Filloi zbrazja e zemërimit të popullit ( koment i Radios-Kosova e lirë)

Protesta e 10 shkurtit 2007, organizuar nga Lëvizja “Vetëvendosje” dhe e përkrahur nga mijëra shqiptarë liridashës të vendit tonë, shënoi fillimin e zbrazjes së zemërimit gjithëpopullor, të grumbulluar qysh prej qershorit të vitit 1999.

Afër tetë vjet, qytetarët liridashës të Kosovës, ndodhen në ankthin e pritjes së përkufizimit të statusit. Tetë vjet u mbajt ky popull me premtime, madje edhe pas luftës çlirimtare e fitimtare të UÇK-së kundër regjimit hegjemonist, kriminal dhe kolonialist serb.
Premtimeve e tilla të shumë politikanëve tanë të papërgjegjshëm ua çori maskën “pakoja” e Ahtisarit, e cila nxori në shesh, jo propozimin për pavarësinë e Kosovës nga Serbia, por pavarësinë e plotë të serbëve në Kosovë. Përmbajtja e kësaj pakoje rregullon, pozicionon, saktëson dhe merr në përkujdesje vetëm prosperitetin dhe të ardhmen e entitetit serb, të komunave serbe, të kishave dhe manastireve, duke i përmbushur të gjitha kërkesat e pakicës serbe, madje edhe ato kërkesa antiqytetëruese, me përmbajtje nga historia e mitizuar dhe e djallëzuar e së kaluarës.
Anashkalimi i kërkesave të ligjshme të shqiptarëve për liri dhe pavarësi, propozimi për shpërbërjen e tërësishme të TMK-së, propozimi për krijimin e simboleve multietnike serbo-shqiptare, kantonizmi dhe enklavizimi i Kosovës dhe shumë propozime të tjera, të cilat degradojnë në tërësi kërkesat e ligjshme dhe të natyrshme të më shumë se 2 milionë shqiptarëve të Kosovës, si dhe shkaqe të tjera të panumërta, bënë që ky mllef e zemërim i popullit të derdhet edhe kësaj radhe nëpër rrugët e kryeqytetit tonë. Dhe për pasojë, ranë edhe dy martirë, morën plagë të rënda dhe të lehta rreth 80 demonstrues, u plagosen madje edhe disa policë të SHPK-së, meqë revolta u zhvillua fyt për fyt.

Kreu i “Vetëvendosjes”, lëvizje kjo paqësore e jo e dhunshme, nuk kishte arritur ta ndalonte zemërimin e protestuesve, meqë rrugët e Prishtinës ishin mbushur përplot me përkrahës të mllefosur e të irrituar, të ardhur nga të gjitha qytetet e vendit.
Protestuesit hidhnin parulla kundër “Ekipit të Unitetit”, kundër “pakos” së Ahtisarit, kundër politikave mashtruese, kundër shpërbërjes së TMK-së. Ata brohorisnin për UÇK-në, për vetëvendosjen, për pavarësinë e Kosovës. Mllefi dhe zemërimi u rrit, sidomos atëherë kur kordonet e policisë treguan gatishmërinë për të vepruar me urdhër nga lartë, që akordoi edhe me çastin kur protestuesit po bënin përpjekje të drejtoheshin drejt institucioneve.
Duke përjashtuar protestën e 28 Nëntorit, të Lëvizjes “Vetëvendosje” e cila ishte orientuar edhe fizikisht kundër UNMIK-ut dhe kundër disa institucioneve, në protestat e mëhershme të kësaj “Lëvizjeje” ka marrë pjesë një numër simbolik i qytetarëve, për shkaqe tashmë të njohura.
Protesta e 10 shkurtit, erdhi në kohën e duhur, në kohën pasi kishin dalë në shesh të palarat e politikës së “Grupit të Unitetit”, dhe në kohën kur tashmë doli në sipërfaqe, e liga e tmerrshme, që po i përgatitet popullit shqiptar në përgjithësi, e shqiptarëve të Kosovës në veçanti.
Në një kohë të tillë, kur të gjithë politikanët tanë, pa dallim, si në Prishtinë, në Shkup dhe në Tiranë kanë përkrahur “pakon” e Ahtisarit, dhe kur shqiptarët liridashës, tashmë janë njoftuar me përmbajtjen e kësaj “pakoje”, në kohën kur doli në shesh hipokrizia dhe strategjia e fuqishme e qarqeve të huaja serbe, e pro serbe, kundër ardhmërisë së Kosovës, doemos se mllefi e zemërimi pret vetëm shkëndija. Ato shkëndija dje i ndezi “Vetëvendosja”. Se, a i ka ndezur me kohë, apo jo, këto shkëndija, do të dëshmojë koha që kemi përpara.

Protesta e 10 shkurtit nxori në sipërfaqe pakënaqësinë, urrejtjen dhe mllefin e papërmbajtur të qytetarëve shqiptarë të Kosovës. Ajo la një porosi të qartë për të gjithë politikanët e Prishtinës, të Shkupit dhe të Tiranës, të cilët pranuan pa asnjë rezervë dokument-propozimin e Ahtisarit për të ardhmen e errët dhe të pasigurt të vendit tonë. Dhe kjo porosi tashmë është e qartë, për të gjithë ata, që kanë marrë ndonjë mësim nga kjo revoltë.
Nuk është kjo porosi vetëm e Albin Kurtit, apo e Adem Demaçit, të cilët qysh moti janë identifikuar si opozitarë të grupimeve aktuale politike të vendit tonë. Tash e tutje kemi të bëjmë me një realitet të ri, i cili do të nxjerrë në sipërfaqe tërë pakënaqësitë e masave të gjera popullore, jo kundër KFOR-it e UNMIK-ut,( sepse lufta kundër këtyre forcave nuk mund të fitohet, qoftë edhe me mjete të dhunës), por kundër matrapazëve tanë, kundër politikanëve të dështuar, kundër të gjithë atyre, që shkelen gjakun e derdhur për liri e pavarësi, kundër atyre që zhvaten, plaçkiten dhe u pasuruan dhe vazhdojnë të pasurohen në kurriz të këtij popullit, kundër të gjithë atyre, që pranuan të bëhen vegla të verbra të të huajve, për të realizuar tinëzisht planet hegjemoniste serbe, kundër të gjithë atyre, që u bënë pjesë e mashtrimit të madh, të procesit të ashtuquajtur politik, për gjoja pavarësinë e plotë të vendit tonë.
Forca të vërteta e të pastra kombëtare ka në të gjitha partitë politike të Kosovës. Një segment i konsiderueshëm i anëtarësisë së atyre forcave ka protestuar, më 10 shkurt, në sheshet e përgjakura të Prishtinës. Këtë fakt duhet ta kuptojnë më seriozisht kryetarët e partive tona politike. Ata duhet t’i analizojnë mirë veprimet e tyre, nëse konsiderojnë se ka kohë për ripozicionim, apo për heqje dorë nga politika e deritanishme mashtruese. Këto forca duhet të lirohen sa më parë nga politika e pa fryt, nga rruga qorre, ashtu sikur qenë liruar shumë pjesëtarë partish, me daljen në sipërfaqe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, para dhjetë vitesh.
Edhe Lëvizja “Vetëvendosje” duhet të konsolidohet, duhet të lirohet nga llumi dhe bagazhi i kullerëve brenda vetes, për të marrë pozicion të qartë kundër shkaktarëve të vërtetë të së keqes. Ata shkaktarë nuk duhen kërkuar në ndërtesën e UNMIK-ut, apo në kontingjentet paqeruajtëse të forcave ushtarake të KFOR-it, sepse dihet se kush dhe për çka i ka sjellë dhe i ka vendosur ata në Kosovë. Me siguri se këto forca nuk janë të pranishme në vendin tonë me bekimin e Serbisë apo të Rusisë. Është tjetër çështja, sesa kemi qenë të gatshëm të bashkëpunojmë seriozisht dhe realisht me këto forca, për qëllimet tona të vërteta politike e kombëtare.

Shkaktarët e të gjitha të ligave, që na kanë pllakosur janë ata që kanë mashtruar këtë popull, ata që kanë degjeneruar në korrupsion, në mashtrime, ata që kanë bashkëpunuar dhe vazhdojnë të bashkëpunojnë me Beogradin, ata që ndajnë përfitimet me padronët e dikurshëm serbë të Kosovës. Të tillët, e kanë katandisur Kosovën në këtë gjendje. Të tillët kanë krijuar monopol mbi mediet elektronike dhe të shkruara, të tillët kontrollojnë dhe zhvatin burimet e të gjitha përfitimeve, të tillët janë bërë pjesë e trafikimeve të ndryshme dhe e përfitimeve ndër më të pistat. Dhe, ata që nuk kanë moral kombëtar, e as njerëzor, nuk mund ta nxjerrin popullin nga gjendja ku e kanë katandisur. Ata jetojnë për t u pasuruar dhe për të qenë gjithmonë në krye të proceseve, jo për ta fituar pavarësinë por për të fituar në kurriz të popullit duke u angazhuar gjoja për pavarësinë.
Radio-Kosova e lirë me kohë e ka ndërtuar pozicionin e vet kombëtar dhe historik, në drejtim të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Ajo ka përkrahur dhe do të përkrahë, çdo lëvizje progresive, ndërsa nuk është pajtuar, as pajtohet me yshtjen kundër forcave të huaja, të instaluara në Kosovë, edhe pse kjo Radio, vetë ka qenë dhe ka mbetur pjesë e keqtrajtimit të përhershëm nga segmente të caktuara të këtyre,…

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …