FILLOJNË PUNIMET PËR NDËRTIMIN E SHTEGUT TË ECJES “LULET E MARSIT” NË KRUSHË TË MADHE

Në kuadër të projektit “Shtigjet e Ecjes”, kanë filluar punimet për ndërtimin e Shtegut të Ecjes “LULET E MARSIT”, në fshatin Krushë e Madhe të komunës së Rahovecit. Marsi i vitit 1999, për ne dhe brezat pas nesh është edhe një dëshmi e një faqeje lavdie e historisë së shkruar me gjak trimash. Në këtë pjesë ku po zhvillohen punimet për ndërtimin e Shtegut të Ecjes “LULET E MARSIT”, kanë kaluar edhe shumë pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, djemtë e bashkuar që u besatuan për të qëndruar stoikisht në pozicione të luftës e nderit, deri në fund. Po në këtë zonë të Krushës së Madhe, në marsin e vitit 1999, ishin strehuar edhe shumë banorë të fshatit dhe Rahovecit me rrethinë, ndaj ndërtimi i Shtegut të Ecjes “LULET E MARSIT”, po e shndërron këtë vend të larë me lot, dhimbje e gjak, në një zonë të veçantë të kujtesës historike, të trashëgimisë e zhvillimit, ka thënë kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi. Ai ka shtuar se: “Për të përjetësuar kujtimin e të rënëve për idealet e lirisë së atdheut është detyrë e secilit prej nesh, të shpalosim gjithnjë e më shumë projekte dhe krijime të reja si dhe çdo vlerë tjetër që na identifikon si komb , ndaj atyre që kësaj zone ia dhanë shpirtin, peshën, rolin, vlerën, jehonën dhe kujtimin e përjetshëm ne të gjallëve-brezave që do të jetojnë në këtë truall. “LULET E MARSIT”, janë lulet më të bukura sepse kanë aromë gjaku, marsi i vitit 1999, ishte një tregues i qartë se Krusha është simbol i sakrificës sublime, simbol i lirisë së Kosovës. Të përkulemi para veprës së atyre të cilët u përjetësuan për qëllimet dhe idealet e lirisë së atdheut”, ka thënë Kryetari Latifi.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …