Rudnicë të Rashkës, të cilën përkundër fakteve të pakontestuesme e mohoi dhe e zvarriti aq gjatë Serbia; autofrigoriferët me kufoma të shqiptarëve në Danub dhe në Liqenin Peruçac; dëshmitë për djegien e kufomave të shqiptarëve në fabrikën e Maçkaticës e të Surdulicës (në afërsi të Vranjës); pastaj në shkritoret e Trepçës e në furrnaltat e Obiliqit në Kosovë dhe në një varg krematoriumesh të tjera, janë vetëm disa nga treguesit për rastet e shumta të përpjekjeve për fshehjen e organizuar të krimeve dhe gjenocidit që bënë forcat serbe në Kosovë. Rastet e tilla edhe sot e kësaj dite në Serbi konsiderohen “sekret shtetëror”, madje moszbulimi dhe mosgjurmimi i tyre në territorin e Serbisë në vitet paraprake ishte urdhëruar edhe me dekrete presidentësh. Gjithashtu, vite më parë nga përtej Atlantikut, janë ofruar dëshmi rrëqethëse lidhur me eksperimentimet e bëra me robërit shqiptarë të luftës në vend të minjve në laboratoret nëntokësore të VMA-së (Akademisë Ushtarake Mjekësore) dhe në Institutin për Siguri të ish-RSFJ-së në Beograd, por askush nuk është marrë me këtë çështje. Për këtë, vite më parë opinionit publik i kemi ofruar edhe një dëshmitar të gjallë, ish-pjesëtar i UÇK-së, rob i luftës, që i ishte nënshtruar trajtimit për marrjen me dhunë të veshkës në VMA, derisa mbahej në burgun qendror (CZ) në Beograd.
Dihet botërisht se gjatë tërë kohës së pasluftës në Kosovë, administrata ndërkombëtare ka imponuar “një ligj të pashkruar”, për minimizimin dhe mohimin e krimeve serbe mbi shqiptarët. Madje ajo ka shkuar edhe më larg, me të gjitha mjetet është përpjekur të shkatërrojë dëshmitë që do të argumentonin gjenocidin serb në Kosovë. Shumë prova u fshehën dhe u pengua grumbullimi i të tjerave nga UNMIK-u, kanë deklaruar njohës të mirë të rrethana brenda këtij misioni. Nga dikur viktima, propaganda serbe dhe ajo e UNMIK-ut, ndikuan që Perëndimi të fillojë t’i shohë shqiptarët si viktimizues e serbët si viktima. Skenari kryesor u realizua nga UNMIK-u nëpërmjet fshehjes së provave të gjenocidit të Serbisë ndaj shqiptarëve. Dhe për këtë askush nuk kërkoi as nuk dha llogari deri më sot.
Me të gjitha proceset gjyqësore që kanë të bëjnë me krimet e luftës, që janë zhvilluar në Kosovë, është marrë ekskluzivisht bashkësia ndërkombëtare, përkatësisht UNMIK-u e më pas EULEX-i, të cilat deri më tani rezultojnë të jenë tepër të njëanshme. Raporti i të gjykuarve dhe i të dënuarve për krime lufte në Kosovë është 5 : 1. Pra, pesëfish më shumë janë gjykuar e dënuar shqiptarë, edhe pse në asnjë rast nuk kanë mundur t’i argumentojnë akuzat kundër tyre. Përmasat e tilla të gjykimeve, kanë ndodhur falë përfaqësuesve të “drejtësisë” ndërkombëtare, të tipit të kryeprokurorit shumëvjeçar të EULEX-it, Mauricio Salustro, i shquar për zellin e tij në proceset e shumta gjyqësore kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së, i cili pas përfundimit të mandatit në Kosovë, gjeti punë të re (mbase jo, mund të jetë edhe më e hershme se detyra zyrtare që kishte në Kosovë) dhe atë ku tjetër pos në Beograd, në cilësinë e këshilltarit kryesor të zëvendësprokurorit për krime lufte të Serbisë, Bruno Vekariq, ku thuhet se nuk ka shkuar duarthatë, por ka marrë me vete të gjitha dosjet e krimeve të rënda, që i kishte në duar gjatë punës së tij të dyshimtë në Kosovë!
Është e udhës të përkujtojmë se ka raste të shumta kur të akuzuarit shqiptarë janë mbajtur padrejtësisht me vite të tëra në burgje e pastaj janë liruar të pafajshëm, ka raste kur deri në një dekadë janë mbajtur në burgje pa aktgjykim të plotfuqishëm, por drejtësia ndërkombëtare nuk ka qarë kokën për këtë, sepse të akuzuarit ishin dhe janë ish-pjesëtarë të UÇK-së, dhe si të tillë janë kategoria e shtetasve të Republikës së Kosovës që në Kosovën e pasluftës janë viktimizuar më së shumti, janë kategoria që i janë bërë dhe po vazhdojnë t’i bëhen më së shumti padrejtësi, janë kategoria që është tentuar të njolloset e të poshtërohet më së shumti. Dhjetëra ish-luftëtarë të lirisë janë vrarë në Kosovën e pasluftës, por asnjë vrasje e tyre nuk është zbardhur deri më sot; dhjetëra të tjerë janë gjykuar e dënuar në procese të montuara politike; dhjetëra të tjerë të gjendur buzë ekzistencës i kanë dhënë fund jetës duke u vetëvrarë; qindra të tjerë edhe pesëmbëdhjetë vjet pas përfundimit të luftës nuk i kanë as kushtet elementare për jetë, as për trajtim mjekësor, as një vend pune, as një kulm mbi kokë. U deshën të kalojnë 15 vite pas përfundimit të luftës që Kuvendi i Kosovës të miratojë ligjin për veteranët e luftës!
Nuk është asgjë e re as e panjohur se Serbia çdo krim që e ka kryer në Kosovë është përkujdesur t’ia adreson UÇK-së, ndërkaq në raste të tjera është përkujdesur të trumbetojë se krimi apo krimet të jenë bërë gjithsesi për shkak të saj (UÇK-së). Në kohën kur për çdo ditë vazhdojnë të zbulohen varreza masive me eshtra të shqiptarëve, të zhvarrosur e të rivarrosur shumë herë, propaganda serbe, për t’i fshehur gjurmët e krimit, tenton të krijojë paralelizma të tillë te shqiptarët. Në mungesën faktike të varrezave masive të serbëve ajo tenton të gjejë individë, të cilët do të akuzoheshin për krime lufte. Në këtë funksion është edhe përralla serbe (e huazuar nga ndërkombëtarët) për “trafikim organesh”.
Është e çuditshme se si përralla e vozhdit çetnik Vojisllav Sheshel, për kinse “trafikim organesh” të serbëve nga ana e UÇK-së, e lansuar në vitin 1999, e përpunuar më pas nga e ashtuquajtura prokurori dhe gjykatë speciale e Serbisë për krime të luftës me seli në Beograd, si e tillë përfundoi në librin tendencioz të ish-kryeprokurores së Tribunalit të Hagës, Carla del Ponte (e cila përkundër kësaj, disa muaj më parë siç raportonte agjencia “Presheva Jonë”, medieve ndërkombëtare në Cyrih të Zvicrës iu deklaroi se hetimet për “trafikun e organeve” në Kosovë do të dështojnë) e më pas në raportin e senatorit zviceran të Këshillit të Europës, Dick Marty, i njohur për përcaktimet e tij proserbe, të marrë përmasa të tilla. Aq më tepër kur dihet se nuk ka asnjë gjasë reale, as teorike as praktike që UÇK-ja gjatë luftës të jetë marrë me “trafikim organesh” të serbëve. Në anën tjetër dhjetëra luftëtarë të UÇK-së të plagosur kanë ndërruar jetë në mungesë të ofrimit të ndihmës përkatëse mjekësore e qindra të tjerë kanë rënë dëshmorë gjatë tentimit për dërgimin e të plagosurve për shërim në Shqipëri.
Kur trajtojmë çështjen e “tribunalit” të paralajmëruar, duhet shtruar disa pyetje të cilat kërkojnë përgjigje nga bashkësia ndërkombëtare:
– Së pari, a kanë kërkuar ndonjëherë zyrtarisht nga Serbia që të sqarojë veprimtarinë e Sigurimit Shtetëror serb në raport me Kosovën, sidomos pas zbardhjes së fakteve për ekzistencën e Drejtorisë së Gjashtë (Drejtorisë për Vrasje) të RDB-së, në krye me Ratko Romiqin, që veç tjerash, kishte në dispozicion njësinë famëkeqe JSO (apo “Beretat e Kuqe”) kur dihet se përmasat e aktiviteteve kriminale të saj kanë përfshirë jo vetëm periudhën e luftës por edhe atë të pasluftës, duke pasur në fokus edhe zhdukjen e dëshmive e të dëshmitarëve të mundshëm që do të dëshmonin për krimet serbe, kur dihet se vrasjet e kryera nga kjo strukturë (anëtarët e të cilës edhe sot kanë pozita vendimmarrëse në institucionet më të larta në Serbi) kanë përfshirë vrasje jo vetëm në nivel në Serbisë e të Kosovës por edhe në nivel ndërkombëtar, siç ishte rasti i vrasjes së gazetares së BBC-së Jill Dando, ministres së Punëve të Jashtme të Suedisë, Ana Lind, etj.? A është kërkuar ndonjëherë të dihet se cilat janë përmasat e implikimit të kësaj strukture në vrasjet e shumë anshme të pasluftës në Kosovë?
– Së dyti, si ndodhi që më 12 shkurt 2010, fare pa zhurmë mediale, një gjyqtar i EULEX-it përkundër fakteve të shumta në seancën kur aktakuza duhej të merrte formën e prerë, t’i lirojë nga akuza oficerët e shërbimit sekret serb BIA (Igor Juçinac, Millutin Radanoviq e Predrag Zhelkoviq) të cilët në qershor të vitit 2009, në Çagllavicë, ishin kapur në flagrancë nga Policia e Kosovës derisa ishin në gjah për mbledhjen e dëshmive të rrejshme për të materializuar shpifjet dhe fabrikimet e Beogradit zyrtar “për trafikim organesh të serbëve”. Siç dihet, këta pjesëtarë të BIA-s serbe u akuzuan të kenë nxitur familjarë të serbëve të zhdukur, por edhe qytetarë shqiptarë, për të bërë dëshmi të rrejshme me qëllim të trillimit të aferës për gjoja trafikimin (transplantimin) e organeve njerëzore gjatë luftës nga UÇK-ja, duke u ofruar të paktën prej 100 deri në 300 mijë euro për një deklaratë të tillë. Aso kohe, agjentët e shërbimit sekret serb – BIA, deklaruan se shumat e premtuara për dëshmitarët e tillë (të rrejshëm) i paguan shteti!!! Në “dëshmi” të tilla thirret Dick Marty në raportin e tij.
– Së treti, si ndodhi që të kalojë në heshtje rasti skandaloz i publikuar në verën e vitit të kaluar në gazetën “Zëri” të datës 2 gusht 2013, me titull: “Komploti i Serbisë me veshka”, ku ofrohen fakte të tmerrshme mbi komplotin e shërbimeve sekrete të Serbisë për materializimin e procesit famoz “të trafikimit të organeve”. Faktet që i ofron gazeta janë të tmerrshme. Sipas gazetës, një vit e gjysmë më herët (pra, në fillim të vitit 2012), ishte planifikuar që mbetjet mortore serbe të sillen në mënyrë ilegale në Kosovë dhe të varrosen skaj kufirit me Serbinë. Këto mbetje do të vendoseshin në zonat ku hetuesit e Tribunalit të Hagës do të nisnin gjurmimet për hetimet rreth trafikimit të organeve njerëzore gjatë luftës në Kosovë. Shërbimet serbe kishin gjetur grupin e trafikantëve kosovarëve (një pjesë e të cilëve ishin arrestuar nga Policia e Kosovës më 23 korrik 2013 në qytete të ndryshme të Kosovës) për ta realizuar këtë plan të Serbisë që të sjellin “dëshmi” se në Kosovë është bërë trafikim i organeve. Për transportimin ilegal të një mbetjeje mortore shërbimi serb do të paguante 20 mijë euro. Bartja e tyre ishte planifikuar që të bëhet me veturat e ndihmës së shpejtë të spitalit rajonal të veriut të Mitrovicës, për të mos u dyshuar gjatë kontrollit kufitar nga policia dhe doganierët. Grupi i trafikantëve kosovarë ishin kontaktuar nga shërbimi serb, për të realizuar planin që përfundimisht 14 vjet pas përfundimit të luftës do të “gjendeshin dëshmi se gjatë luftës në Kosovë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) ka bërë trafikim me organe të civilëve serbë”. Serbët kishin ofruar para të majme për grupin e kosovarëve në këmbim të kontributit që ata do të jepnin me sjelljen e mbetjeve mortore serbe. Për më tepër, trafikantët nga Kosova kishin premtuar dëshmi shtesë se në Kosovë ka pasur trafikim organesh. “Gjatë bisedave të tyre, grupi nga Kosova i ka premtuar shërbimit serb se do të gjejnë edhe dëshmitarë të cilët pa problem do të dëshmonin rrejshëm nëse do të paguheshin mirë”, shkruante “Zëri”, duke iu referuar burimeve nga hetuesia vendore. Por jo vetëm shërbimet serbe kanë pasur interes për grupin e trafikantëve nga Kosova, shkruante gazeta, këta të fundit janë marrë vesh me shërbimin serb që t’i ndihmojnë gjatë transportimit ilegal të kosovarëve refugjatë që përmes territorit serb kanë dalë në Europë.
Për çdo ditë e më shumë po zbulohen fakte të reja që zbardhin përmasat e krimeve dhe gjenocidit që kanë kryer forcat okupuese, me theks të veçantë forcat e rregullta ushtarako-policore serbe në Kosovë, si masakrën e Rezallës, të Izbicës, të Terrnjes, të Abrisë, të Kralanit, të Lybeniqit, të Qyshkut, të Mejës, të Krushës së Madhe, të Krushës së Vogël, të Lugishtës së Hasit, Godenit, etj., të cilat, bazuar në dokumentet e publikuara ushtarake serbe i kanë drejtuar edhe gjeneralë që sot gjenden në krye të armatës së Serbisë; janë ofruar fakte se serbët kanë shkuar aq larg sa që me kafka të shqiptarëve të vrarë të bëjnë edhe llampa ndriçuese për tavolina; zyrtarë të lartë serbë pranojnë se Serbia ka shkuar aq larg sa për të arritur qëllimet serbomëdha të vrasë edhe fëmijët dhe të rinjtë serbë (kujto rastin e kafiterisë “Panda” në Pejë), por që nga e njëjta linjë kanë filluar edhe vrasjet e qytetarëve serbë në Kosovën e pasluftës (kujto rastin e vrasjes në masë në fshatin Grackë e Vjetër të Lypjanit, në korrik të vitit 1999); vet qytetarët serbë ofrojnë dëshmi për vrasjet e familjarëve të tyre nga forcat serbe të cilat më pas ia kanë vënë në barrë UÇK-së, vetëm pse u kanë ndihmuar fqinjëve të tyre shqiptarë por edhe kanë ditur shumë për krimet e bashkëkombësve të tyre serbë; në të gjitha proceset gjyqësore lidhur me krimet e luftës në Kosovë, e ashtuquajtura Gjykatë Speciale për krime të luftës e Serbisë, ka kryer vetëm procese formale gjyqësore ndaj individëve që nuk kishin përgjegjësi komanduese në formacionet e rregullta ushtarako-policore, duke tentuar ta shfajësojë shtetin serb nga përgjegjësia për gjenocidin dhe krimet e luftës në Kosovë, kur sipas dëshmive të bëra publike kohëve të fundit, vet prokuroria e kësaj gjykate speciale në vend që t’i mbrojë, i ka përndjekur, i ka persekutuar, i ka shantazhuar e madje edhe i ka vrarë dëshmitarët serbë, që kanë dëshmuar pranë kësaj prokurorie për krimet e luftës. Janë tepër qesharake dënimet që i ka shqiptuar kjo gjykatë për krimet që i kryen forcat serbe në Kosovë, qoftë për masakrën mbi familjen Berisha të Suharekës, qoftë për masakrën e Qyshkut, të Pavlanit e Zahaqit, etj.; me ç’rast të akuzuarit serbë nuk u dënuan as me nga një vit burgim për një banor të vrarë të këtë rajon. Megjithatë, askush deri më tani nuk e ka ngritur çështjen që këto raste të krimeve të luftës është dashur dhe duhet të trajtohen në vendin ku janë kryer krimet, pra në Kosovë, apo në ndonjë vend të tretë.
Të kthehemi sërish te “tribunali” i paralajmëruar për shqiptarët. Tashmë është banalizuar shprehja që po e dëgjojmë edhe këto ditë se “tribunali” nuk është i drejtuar kundër UÇK-së, kundër shqiptarëve, por kundër individëve! Të gjitha faktet e pasluftës flasin për të kundërtën. Është joparimore, joetike dhe jonjerëzore që të ketë kute të ndryshme për ndarjen e drejtësisë. Në njërën anë të bëhen përpjekje për mohimin dhe minimizimin e skajshëm të krimeve që i kryen forcat pushtuese serbe mbi popullin shqiptar të Kosovës e në anën tjetër, një rast sekektiv, faktikisht një rast joekzistencial i palës shqiptare që bëri luftë mbrojtëse duke respektuar të gjitha konventat ndërkombëtare, të ngritet artificialisht për trajtim në nivel ndërkombëtar.
Të gjitha kushtet dhe parakushtet për gjykime të krimeve të luftës në Kosovë të çfarëdo niveli qofshin janë të favorshme. Meqenëse EULEX-i, që siç duket edhe pas muajit qershor, nuk do të zhveshet nga kompetencat ekzekutive, si një mekanizëm ndërkombëtar që iu referon njëkohësisht edhe BE-së edhe OKB-së vazhdon ta ketë ekskluzivitetin mbi rastet e krimeve të luftës, shtrohet pyetja për çfarëdo rasti që të jetë fjala ç’nevojë ka që të formohet tribunal ndërkombëtar me seli në tri shtete, apo vetëm për t’ia bërë qejfin Bruno Vekariqit e Serbisë? Është e paarsyeshme dhe e papranueshme ngritja e një tribunali vetëm për UÇK-në. Bazuar në faktet reale, nëse ka drejtësi, asnjë ish-luftëtar i UÇK-së nuk ka pse t’i frikësohet asnjë gjykate, asnjë tribunali, sepse UÇK-ja, ju ka përmbajtur të gjitha konventave ndërkombëtare. Me amnisti për krimet serbe të luftës e të pasluftës (madje edhe me miratime ligjesh të veçanta) e me organizim të gjykimeve për raste të fabrikuara kundër shqiptarëve, shtrohet pyetja kah tenton të shkojë bashkësia ndërkombëtare? Nuk mund të ketë tribunal mbi tribunal, dhe atë vetëm për shqiptarët, si të vetmit në rajon, edhe pse krimet e pretenduara që i vëhen në barrë UÇK-së qoftë në përmbajtje, qoftë në numër janë të papërfillshme në raport me agresorin serb që u amnistua nga përgjegjësiapër gjenocidin e kryer në Kosovë, dhe nuk ka asnjë dëshmi faktike që do të dëshmonte se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë krime kundër civilëve serbë. Tribunali i Hagës e ka dhënë verdiktin për serbët, për shqiptarët e të tjerët. Po ashtu, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka dhënë verdiktin e saj. Nëse duhet themeluar gjykatë le të jetë ajo gjykatë që do të vepronte në kuadër të sistemit të drejtësisë së Republikës së Kosovës dhe do të trajtonte të gjitha rastet e krimeve të luftës pa dallim, gjithsesi me seli në Kosovë e jo diku tjetër, sepse janë qindra-mijëra raste të krimeve të luftës që kërkojnë drejtësi, por jo trajtim paragjykues e selektiv në baza etnike, por që përgjithësisht kërkojnë trajtim objektiv, kërkojnë drejtësi e jo padrejtësi të reja, madje edhe me lënie në harresë. Është e padrejtë dhe jonjerëzore që për çfarëdo qëllimi apo arsyeje të tentohet të barazohet xhelati me viktimën, apo të amnistohet xhelati e të fajësohet viktima, siç po ndodh në rastin konkret.