Më 26 shtator 1998, në fshatin Abri të Epërme, njëmbëdhjetë kilometra në perëndim të Drenasit (ish-Gllogovcit), forcat ushtarako-policore serbe i ekzekutuan nga afërsia, duke i masakruar 23 anëtarë të familjes Deliu, shumica prej tyre fëmijë, gra e pleq edhe të palëvizshëm. Një ditë më parë, më 25 shtator 1998, anëtarët e familjes Deliu ishin larguar nga shtëpitë e tyre dhe ishin strehuar në malin e afërt për të shpëtuar nga sulmet serbe. Të nesërmen, në vendstrehimin e tyre depërtuan njësitet e këmbësorisë serbe, të cilat kryen masakrën e tmerrshme, duke i vrarë e masakruar civilët shqiptarë, pa dallim moshe e gjinie, që nga foshnja në bark të nënës e deri te pleqtë 94-vjeçarë. Aty u ekzekutuan: Luljeta Deliu (1971), në muajin e nëntë të shtatzënisë, barkun e kishte të prerë plotësisht; Valmir Adem Deliu (1996), me plagë të shumta, i përgjakur i tëri, me biberon në qafë; Pajazit Deliu (1929), u gjet me fyt të prerë dhe me tru të nxjerra jashtë; Fazli Deliu (1904), i djegur e i bërë shkrumb; Ali Deliu (1930), i prerë në fyt me thikë, të cilën ia kishin ngulur në kraharor; Havë Deliu-Elshani (1936), Adem Deliu (1965), Zeqir Deliu (1954), Jeton Deliu (1988), Halime Deliu (1938), Lumnije Deliu (1969), Menduhije Deliu (1993), Mihane Deliu (1943), Donjeta Deliu (1991), Zahide Deliu (1971), Habib Deliu (1944), Hysen Deliu (1946), Sherif Deliu (1931), Hajriz Deliu (1964), Gentijana Deliu (1990). Dy vajzat e mitura të familjes Deliu, Antigona Deliu (1984) dhe Mihane Deliu (1982), u gjetën të masakruara pak më larg vendit të ekzekutimit, më 4 tetor 1998. Ato, sipas dëshmitarëve, para së të vriteshin e të masakroheshin i kishin përdhunuar. Po ashtu, foshnja 6-javëshe që i mbijetoi masakrës, Diturie Imer Deliu, e cila u gjet e gjallë, e tëra e mbuluar në gjak, në gjirin e nënës së masakruar, Lumnijes, vdiq më 19 nëntor 1998.
Urdhëresa konfidenciale e Komandës 125 të Brigadave të Motorizuara të ushtrisë së Serbisë, nr. 4370-1, e datës 21.9.1998, e nënshkruar nga komandanti Dragan Zhivanoviq, dhe regjistri i shifrimeve që forcat serbe i kanë përdorur në ofensivën e filluar që nga 22 shtatori i vitit 1998 kundër fshatrave të Drenicës, nxjerr në pah përgjegjësit për masakrat e tmerrshme që janë kryer në këtë periudhë të luftës në këtë anë, pra edhe përgjegjësit e masakrës së tmerrshme të kryer kundër Familjes Deliu në Abri të Epërme. Zhivanoviq, nëpërmjet urdhëresës së lartpërmendur i njofton Brigadat 1, 3 dhe 4 të Komandës së Brigadave të Motorizuara të UJ-së, lidhur me shifrimet konfidenciale që do t’i përdorin formacionet përkatëse ushtarake dhe policore të Serbisë, në operacionin e shifruar “ÇIÇAVICA”, i cili filloi më 22 shtator 1998, kundër fshatrave të rajonit të Drenicës. Regjistri i shifrimeve dëshmon pjesëmarrjen në këto krime të ushtrisë jugosllave-serbe, përkatësisht të formacioneve ushtarake të Korpusit të Prishtinës, formacioneve të Brigadës 15, formacioneve të Brigadës 243 të Motorizuara; formacioneve të Brigadës 125 të Motorizuar, Brigadës 549, si dhe të formacioneve policore dhe njësiteve të specializuara të PJP-së dhe të SAJ-it të Serbisë.
Po ashtu, trembëdhjetë vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, Sllobodan Stojanoviq, oficer i policisë, pjesëtar i Çetës së IV-të të Detashmentit 37 të Njësive të Policisë Speciale të Serbisë (PJP – Posebne Jedinice Policije), ka dëshmuar për krimet monstruoze të forcave serbe kundër civilëve shqiptarë dhe robërve gjatë luftës në Kosovë, përkatësisht të anëtarëve çetës që i përkiste edhe vet, e cila komandohej nga Nenad Stojkoviq, dhe kryesisht përbëhej nga policë serbë nga Leskovci, pjesëmarrës në krimet e luftës në Kosovë që nga marsi i vitit 1998 e deri në përfundim të luftës, por edhe në Bosnjë. Sipas tij, kjo çetë e PJP-së kishte marrë pjesë edhe në “spastrimin e terrenit” në Abri të Epërme. Stojanoviq, edhe vet pjesëmarrës në këto operacione ndëshkimore ka dëshmuar se “ata vrisnin fëmijë, gra, burra, pleq, barinj, dele…, vrisnin çdo gjë që lëvizte”. Duke folur për “spastrimin e terrenit”, Stojanoviq, thotë se së pari bombardoheshin fshatrat nga largësia, e pastaj depërtonin njësitet e policisë, të ushtrisë e paramilitarëve serbë, siç merreshin vesh ndërmjet vete komandantët e njësive. Duke folur për plaçkitjet, shkatërrimet e pronave dhe të bagëtisë, si dhe vrasjet mizore të civilëve, ndër të tjera ka deklaruar se në Gllogoc, para nesh kalonte ushtria, e cila që në mëngjes gjuante në fshatrat kodrinore me raketa, ndërsa vrisnin gjithçka që lëvizte. “…Tek më vonë pashë tmerrin, trupa të masakruar, shtëpi të djegura nga shpërthimet. Nuk mund të besoja se kjo mund të ndodhte. Ndodhte pa asnjë veprim luftarak, pa asnjë justifikim për çdo përdorim të forcës…” (Shih gjerësisht dëshminë e oficerit Stojanoviq në http://www.e-novine.com/srbija/srbija-tema/93649-Ubijali-decu-ene-starce-obane-ovce.html)
Ndonëse kanë kaluar 18 vjet nga kjo masakër e tmerrshme, deri më tani askush nuk është përgjigjur para drejtësisë për masakrën në Abri të Epërme. Kjo masakër nuk u përfshi fare as në aktakuzat e Tribunalit Ndërkombëtar të Hagës, të ngritura kundër udhëheqësve të lartë shtetërorë, ushtarakë e policorë të Serbisë. Përkundrazi, kryesit e kësaj masakre të tmerrshme kundër civilëve shqiptarë dhe robërve të luftës, si dhe të tjerave si kjo, gjenden në pozitat më të larta shtetërore të Serbisë.