Fishta, Naimi, Çajupi e Noli për tolerancën, vëllazërinë dhe harmoninë fetare e kombëtare, - nga një segment krijimtarie

Fishta, Naimi, Çajupi e Noli për tolerancën, vëllazërinë dhe harmoninë fetare e kombëtare, – nga një segment krijimtarie

Ahmet Qeriqi
Ahmet Qeriqi

Gjergj Fishta, pa dyshim se ishte erudit i kohës së tij me dijen e tij të shumanshme, studimet në lëmi të ndryshme, leximi dhe pasurimi i mendjes, njohja e gjuhëve dhe kulturave të huaja, mbi të gjitha talenti dhe inteligjencia e veçantë.

Fishta, Naimi, Çajupi janë tre ndër prodhuesit më të mëdhenj  letrarë  të kohës së Rilindjes Kombëtare, nëse del të jetë i plotë konstatimi se Fishta ishte “Rilindësi ndër të fundit”.

Gjergj Fishta ishte krijuesi dhe intelektuali shqiptar me kredon më të shprehur të tolerancës fetare, vlerën më unike të kombit, e cila kalon shtigjet e pasurisë kombëtare, edhe pse nga dashakeqësit interpretohet, nganjëherë edhe me akuza  të çoroditura. Fishta shqiptar, me kohë kishte kaluar Fishtën prift, edhe pse mund të thuhet por nuk mund të dëshmohet se krishterimi nuk e pranon bashkëjetesën fetare, ndryshe nuk do ta kishim Fishtën, këtë që e kemi…

Shqiptarët janë të  lidhur me besa-besë

pa dallime feje e krahine,

fisi a bajraku,

pasi në Shqipni,

priftën, fretën e hoxhallarë,

të krishtenë e myslimanë

para Kombit e armikut një janë.

« Un, zotnì, n’ushtri kam dalë,

jo me Turq, por me Shqiptarë,

turq a t’k’shtenë, si janë gjith mbarë,

pse t’k’shtenë, si muhamedan,

Shqipninë s bashkut t’gjith e kan ;

e prandej t’gjith do t’qindrojmë,

do t’qindrojmë e do t’luftojmë,

kemë m’u bâ kortarë – kortarë

Priftën, Fretën Hoxhallarë

Për Shqipnì………

 

« Ndoshta t’dàmë ne jemë nder veti,

por ku nè t’na lype Mbreti,

por ku Shkjau t’na ngasë n’vend t’Parëve,

per ketë besë, fara e Shqiptarëve,

turk a i k’shtenë – merr vesht, or djalë –

kanë me u gjetun krejt me ‚i fjalë! … » 7

 

Naim Frashëri,  shqiptar mysliman, bektashi, do të shkojë edhe pak më larg, do të shkruajë edhe poezi për Jezusin dhe kryqëzimin e tij nga mendjet e handakosura e të nakatosura. Pavarësisht se islami pranon Jezusin si profet, si hazreti Isa, në dogmën  fetare islame nuk është i papranueshëm një vlerësim i tillë sikur kishte bërë Naimi.

 

Djaleth, njeriu i Perendise,

Fytyra jote mua me tregon,

Ah te keqiat e njerezise,

Qe ka punuar edhe punon.

 

Se kjo fytyre

Eshte pasqyre.

Dhe na rrefen,

E s’na genjen;

 

Gjithe ç’ka hequr njeriu i mjere

Nga veth’ e tine e nga vellaj,

Qe kane vrare edhe kane prere.

Pa gjyq, pa fjale, pa pasur faj.

 

Zot, ti ke vuar

Edhe s’ke pushuar,

Nga njeriu hoqe,

Per te u perpoqe.

 

Ti u perpoqe per njerezine

Dhe dashurine e bere bese

Njeriut i vune nom miqesine.

Qe kur te lindet,gjer sa te vdese.

 

Per kete fjale

Te qofsha fale.

Se njerezia

E Perendia.

 

Poezia,  “Përpara Krishtit” është poezia e Naimit që ka buruar nga mendja e tij.

 

 

Çajupi realist, nuk vë në dyshim ekzistencën e krijuesit, por nuk e duron dot tërë  ikonografinë, përuljen e skllavërimin e njeriut ndaj dogmës fetare cilado qoftë ajo, sepse dogma nuk është, Bibla apo Kurani, por janë interpretuesit, priftërinj e hoxhallarë që e përdorin dhe e përvetësojnë për qëllimet e fesë së tyre, madje edhe duke nxitur, përçarje e mos durim. Në një rast të tillë, Çajupi i jep të drejtë vetes edhe të tregojë, një të vërtetë të intelektit të tij.

– Mos u habitni me mua

në duhet që t’i besoj

do t’i besoj, dua s’dua

do të besoj shën, Mërinë,

këtë grua të bekuar,

e cila polli Mesinë

me frymën e shënjtëruar

 

Do të besoj, or të mjerë,

Krishtin që nuk e kam parë,

që shpëtoi njerëz të tjerë;

dhe la të tjerë, për ta varë.

 

Do të besoj, kur më thonë:

Krishti vdiq (gjë e vërtetë)

dhe që të mos zemërohi,

besoj q’u ngjall prapë vetë!

 

Si të gjithë besoj dhe unë

sa shënjtorë kanë qënë,

po besoj dhe tjatër punë,

besoj mëndja na ka lënë!

 

(Baba Musa lakuriq)

 

 

Fan Noli i Madh, Flamurin e Shqipërisë e pranon si flamur që lidh islamin e krishterimin, që shpallë midis  feve vëllazërimin.

 

Fan Noli,  Hymni i Flamurit

O Flamur gjak, o flamur shkabë,
O vënd e vatr’ o nën’ e babë,
Lagur me lot, djegur me flagë,
Flamur i kuq, flamur i zi.

Fortesë shkëmbi tmerr tirani,
S’të trëmp Romani, as Venecjani,
As Sërp Dushani, as Turk Sulltani,
Flamur i math për Vegjëli

Flamur që lint Shën Kostandinin,
Pajton Islamn’ e Krishtërimin,
Çpall midis feve vllazërimin,
Flamur bujar për Njerëzi.

Me Skënderben’ u-lavdërove
Dhe në furtun’ i funtmi u-shove,
Me Malon prapë lart vrapove,
Yll i pavdekur për Liri.

Sa shpesh pastaj për-dhe u-shtrive
Me zjarr e zi u-ndeze u-nxive,
Po çdo mizor me shpat’ e grive,
O fushë-kuq, o shkabë-zi.

Përpjetë pri-e Shqipërinë,
Përlintj’a shpirtin dhe fuqinë,
Diell për vllanë, yrnek për fqinë
Për botën ëndr’ e qjell i ri.

 

Këta katër shembuj të katër krijuesve, inteketualëve e baballarëve të kombit,  ndër më të njohurit, hedhin dritë mbi shqiptarinë jo vetëm të pretenduar, atë  të rilindësve, por edhe të bërë e të mbijetuar deri në ditët tona, shqipërinë shpirtërore, pa dallime feje, krahine apo politike, sepse Shqipëria fizike, etnike, historike ende nuk është bërë, por dita ditës po zgjerohet e po konsolidohet  në mendjet dhe zemrat e shqiptarëve, të atyre shqiptarëve që nuk iu ka bërë gjaku ujë…

Ahmet Qeriqi

Shtime

janar 2022

 

 

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …