I ashtuquajturi Drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, paska thënë se shqiptarët jetojnë në iluzionin se imazhi ndërkombëtar i lidhur me Kosovën është ai i njëjti i vitit 1999, kur mbi qiellin e Serbisë fluturuan aeroplanët e NATO-s, duke pretenduar se bota nuk është e njëjtë si në vitin 1999!
Është pikërisht e kundërta! Mbase, Serbia për shkak se i tërë aparati i tanishëm shtetëror i Serbisë ishte pjesë e aparatit gjenocidal të Sllobodan Millosheviqit, që i latë në gjak të gjithë popujt joserbë të ish-Jugosllavisë, duke ëndërruar “Serbinë e Madhe” dhe ju është ngatërruar ç’kohë është, ndaj po bëni përpjekje në të gjitha mënyrat, që me falsifikime, të pavërteta e shpifje ta nxini imazhin e Republikës së Kosovës.
Shqiptarët janë të vetëdijshëm për kohën, gjithnjë kanë qenë, vetëm se tash ata që ishin fëmijë dhe që e panë tmerrin me sy tashmë janë rritur, janë bërë 20 e 30 vjeçar, nuk e harrojnë gjenocidin serb, nuk harrojnë se më shumë së 26 mijë fëmijë mbetën jetimë pa prindër, gati gjysma prej tyre pa të dy prindërit, ndaj gjeneratat që e përjetuan luftën e tmerrshme nuk e përfillin statusin e robit, statusin e të nënshtruarit për asnjë çmim! Këtë duhet ta ketë parasysh gjithsecili në Serbi, në Kosovë e më gjerë!
Po edhe Serbia sa të ekzistojë, nuk do ta harrojë 1999-tën, kur edhe pse kishte mbi 700 mijë forca pushtuese në Kosovë, gjithë arsenalin dhe makinerinë moderne luftarake të ish-Jugosllavisë, që e zinte vendin e tretë në Europë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e mbështetur nga SHBA dhe aleatët e tjerë të NATO-s e mundën keq!
Bota nuk e ka harruar 1999-tën! Këtë e pamë edhe më 22 qershor 2018, kur shqiptarët e formacionit të Zvicrës e mundën Serbinë në mes të Rusisë. Mjaftuan dy shqiponja shqiptare që të shfaqen triumfalisht në Rusi dhe krahas fitores së tyre, në çdo anë të botës të kthehet në faqet e para të medieve ndërkombëtare viti 1999, si VIT I MBIJETESËS SË SHQIPTARËVE, vit i KAPITULLIMIT TË SERBISË, pas mizorive të tmerrshme dhe përpjekjeve për shfarosjen e një populli të tërë nëpërmjet dëbimit dhe gjenocidit shtetëror të Serbisë okupuese!