Që nga përfundimi i luftës, strukturat e Serbisë kanë vepruar në Kosovë, herë më pak e herë më shumë, duke kryer edhe akte të ndryshme terroriste jo vetëm ndaj shqiptarëve, por edhe ndaj vet serbëve në momente të rëndësishme, sa herë që ka qenë në agjenda ndërkombëtare çështja e Kosovës, varësisht prej direktivave që ua ka dhënë Beogradi, qoftë edhe në rastin e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Aktet e tilla dhe të tjera sa e sa herë Beogradi zyrtar ka tentuar t’i përdorë për trazira dhe destabilizimin e Kosovës.
Kohëve të fundit janë shtuar kërcënimet e Serbisë në drejtim të Kosovës, edhe për vet faktin kur dihet se viti 2018, është dhjetëvjetori i Pavarësisë së Kosovës dhe po ashtu bashkësia ndërkombëtare ka parashikuar që të jetë vit kur do të përmbyllen çështjet e hapura në rajon, prandaj Serbia e ka filluar një ofensivë të shumanshme politike, diplomatike dhe kërcënimet ushtarake që të përfitojë nga situata, gjithnjë duke e përdorur edhe kërcënimin rus ndaj Evropës, për zhbërjen e çdo elementi shtetëror të Republikës së Kosovës.
Kërcënimi më i fundit ushtarak erdhi nga Shefi i Shtatmadhorisë së Ushtrisë së Serbisë, gjenerali Lubisha Dikoviq, i cili pos tjerash kërkoi që ushtria serbe të pajiset me sistemin raketor që zhvillon luftë në largësi prej më se 400 kilometrash, për të arritur çdo cak të Kosovës, është kërcënim direkt ndaj sigurisë dhe sovranitetit të vendit tonë. Edhe pse Dikoviq, është i akuzuar për vrasjet dhe masakrimet e mbi 1400 civilëve shqiptarë nga rajoni i Drenicës, për fshehjen e gjurmëve të krimeve në varrezën masive të Rashkës etj., por është mbrojtur fuqishëm nga shteti serb, asnjëherë nuk ka dhënë llogari dhe asnjëherë nuk i ka ndalur kërcënimet në drejtim të Kosovës.
Dihet se pjesa veriore e Mitrovicës, ka kohë që është shndërruar në oazë për kriminelët serbë të përndjekur edhe në Serbi, dhe ka pasur qërim të hesapeve ndërmjet veti, por në shumicën e rasteve vrasësit janë identifikuar dhe arrestuar menjëherë. Meqenëse që çdo rrugë e lagjeve në pjesën veriore të Mitrovicës, ka vite që është e monitoruar me kamera të sigurisë gjatë 24 orëve, pra edhe vendi ku ka ndodhur vrasja, dëshmitë për vrasjen e Ivanoviqit nuk mund të mungojnë, pasi që edhe patrulla e policisë ishte jo më larg se 70 metra nga vendi ku ndodhi krimi.
Vrasja e Oliver Ivanoviqit nuk ka ndodhur rastësisht dhe nuk është zgjedhur rastësisht si cak, është e ngjashme me vrasjen e gjashtë të rinjve serbë, në kafenenë “Panda” në Pejë, në dhjetor të vitit 1998, por edhe me vrasje të tjera nga radhët e komunitetit serb, të kryera gjatë dhe pas luftës, të cilat Serbia i ka përdorur për t’u paraqitur në rolin e viktimës. Dihet botërisht se tash e katër vjet Oliver Ivanoviqi ka qenë kundërshtar i klasës politike aktuale të Serbisë, e cila e ka kërcënuar e sulmuar disa herë dhe e ka trajtuar me mospërfillje, ndonëse që nga viti 1999 e deri në atë kohë ishte politikani më i rëndësishëm dhe më me ndikim nga radhët e pakicës serbe në Kosovë.
Beogradi zyrtar, me vrasjen e Oliver Ivanoviqit ka pasur përfitime të shumëfishta:
Me vrasjen e Ivanoviqit e ka hequr qafe një nga kundërshtarët e klasës aktuale politike të Serbisë;
E ka mbyllë kapitullin e shumë krimeve të luftës dhe të pasluftës që kanë ndodhur ndaj shqiptarëve në Mitrovicë e më gjerë, si dhe të krimit të organizuar, duke e eliminuar edhe në cilësinë e njërit prej dëshmitarëve të rëndësishëm në rast të bashkëpunimit me drejtësinë ndërkombëtare, përkatësisht me Gjykatën Speciale;
Është liruar nga një eksponent që ka udhëhequr me “Rojat e Urës” për pesëmbëdhjetë vite me radhë dhe që e kërcënuar haptazi Beogradin zyrtar se do të flasë për të bëmat e politikanëve të Serbisë.
Në anën tjetër, Beogradi sërish e luan rolin e viktimës. Por, pak a shumë, edhe pakica serbe në Kosovë ka filluar të vetëdijesohet se Beogradi sa e sa herë i ka keqpërdorur dhe viktimizuar ata për të arritur qëllimet e veta politike. Në këtë aspekt, duhet përmendur deklarimin e ish-deputetes së Kuvendit të Kosovës, nga radhët e pakicës serbe në Kosovë, Rada Trajkoviq, i bërë për mediet serbe menjëherë pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit, e cila ka theksuar se “është e qartë se po kthehet koha e Ivan Stamboliqit”, gjë që nënkupton vrasjet politike të serbëve në mes vete. (Për të gjithë ata që nuk e dinë, ish presidenti i Serbisë, Ivan Stamboliq, me urdhër të Sllobodan Millosheviqit dhe bashkëpunëtorëve të tij, ishte rrëmbyer natën dhe ishte vrarë në gusht të vitit 2000, nga pesë pjesëtarë të Njësitit për Operacione Speciale (JSO). Mbetjet e eshtrave të tij u gjetën vetëm në mars të vitit 2003, pas vrasjes së kryeministrit të Serbisë, Zoran Gjingjiq, nga i njëjti njësit).
Se Kosova mund të jetë e rrezikuar nga aktet terroriste, sidomos në pjesën veriore të saj, ka pasur paralajmërime kohëve të fundit, edhe para se të ndodhte vrasja e Ivanoviqit, ku duhet përmendur njoftimet për veprimet e hapëta të njësiteve ushtarake serbo-ruse në pjesën veriore të Kosovës. Prandaj, nuk do të mungojnë tendencat e Serbisë për ta përdorur vrasjen e Ivanoviqit për të ndërmarrë një fazë të re për destabilizimin e Kosovës, por se në këtë drejtim nuk do të ketë sukses, sepse adresa e kësaj vrasjeje është e qartë dhe nuk mund të tjetërsohet – atë duhet kërkuar në Beograd.
Fetnete Ramosaj, njohëse e çështjeve të sigurisë dhe autore e disa librave për çështjet e sigurisë dhe krimet serbe gjatë luftës në Kosovë.