Filloi rehabilitimi i ujësjellësit në Astrazup të Malishevës

Sot në Astrazup të komunës së Malishevës, kanë filluar punimet në rehabilitimin e ujësjellësit. Ky projekt që filloi sot të realizohet është në kuadër të projektit të gjerë për rehabilitimin e ujësjellësve në njëmbëdhjetë vendbanime të Komunës së Malishevës. Projekti realizohet krahas projektit tjetër të ujësjellësit të ri për rreth 13 fshatra. Këto dy  projekte të mëdha, financohen dhe implementohen nga qeveria zvicerane, si donator kryesor, njësia e Hidroregjionit jugor dhe Komuna e Malishevës.

Rehabilitimi i ujësjellësit që filloi sot në Astrazup, është me rëndësi jetike për banorët e këtij fshati të madh në Komunën e Malishevës, pasi kanë mungesë të theksuar të ujit për pije, kurse ujësjellësi i ndërtuar më herët, është tërësisht jashtë funksionit, por nga sot, banorët e Astrazupit, janë të sigurt që brenda pak kohe do të kenë ujë të mjaftueshëm për pije, sepse me rehabilitimin e gypave të ujësjellësit dhe rehabilitimin e rezervuarit, problemi i furnizimit me ujë do të zgjidhet përfundimisht.

Me rastin e fillimit të punimeve në rehabilitimin e ujësjellësit në Astrazup, morën pjesë Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, drejtori i urbanizimit, Ahmet Morina, përgjegjësi i njësisë së Hidroregjionit jugor në Malishevë, Njazi Bytyçi, të cilët i kanë uruar banorët për realizimin e këtij projekti.

“Sigurimi i ujit për pije, është diçka elementare dhe jetike për banorët e Astrazupit dhe unë sot ju përgëzoj të gjithëve, pasi arritëm të sigurojmë këtë projekt, i cili do të zgjidh përfundimisht problemin jetik për juve”, tha mes tjerash kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj.

Punëkryes i këtij projekti është  kompania “Muratori”.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …