Faik Konica (1875 - 1942)

Fitim Çaushi: Faik Konica, miti i një matrapazi?

Është tjerrë shumë, madje me “erudicion” fals, thënia e Konicës: “Armiqtë më të mëdhenj të Shqipërisë janë vetë shqiptarët”. Po ta vendoste Konica padinë e tij kundër popullit shqiptar në numrin njëjës, me anë të një silogjizmi të thjeshtë do të dilte: Ose Faiku nuk qenkësh shqiptar në shpirt e në mendje ose në të kundërt, ai ka qenë një ndër armiqtë më të këqinj të Shqipërisë. Sipas këtij intelektuali me kulturë perëndimore, shqiptarët na qenkan “armiqtë më të këqinj të Shqipërisë”, sepse nuk pranuan reformat e sulltanëve, përmes “Lidhjes së Prizrenit” u ngritën kundër Perandorisë. Sepse nuk “kuptuan” dhe nuk pranuan të “mirat” e protektoratit të shteteve të mëdha. Në momentet kyçe të historisë së Shqipërisë, Faik Konica ka qenë pro pushtuesve të Shqipërisë dhe kundër çështjes kombëtare. Në mënyrë konstante ai ka sulmuar tërë patriotët shqiptarë për interesat e njërës apo tjetrës fuqi të huaj dhe ka tentuar të mbytë lëvizjen çlirimtare të popullit shqiptar. Profesor Kristo Frashëri ka shtruar arsyetimin: “Gjykata e historisë kërkon të dijë sa e ka nxitur ose dëmtuar Faik Konica luftën për lirinë dhe përparimin e vendit…sa peshë kanë gabimet, nëse janë faje të falshme ose tradhti të pafalshme”. Studiues dhe gazetarë i janë shmangur kësaj të vërtete, i janë shmangur veprimtarisë së tij politike, duke e konsideruar: Konicën, “njeriun më të kulturuar”, “gjaknxehtë”, “polemist i thekur”, …. Pavarësisht subjektivizmave të qëllimshme, dokumentet e shumta e pozicionojnë Faik Konicën politikisht në dëm të pavarësisë së Shqipërisë. Po ndriçojmë vetëm disa anë të veprimtarisë së tij politike.

 

Konica në shërbim të Austro-Hungarisë

Me  botimin e revistës “Albania”, Konica prezantohet si një intelektual i angazhuar në luftën për çlirimin kombëtar nga perandoria osmane. Me frymëzimin dhe talentin e tij të fuqishëm, Konica e kthen “Albania”-n në një tribunë të shqiptarizmit, duke i drejtuar popullit shqiptar thirrjen: “Të ngrihemi, të kërkojmë lirinë e gjithë të drejtat”.

Me këtë pozicionim politik, ai trajton në revistë edhe synimet e Fuqive të Mëdha: më 1 prill 1897 mbërrin në Vjenë nga konsulli i Selanikut, një relacion mbi një artikull të Konicës: “Austria për ta bërë pozitën e saj strategjike sa më të fortë në Ballkan është e vendosur tani më tepër se kurrë në synimin për të arritur me të gjitha mjetet, idealin e vjetër; pushtimin e Shqipërisë… çdo lëvizje nën ndikimin e Habsburgëve nuk do të plotësonte aspiratat e Shqipërisë”.

Fillimisht Konica i kundërqëndronte politikës austro-hungareze në lidhje me problemin shqiptar, prandaj diplomatët e Vjenës  përgatitën përpunimin politik të tij, për t’i dhënë një drejtim të ri “Albania”-s, me tendencë për një protektorat austriak të Shqipërisë. Pas katër muajsh përpunimi, në gusht 1897, Konica detyrohet t’i dërgojë ministrit të Jashtëm në Vjenë një letër: “Meqë Shqipëria është në rrezik e rrethuar nga çdo anë prej armiqsh kërcënues të cilët duan ta zhdukin dhe meqë Austria ka dhënë kurdoherë ndihmën e saj për mbrojtjen e kombit shqiptar, shkëlqesia juaj nuk do të habitet duke marrë këtë letër…kam nderin t’ju informoj se kam për t’ju dhënë një njoftim tepër të rëndësishëm lidhur me çështjen shqiptare në marrëdhëniet e saj me interesat e Perandorisë…Natyra e këtij njoftimi më detyron ta bëj këtë gojarisht.”

Në letrën dërguar konsullit austriak në Shkodër, Ippenit, në 18 gusht 1897 Konica shkruan: “Shqiptarët e zgjuar e dinë mirë se një bashkim me Austrinë, ajo do të zhvillohet lirisht në tri pikëpamje: nacionale, ekonomike dhe intelektuale. Ky opinion – të cilin unë kam patur rastin ta vë re shumë herë te një numër i madh shqiptarësh – sado që politika e jashtme nuk na lejon ta themi botërisht…nëse një autonomi politike e plotë do të jetë për ne gjë e pamundur, prapë do të ishte një fat nëse Shqipëria do t’arrinte të gëzojë një autonomi administrative me një bashkim politik dhe ushtarak me Perandorinë austriake”.

Në përgjigje të takimit të zhvilluar më 20 gusht 1897, Kevenhyler i lajmëron kontit fon Golubajki pikëpamjen e drejtorit të revistës “Albania”: “Nëqoftëse revistës “Albania” ai do t’i jepte një drejtim të ri me tendenca për një protektorat të Austro-Hungarisë, ka probabilitet që ai të pësojë dëme nga burimet e derisotme të ndihmave… Prandaj, në qoftë se qeveria p. dhe mb. do të ishte dakord me drejtimin e tij, ai do ta kishte urgjente të merrte një ndihmë financiare…në qoftë se përpjekjet italiane në Shqipëri janë më tepër se imagjinime të fantazisë, atëherë do të vlente që të luftohet kjo me disa mijëra franga.”

Në sqarimet që i bën Goluhovski Khevenhylerit, theksohet: “Duhet t’i thoni që në qoftë se qëndrimi i revistës së tij do t’u përgjigjet shpresave tona dhe ai do të arrijë të depërtojë me të në rrethet e gjera të atdheut të tij, do të bazohet edhe në të ardhmen në përkrahjen tonë.”  Me ndryshimin e politikës së revistës (pro Turqisë) doemos do të ndryshonte edhe qëndrimi i shqiptarëve ndaj saj, ata nuk mund të financonin një revistë që lavdëronte sulltanin dhe qeverinë turke, i kishin premtuar Konicës ta ndihmonin me shpresën që revistën e tij ta bënte tribunë të luftës kundër sundimit osman.

Prof. Luan Zelka ka sqaruar: “Konica bënte paralajmërimin se “në u shtrëngofshim këtej e tutje të dalim me një program të ri, asnjë shqiptar të mos ketë sy e faqe të na pyesë “përse” dhe “ku” i gjejmë paratë…Me sa duket në kohën kur është vënë shënimi i mësipërm i “Albanisë”, drejtori i saj kishte filluar tratativat me qeverinë austriake nëpërmjet konsullit të saj”.

Më 25 gusht 1897 diplomatët e Vjenës përgatitën takimin e Konicës me Ministrin e Jashtëm Goluhovski. Në letrën dërguar baronit Goluhovski pas takimit, Faiku shkruan: “Ashtu sikurse kam patur nderin t’ju them shkëlqesisë, redaktimi i këtij numri tranzitor për sa i përket politikës së re që duhet ndjekur ndaj qeverisë turke, paraqiste pengesa, unë mendoj se këto i kam kapërcyer…nëse në numrin 8 të revistës, kam paraqitur diçka që nuk është në përputhje me pikëpamjet tuaja, u lutemi zoti baron të kini mirësinë, që me këshillat tuaja kjo të evitohet në muajt e ardhshëm”.

Ankthi se mos i shpëtonte ndonjë qëndrim jo i pranueshëm për Vjenën, e terrorizonte Konicën, revistën e të cilit e drejtonte de fakto Ministria e Jashtme e Austro-Hungarisë. Konica konform misionit të tij deklaronte: “Shqipëria ka nevojë të ketë krahun e një shteti të shëndoshë dhe të madh, që të mos ia dojë të ligën”. Eshtë krejt e natyrshme që edhe populli shqiptar në atë periudhë të vështirë historike të kërkonte një aleat, një mbështetës për të siguruar të drejtat e tij kombëtare: “Kemi për të thënë gjithënjë që Austria është miqesha e vëretë dhe mpronjëtorja e Shqipërisë…të mos ish Austria, sllavët dhe grekët do ta mirnin në 24 orë Shqipërinë…Frika e Auatrisë i mban armiqtë tanë; ata që se kuptojnë këtë janë gomarë”.

Shahin Kolonja i  përgjigjet Konicës: “Unë nuk besoj se mund të ekzistojë ndonjë shqiptar që të marrë përsipër përgjegjësinë për të kërkuar fonde (nga Austro-Hungaria) për një propagandë kaq të zymtë dhe kaq të rrezikshme”  Konica u lidh me Austro-Hungarinë, jo vetëm për të marrë ndihmë financiare, por edhe me shpresën se Austro-Hungaria do ta ndihmonte atë, të udhëhiqte Shqipërinë në të ardhmen, sikundër e kishin joshur diplomatët e Vjenës.

Në nr. 7, redaktori dhe administratori i revistës “Albania”, Viskë Babatasi boton një shkrim të gazetës franceze: “Zoti Leon Kahun i çkëlqyeri shkronjëtor freng që ka thelluar aq bukur karakterin shqiptar, çpalli në një të madhe ditore të Frengjisë një artikëll. Na ka bërë nderin të lëvdojë udhën e drejtë që kemi zënë dhe ka gjetur fjalë të larta dhe të vërteta për t’i çfaqur shtypit të Europës gjendjen e Shqipërisë. Personaliteti francez Leon Kahun propozon se do të ishte mirë për Shqipërinë që të merrte autonominë e saj, domethënë që Shqipëria të jetë e veçantë. I falemi nderit në emër të kombit shqiptar”.

Viska, deri në nr. 7 të revistës nuk e dinte se ai krah i fuqishëm që duhej të mbështeste Shqipërinë, nuk duhej të ishte Franca, por Austria. Konica e refuzoi kategorikisht këtë propozim në nr. 8 të revistës: “I lartmi mik i kombit shqiptar, z. Leon Kahun shkruajti për shqiptarët një artikëll të bukur dhe të nxehtë…Z. Leon thotë se Frengjia duhet t’i ndihë që të arrijmë një ditë të rrojmë të lirë e nën mbrojtjen e saj… I falemi nderit z. Kahun dhe jua dimë për të mirë. Mbrojtje e Frengjisë do të jetë një gjë e mirë për Shqipërinë, por sot për sot kemi vetëm nevojë të hapim shkolla dhe udhëra… s’duhet të përzihemi në punë të politikës”.

Në letrën e dërguar ministrit të Jashtëm austro-hungarez, Konica shpalos antishqiptarizmin e tij duke synuar asgjësimin e patriotëve të Rilindjes: “Është tepër e nevojshme që autoriteti i tyre moral mbi shqiptarët të asgjësohet. Ne do t’ia arrijmë kësaj duke provuar me fakte e dokumente se disa punojnë për Italinë, disa punojnë për Bullgarinë ose Greqinë, ndërsa të tjerë punojnë për veten e tyre, kështu do të arrijmë qëllimin e mirë të Portës”.

Shqiptarët jashtë atdheut, autoritetin moral të të cilëve do ta asgjësonte Konica, janë patriotët e Shoqërive Kulturore të Stambollit, Bukureshtit, Egjiptit, Sofjes dhe arbëreshët e Italisë, autoriteti moral i tyre janë: idetë për zgjimin kombëtar të shqiptarëve, këmbëngulja për njohje të kombësisë shqiptare dhe autonomisë, lufta për ruajtjen e gjuhës shqipe, krijimin e shkollave dhe letërsisë shqipe: janë përpjekjet e tyre për ruajtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë etnike dhe për çlirimin e saj nga zgjedha obskurantiste shumë shekullore otomane.

Pretendimet e Italisë mbi Shqipërinë sollën si pasojë acarimin e mëtejshëm të kontradiktave ndërimperialiste, veçanërisht pas shpalljes së luftës nga ana e Italisë kundër Austro-Hungarisë, si një detyrim ndaj Antantës për dhënien e trojeve shqiptare. Si kundërpërgjigje, Austro-Hungaria, në ndjekje të ushtrisë serbe, në janar të vitit 1916, pushton Shqipërinë e Veriut, duke u premtuar shqiptarëve autonominë nën perandorinë e Habsburgëve.

Studiuesi Hasan Kaleshi, duke sqaruar informacionet që ka çuar Konica në Ministrinë e Jashtme, shkruan: “Konica do të informojë rregullisht…ai informon mbi veprimet që duhen marrë, mbi lajmet nga Shqipëria dhe kolonitë shqiptare, mbi njerëzit e ndryshëm me influencë, patriotë apo që shiten si të tillë…”

Në lidhje me këtë pozicion informatori të Konicës, Akademiku Qosja ka theksuar:

“Politika shqiptare e Vjenës përcaktohej në varësi prej interesave të Austro-Hungarisë në Ballkan e jo në varësi prej interesave të shqiptarëve.  Mund të hamendësohet se edhe në kohën e botimit të revistës Albania, me ndihmën financiare të Vjenës, është ditur se Austro-Hungaria ishte pajtuar në fillim me përshtrirjen e Serbisë e më vonë edhe të Malit të Zi në jug, domethënë në trojet shqiptare me kusht që ato të pajtohen me përfshirjen e saj në Bosnjë. Mbështetjes politike të pazareve të Faik Konicës në politikën e Vjenës, nuk do t’i mund t’i bëheshin vërejtje, sikur motivet e kësaj mbështetjeje të ishin vetëm atdhetare; materialet arkivore, ndërkaq, e lejojnë dyshimin se lidhjet e tij politike me zyrtarë të Vjenës dilnin prej kornizës  së lidhjeve  dinjitoze politike dhe shndroheshin në shërbim informues.”

Megjithë përkrahjen e Austro-Hungarisë, pas botimit të 12 numrave të “Albania”-s, Konica  konkludon: “Si shtyp 12 numra pas fjalës që dhaçë, a e dini ç’kam për të bërë? …kam niet të vete të shes mut njeriu, se të shkroj për Shqipërinë”

Faik Konica pro pushtimit turk

Prof. Kristo Frashëri duke analizuar marrëveshjen e Konicës në 25 nëntor 1897 me diplomatët austriakë, nënvizon: “Baroni i vuri Konicës dy kushte: Në faqet e “Albanisë” të mos përkrahej asnjë agjitacion i armatosur kundër qeverisë osmane, pasi kjo binte në kundërshtim me politikën e ruajtjes se statu quo-së, që ndiqnin fuqitë e mëdha përfshi edhe Austro-Hungarinë”.

Në kohën kur Shqipërisë nuk i ishin njohur as kombësia as trojet etnike dhe as autonomia shtetërore si fqinjëve ballkanikë, statu-quo-ja rezikonte tërësinë territoriale të Shqipërisë. Në nr. 7 të revistës Konica kërcënonte: “Sa të jemi gjallë ne shkronjëtorët e “Albanisë”, nuk kemi për të lëshuar pa luftuar cilindo shqiptar, që shkruan një fjalë kundër naltmadhnisë së tij, mbretit të Turqisë dhe Shqipërisë, dhe me këtë mendje e dimë se është me ne i gjithë kombi”.

Kjo shqetëson patriotët shqiptarë, Dodani i shkruan: “Dhe nuk shkojti shumë dhe z. tuaj zutë të na ngisni edhe ne, që nukë kemi lojtur pikë nga udha që nismë përkundërë qeverisë mbytëse që zotëron Shqipërinë…Ç’do me thënë sa të jemi gjallë ne shkronjëtorët e Albanisë?”.

Konicës iu caktua detyrë largimi i popullit shqiptar nga rruga e luftës për çlirimin kombëtar: “Duhet të lëmë mënjanë politikën, të ulim kokat, të mbyllim gojën dhe të marrim të drejtat tona nga duart e mbretit Sulltan Hamiti”. Konica u rekomandon shqiptarëve psikologjinë e skllavit. Gazeta “Shqipëria” e Bukureshtit i kundërvihet politikës së re të Konicës: “Nuk na pëlqejnë idherat e atyre që thonë se duhet të mbahet Turqia për të mirën e Shqipërisë, se duhet t’i besojmë vetëm vetes tonë dhe të mos presim nga ndonjë të mirën.”

Pavarësisht kundërshtimeve, ai vazhdonte misionin: “U lothmë së thëni, s’ është përveç të mjaftojmë dëshirën e lartmadhërisë së tij Sulltanit, duke shuajtur luftrat dhe trazirat gjakderdhëtare.” Për ta imponuar politikën e tij, më 11 qershorit 1898 Konica i konfirmon Dodanit: “Sa për Sulltanin, L. e Ti, është një mbret me mend, me urtësi e me qytetërim; andaj duke e përkëdhelur kemi shpresë të na lëshojë shkolla…kryeshkronjëtori i Sulltanit Zoti Tasim Be, na shkroi të shkojmë në Stamboll ta bëjmë “Albanien”.

Konica ka marrë aprovimin ta botojë revistën te Sulltani, prandaj orienton: “Duam me urimin e Lartmadhërisë së tij sulltanit të arrijmë këtë bashkim midis shqiptarëve”.

Në përgjigje të kritikave që i bënë arbëreshët për lëvdimin e sulltanit, ky shkruan: “Numri 17 i reckës “Nuova Albania” është plot me të shara për Sulltanin, ç’kanë këta që shajnë kështu njerëzit në fetë e tyre? Shkaku është sheshit, zuzarët e Italisë duan t’i ftohin shqiptarët muhamedanë që të largohen nga kombësia, që të mos bëhet ky bashkim, që mëmëdhetarët e duan aq fort”.

Sikundër shihet, Faik Konica njeson kombësinë me fenë myslimane! Ky pozicionim politik, i shqetësoi patriotët shqiptarë të Rilindjes në Bukuresht, Sofie, Stamboll, Egjypt, Amerikë e gjetkë, por Konica vazhdon ofensivën: “Faqezinjve u mbetën fasulet…le të bëjnë luftë me Turqinë, ajo do t’i mundë me K…ordha të tjera”.

Konica do të luftonte çdo lëvizje çlirimtare, çdo kryengritje kundër Turqisë: “Duam t’ju mësojmë se mohimi i gjuhës shqipe, të lënit mënjanë të propagandës letrare, të kthyerit e mendjes vetëm nga lufta dhe kryengritjet, kjo është puna e sllavëve dhe e italianëve”. Dalja e luftëtarëve shqiptarë në çetën e parë të lirisë, me devizën “Ja vdekje – Ja liri” i shqetësoi qeveritarët turq. Shahin Kolonja konsekuent në mbrojtje të çështjes kombëtare, shkruante në gazetën “Drita”: “E dimë se faqezeza Turqi është armike e gjakut dhe e gjuhës tonë, po disa faqezes shqiptarë, muhamedanë që hiqen si oxhakë, me ç’mendje e me ç’shpresë shkojnë që bëhen këpucëgrisur të Turqisë e të grekut, që të vrasin disa djem trima…Muarmë një letër nga Greqia e na thotë se Maliq bej Vila me dinakëri përpiqet të japë në dorë të qeverisë Çerçiz Topullin me shokë, për këtë qëllim merret vesh që ka gisht guverna greke”.

Dhe më poshtë: “Lëpushkat e Athinës thonë se të madhin Foti e vranë të hollat e Vllahisë dhe Bullgarisë… po fatziu Foti e kishte kapërcyer kufirin dhe donte tjetër gjak shqiptari, nga ky shkak Komiteti i Shqiptarëve i dha karar që të vritej Foti. E tashti që u la gjaku i Papa Kristos, në u gënjefshin grekët e të vrasin ndonjë tjetër shqiptar të pafajshëm, atëherë për një, dhjetë.”

Dënimi që iu dha kryeandartit, dhespot Fotit, i entuziazmoi shumë patriotët shqiptarë. Hil Mosi, shkruante: “Vrasja e shkrimtarit tonë at Kristos prej klerit grek, me dhespotin e Korçës, Fotin, çfarë frytesh solli? Dihet mirë, zemrat e atdhetarëve shqiptarë zunë e u ndezën flakë…”

Frika, se mos shqiptarët ngrinin krye, e trembi Vjenën, e cila duhet t’i ketë kujtuar Faik Konicës detyrën e tij. Vetëm ky shkak e shpjegon kthesën e Konicës dhe armiqësinë e tij ndaj çetës së Bajo dhe Çerçiz Topullit. Ai tentoi ta nënshtronte me demagogji Bajon për ta tërhiqur nga lufta kundër Turqisë. Në pamundësi e shprehu vrerin në shkrimin: “Bajo Topulli dhe politika e assassinatëve”:

“Mbledh tjetri njëzet shokë dhe vret një kishtar të moshuar prapa kurrizit pastaj mburret dhe kujton se diçka ka bërë për atdhenë. Nuk e di se të tilla punë janë për kombin tonë, ay më i madhi dëm dhe më i vërtetë turp… Në qoftë se Bajo Topulli sillet këtej e tutje në një mënyrë që edhe në rreptësinë të shfaqet sipërimi i shqiptarëve përmbi popujt e tjerë të Ballkanit, atëherë mund të shpëlajë duart e tij nga gjaku i plakut që vrau  me aq poshtërsi”.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …