Filloi ndërtimi i rrugës që lidh dy lagje në Drenoc të Malishevës

Në fshatin më të madh të Komunës së Malishevës, në Drenoc, ka filluar hapja e rrugës që lidhë dy lagje të këtij fshati, lagjet Latifaj dhe Lacaj. Në fillimin e punimeve, krahas banorëve të shumtë dhe udhëheqjes së fshatit, morën pjesë edhe drejtori i urbanizimit, Ahmet Morin, drejtori i shërbimeve publike, Milazim Morina, drejtoresha për kulturë, Blerta Krasniqi dhe anëtarja e KK të Malishevës, Arbëresha Krasniqi. “Ne jemi të përkushtuar që të investojmë në projekte të cilat lidhen drejtpërdrejtë me jetën dhe mirëqenien e qytetarëve të komunës së Malishevës, andaj edhe kemi filluar me ndërtimin e dy segmenteve të rrugëve, njëra që lidh dy lagjet dhe tjetra brenda lagjes Lacaj”, tha drejtori i urbanizimit Ahmet Morina. “Kemi investuar dhe po bëjmë disa investime në Drenoc, si vendbanimi më i madh në Komunën e Malishevës, dhe këto investime janë në infrastrukturë, por sot unë mund të them lirisht, se të gjitha rrugicat në fshatin tuaj do të asfaltohen, për ta kompletuar infrastrukturën në fshat”, tha Ahmet Morina, drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit në komunën e Malishevës. Fshati Drenoc, është vendbanimi më i madh në Komunën e Malishevës, ndërsa disa nga lagjet janë larg njëra tjetrës. Banorët e lagjeve Latifaj dhe Lacaj, i bëjnë disa kilometra për të shkuar nga lagjja në lagje, ndërsa me hapjen dhe rregullimin  e rrugës, deri në asfaltim, largësia mes lagjeve do të shkurtohet dukshëm dhe qarkullimi mes tyre do të jetë shumë më i lehtë. Kjo rrugë ka një gjatësi prej rreth 1200 metra, ndërsa rruga tjetër në lagjen Lacaj, ka një gjatësi prej rreth 400 metra, dhe ndërtimi i këtyre rrugëve, financohet nga buxheti komunal i Malishevës.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …