Në qytetin e Malishevës ka filluar asfaltimi i rrugës që lidhë tri lagje dhe e cila do të shërbejë si rrugë transite për ngasësit e veturave. Ndërtimi dhe asfaltimi i kësaj rruge, është njëri prej projekteve më me rëndësi për qytetin e Malishevës, sa i përket infrastrukturës rrugore, pasi krahas lidhjes së lagjeve, do të mundësoj edhe shkarkimin e qytetit nga numri i madh i veturave, sidomos gjatë stinës së verës.
Në fillimin e asfaltimit të kësaj rruge, ishin prezent edhe Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj dhe drejtori i urbanizimit, Ahmet Morina, të cilët u ndanë të kënaqur me ecurinë e deritanishme të punimeve në rregullimin e kësaj rruge, e cila shumë shpejt do të jetë e gatshme për qarkullim.
“Derisa të ndërtohet rruga transite, kjo rrugë do të luaj këtë funksion për të gjithë ngasësit e veturave, të cilët mund ti ikin tollovisë në qytet, sidomos në sezonin e verës, ku numri i veturave është shumë i madh. Qëllim i yni është sigurimi më i lehtë i lëvizjes për të gjithë qytetarët apo ngasësit e veturave dhe nga tani, kjo rrugë do të krijojë lehtësi për ngasësit, pasi mund ta shfrytëzojnë këtë rrugë, si një alternativë për ti ikur tollovisë brenda qytetit”, tha kryetari Begaj.