Duke qenë nga gjuhët më të vjetra në botë, pavarësisht se daton e shkruar shumë vonë, gjuha shqipe është ruajtur dhe pasuruar nga rilindësit tanë të mëdhenj (se mos i ngatërroni me rilindësit e sotshëm), si shenjë e mbijetesës së kombit. Gjuha shqipe u ka qëndruar pushtimeve shekullore, u ka bërë ballë përpjekjeve të armiqve të kombit, për ta ç’bërë, për ta sakatuar, për ta shuar fare.
Por atë që s’e kane arritur ta bëjnë pushtuesit, e kanë bërë vetë shqiptarët, këta patriotë në thonjëza, që e shprehin këtë patriotizëm, shqip atdhetarizëm, vetëm të ndonjë gol të skuadrës sonë në ndeshjet e futbollit, ose te druani po në stadium.
Ndërsa shqipja në shekuj ka përballuar agresionin e turqishtes, greqishtes dhe serbishtes, duke shmangur fjalët e huaja, dhe në rastin më të keq, duke mbishtrësuar një kuptim ironizues e tallës ( fytyrë – surrat), sot me vetedije, madje dhe mburrje futën në gjuhë fjalë e shprehje të huaja të panevojshme. Vini re, “shumicës” në Kuvend i thonë “mazhorancë”, po pakicës nuk i thonë “minorancë”? Se “mazhorancë” ka një tingëllim kumbues, por “shumica” është thjeshtë shqip dhe ka një tingëllim më të ëmbël.
Një ambasador më pyeti dikur për një deputet me mbiemrin “Xhana”.
-Nuk ka të tillë, i them, po ku e ke dëgjuar?
-Nga zonja Topalli, ma ktheu.
-Është Gjana, qesha unë, po ajo e shqipton Xhana…
Njoha disa të rinj patriotë, që këndonin “o sa mirë me ken shqiptar”. M’u paraqitën (prezantuan) me emrat e tyre: Xhersinjo, Domenika, Izaura, Salmonela, shkurt Nela dhe vetem dy prej tyre kishin emra të shqipes; Ermal dhe Valdete.
Pyeta në një zyrë të gjendjes civile, gati 90 për qind e fëmijëve pagëzohen me emra të huaj. Hyra në një disko(?) me muzike “live”(?) Dhe m’u shurdhuan veshët me këngë të huaja. I thashë një plake aty rrotull, mamaja e pronarit, ta ulnin pak muzikën, “ok” ma bëri plaka, duke ngritur gishtin e madh.
Një ditë shkova të varrezat dhe në një pllakë varri lexova: “Saramontiela Gjelosh Preng Lleshi”. Në një pllakë tjetër “Domenika Pilafi” dhe ngjitur me të “Izaura Baklava”.
Futesh në një ëmbëltore (pastiçeri), edhe emrat e ëmbëlsirave tradicionale i kishin kthyer ne italisht.
Kalo nga i ashtuquajturi “Bllok”, të gjitha tabelat emërtuese shkruar në gjuhë të huaj, a thua se je në mes të Parisit. U marrshim të keqen francezëve, se ata e kanë të ndaluar t’u vënë emërtime të huaja kafeneve apo ndërmarrjeve të tyre. Këtyre me demek patriotë duhet t’ua vërë me detyrim shteti, ose bashkia, të shkruarit shqip të tabelave.
Kosova mbetet një shembull për t’u marrë për emrat e njerëzve dhe vendeve. Që në autostradë shkruan “Pushimore”, më tej, farmacinë e emërtojnë “Barnatore”, pastiçerinë “Ëmbëltore”…
Emrat e burrave dhe grave: Saranda, Vlora, Drini, Korabi, Berati, Miloti, Shkodrani…
Por dhe aty ka një problem të ri. Ka një hendek të madh mes prirjes që kanë për të ruajtur emrat që dëshmojnë identitetin e tyre dhe një papërgjegjshmëri në krijimin e disa zhargoneve në komunikimin publik dhe në portalet e tyre, që po i çon shumë larg shqipes. Në thelb është një mungësi kulturore, që maskohet me një lloj refuzimi politik ndaj standardit të shqipes. A thua se Prof. Idriz Ajeti, apo Prof. Rexhep Qosja, nuk e dinë gjuhën e katundit të tyre, ndaj nuk e flasin në publik.
Nga ana tjetër, jam kurioz të di, se si quheshin emrat e vendeve (toponimet) para se t’i pagëzonin sllavët, para 13 shekujsh, si Pogradeci, Çorovoda, Zagoria, Bistrica, Novosela… Se vendasit nuk besoj t’i kishin lënë pa emra, malet, lumenjtë, qytetet e fshatrat ku banonin.
Fakti që i kanë harruar shpejt tregon rrezikun që vjen nga deformimi i gjuhës dhe zëvendësimi i saj me zhargone rrugësh që ndeshen tani në mënyrë të rëndomtë dhe në fjalorin e shumë të ashtuquajturve, gazetarë apo njerëz publik.
Kur flas për nevojën që gjuha të jetë e pastër, nuk mund të refuzoj futjen në gjuhën shqipe të gjithë emrave të huaj, veçanërisht ato që kanë hyrë me sendin a mallin e tregtuar, si frigorifer, autokombanjë, tank, raketë, robot, pilot etj. Se “pilot” ka hyrë me gjithë “aeroplan” këtu, ku nuk ka patur fjalët respektive në shqipe.
Por ato që kanë kuptimin përkatës në shqipen, është krim gjuhësor t’i përjashtosh dhe të huazosh një tjetër.
Le të marrim disa fjalë më të përdorshme sot në politikë: “event” është “ngjarje”; “direkt” është “drejtpërdrejt”, “aprovim” është “miratim”, “bosh” – “i zbrazët” etj…
Po ashtu ngjan i kotë mundimi për të zëvendësuar një fjalë të huaj me një shqip të pagjetur. Siç ka ndodhur me atlasin e anatomisë, ku fjala “klavikul” shqipërohet me “parzmorkularthorthimthak”.
Në gjuhën e shkruar nëpër gazeta dhe revista, po edhe në programe televizive, shumë fjalë të huaja shkruhen si në anglisht, apo frëngjisht. Harrohet që ka një rregull, që në këtë rast mund të quhet dhe ligj gjuhësor, që emrat e përveçëm të huaja shkruhen siç shqiptohen në gjuhën shqipe.
Shkruhet Nju Jork dhe jo New Jork, Shekspir dhe jo Shekspeare…
Për shkelësit e ligjeve ka kontroll, ka Kod Civil e Penal, ka gjoba e dënime të tjera.
Edhe për një rrip makine, që ti s’e vë, gjobitesh rëndë. Po për shkelësit e rregullave të gjuhës kush kujdeset?
Ndaj duhen ngritur struktura shtetërore në mbrojtje të gjuhës amtare, ashtu siç mbrohen monumentet e kulturës, vazot antike prej balte, apo gurët e kalave të kategorisë së parë. Sepse gjuha është më e rëndësishme, si shenjë e identifikimit të një kombi. Dhe kur ne themi që ne jemi pasardhës të ilirëve, krye argumenti shkencor që kemi dhe që i është pranuar dhe Prof. Eqrem Çabejt në konferenca ndërkombëtare, është analiza dhe krahasimi gjuhësor i emrave të njerëzve (onomastika) dhe emrat e vendeve (toponomastika). Ajo është metodologjia shkencore për njohjen dhe përcaktimin e vazhdimësisë iliro – shqiptare në këto troje.
Kjo tani është e rrezikuar jo nga debati shkencor, por nga agresioni i injorancës mbi gjuhën shqipe. Këtë duhet ta ndalim! (Dita)