Fillojnë aktivitetet për hartimin e Planit Komunal në Shtime për Menaxhimin e Mbeturinave

Drejtoria për Shërbime Publike në komunën e Shtimes ka intensifikuar aktivitetet për hartimin e Planit Komunal për Menaxhimin e Mbeturinave duke qenë e ndihmuar edhe nga GIZ-i (Shoqëria Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar), që për momentin po ndihmon katër komuna në këtë drejtim.

Lidhur me këtë, më 14.4.2016, në sallën e Kuvendit të Komunës është mbajtur Punëtoria ku përveç Grupit punues për hartimin e këtij plani, kanë marrë pjesë e dhe përfaqësuesit e GIZ-it.

Fillimisht është bërë analiza e gjendjes së mbeturinave në komunën e Shtimes, kurse në vazhdim, nga përfaqësuesit e GIZ-it, janë sqaruar hapat që duhet ndërmarrë për hartimin e PKMM. Si nevojë urgjente u shtrua përshkrimi i gjendjes dhe SFOT analiza, pastaj përcaktimi i objektivave dhe planeve të tjera që pastaj duhet të harmonizohen me planet e veprimit dhe të monitorimit.

Drejtoresha e Drejtorisë Komunale për Shërbime Publike, znj Ardiana Rama-Gashi bëri të ditur se pastrimi i mbeturinave në komunën e Shtimes bëhet vetëm nga Kompania Rajonale ”Pastërtia”-Njësia në Shtime, me të cilën komuna ka kontratë vjetore në shumën 42,000€ për shërbimet që i ofron.

Znj. Albulena Emini-zyrtare për ambient në DSHP ka kërkuar që në PKMM të përfshihen të gjitha vendbanimet e komunës pasi që, sipas saj tani për tani, nëpër disa fshatra nuk bëhet pastrimi i mbeturinave fare dhe si problem shtroi çështjen e deponive të mbeturinave të ngurta që krijohen nga mbetjet gjatë restaurimeve të objekteve ndërtimore.

Nga përfaqësuesi i GIZ-it u kërkua që në PKMM të përfshihet edhe aktiviteti i ndarjes në burim të mbeturinave dhe i kompostimit, pasi që u konstatua se në komunën e Shtimes nuk zbatohet ky aktivitet ende.

Drejtori i DKPUKGJ, z. Mehdi Salihu shtroi problemin e caktimit të një lokacioni për grumbullimin e mbeturinave inerte, deri në hartimin e PKMM, duke e arsyetua këtë me ekzistimin e një lokacioni të tillë, të caktuar  me Planin Zhvillimor të Komunës.

Drejtori i DKZHE, z. Sabri Çerkini, ka kërkuar që kjo deponi të caktohet urgjentisht pasi që, sipas tij, edhe vërshimet e ndodhura në komunën tonë, janë pasojë e hedhjes së mbeturinave në lumenj.

Në fund të kësaj Punëtorie u nxorën këto konkluza:

–          Komuna është kompetente që sa më parë të hartojë PKMM;

–          GIZ-i do të ndihmojë hartimin e një Plani real dhe të zbatueshëm, përmes punës së punëtorive të Grupit Punues, të cilin e ka formuar DKSHP;

–          KR“ Pastërtia”-Njësia në Shtime të ofrojë shërbime të vazhdueshme dhe këto shërbime t’i shtrijë në 22 vendbanimet e komunës.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …