( Pjesë nga studimi Faik Konica spektakël lajkash me Zogun)
Kontributi i Gurakuqit në revistën “Albania” ka qenë shumë i madh, veçanërisht në fushën e gjuhës shqipe dhe në forcimin e përmbajtjes kombëtare të revistës. I ndodhur në një pozitë jo të favorshme, për shkak të antarësimit në shoqërinë “Bashkimi”, falë karakterit të tij burrëror, Gurakuqi shkruan artikullin “Mbi njësimin e alfabetit kombëtar” dhe shfaq mendimin se alfabetet e përdorura deri atëherë “nuk mund të adoptoheshin si alfabet unik kombëtar”.
Gurakuqi boton në Bukuresht, në vitin 1906, një abetare me të dyja dialektet dhe me të dyja alfabetet kryesore, për të mbyllur përçarjen dhe për të plotësuar kërkesat e të gjithë fëmijëve shqiptarë. Ky ishte një qëndrim që i shërbente drejtpërdrejtë çështjes kombëtare shqiptare, po të marrim parasysh se Luigj Gurakuqi ishte anëtar i shoqërisë “Bashkimi”.
Nuk mund të qëndronte indiferent Konica para jehonës që bëri kjo abetare. I detyruar para opinionit, por gjithmonë si armik i alfabetit të Stambollit, Konica shkruan: “Mora këtë libër “Abetar i vogël” shtypur mes abeve të Bashkimit dhe të Stambollit me tregime në të dy dialektet, prej Lek Grudës, u shtyp në Bukuresht. Duke qenë se mijra shqiptarë janë të helmuar me abenë sllavishte të memurëve, çdo atdhetar me ndjenja të vërteta do të presë këtë fletore me pëlqim të madh”.
Gurakuqi e kuptonte, se Shqipërisë i duhej domosdoshmërisht pavarësia politike, për të shpëtuar nga rreziqet e shpërbërjes, jo thjesht autonomi kulturore, sikundër propagandonte Konica. Në mënyrë të natyrshme, ai forcon lidhjet me Ismail Qemalin, të cilit s’iu nda edhe në ditët më të vështira, ndërsa Konica lidhej me Esat Pashë Toptanin, me të cilin po realizonin synimet e ndërhyrjeve të huaja për shkatërrimin e shtetit të parë shqiptar.
Në kundërshtim me Konicën, Gurakuqi, denoncon ashpër copëtimin e Shqipërisë: “Pa vënë në sy principin gjeografik, diplomacia europiane u tregua e padrejtë edhe me kufijtë natyrore e gjeografike. Më shumë se 700.000 shqiptarë iu dhanë serbëve e malazezëve”.
Kthimi i Ahmet Zogut me bajonetat e Pashiçit, sjell edhe vrasjen e Luigj Gurakuqit, sikundër edhe të patriotëve të tjerë anti serbë: Bajram Curri, Elez Isufi, Zija Dibra, Hasan Prishtina, Riza Cerova, Avni Rustemi etj. Një vit para vrasjes, Konica përdor një taktikë ndaj Gurakuqit: “Sjellja e Luigj Gurakuqit të cilin elementët e errët përpiqen ta tërheqin nga ana e tyre, është një sjellje fisnike që meriton lavdërime. Kemi marrë lajme të mira që e nderojnë Luigj Gurakuqin me shokët e tij”.
Pas vrasjes së Gurakuqit nga Ahmet Zogu, Faik Beu ndryshon qëndrim: “Njeri pa patriotizëm dhe pa ndërgjegje, armik i bashkimit kombëtar dhe i kuptimit modern, intrigant prapanik dhe i errët, Luigj Gurakuqi qe tipi i mbaruar i politikanit të shtrembër dhe nuk meriton as pikë nderimi”.
Para varrit të mikut të tij, Hasan Prishtina me një oratori të rrallë vlerësoi këtë humbje të të gjithë shqiptarëve: “Humbja e Gurakuqit asht një humbje shumë e madhe, një humbje e paharrueshme jo vetëm për Shqipërinë e pavarshme, por edhe për ata shqiptarë që patën fatin e zi të mbesin jashtë kufirit të Shqipërisë së sotme …sot po ulemi me një respekt të madh përpara trupit tand e dikur do të ulemi përpara atij monumenti! Lamtumirë! O ndera e kombit tonë!”.
I furishëm në akuzat e tij, Konica do ta akuzonte Gurakuqin edhe si proitalian: ”Kemi njëqint prova që provojnë se Fan Noli nuk ishte veç se një dordolec prapa të cilit fshihej kryetari i vërtetë i “Guvernës” Luigj Gurakuqi. Nuk është nevoja të shtojmë, se të parat masa që mori Gurakuqi ishin të forcuarit e Partisë Kollonizimit Italian… po Ahmet Zogu përgjonte dhe në çastin e shënuar me një grusht e dërgoj përtej detit …Ahmet Zogu organizoi një kryengritje me përkrahjen e serbëve, përzuri Gurakuqin me Fan Nolin nga Shqipëria dhe u bë zot i Shqipërisë”.
Stavro Vinjau në Kuvendin Kombëtar e cilëson Faik Konicën njeri brutal “që iu sul një martiri ta nxirrte nga varri e ta mbyste edhe një herë”. Por Gurakuqi mbeti siç ka shkruar Vinjau: “Një shembull patriotizme dhe nderi, mënyra e vdekjes së tij i siguroi edhe kurorën e ndritshme të martirit”.
Spekulimi mbi vlerësimin e Nolit
Për marrëdhëniet e tij me Faik Konicën, Noli na thotë: “Kemi bashkëpunuar me Faikun aq vite dhe aq ngushtë sa emrat tanë ishin të lidhur dhe të pashkëputur. Çdo gjë që thoshte Faiku ma ngarkonin mua dhe çdo gjë që thoshja unë ia ngarkonin Faikut”. Por, megjithë lidhjet e forta, bashkëpunimi i këtyre intelektualëve të mëdhenj nuk do të vazhdonte gjatë, pasi ata përfaqësonin dy rryma të kundërta në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Noli do të shkruante: “Në rastin e katastrofës së fundit, që na vërviti Pashiçi i Serbisë, pamë që miku tonë z. Faik Konica ra nga kali dhe mbeti në fushë të luftës, vumë re se që u ngrit dhe hyri në rreshtat e armikut dhe nisi të na luftojë me armët tona që i kishin mbetur në duar.”
Akrobacitë politike të Konicës, i kishin dënuar shumë patriotë shqiptarë
Akrobacitë politike të Konicës, i kishin dënuar shumë patriotë shqiptarë. Fillimisht Konica i jep mbështetje Partisë Liberale që drejtohej nga Noli, për të marrë pushtetin politik në Shqipëri: “Që të kenë sukses kandidatët e partisë sonë si dhe kandidatët e tjerë të Opozitës, të cilët pa qenë me Partinë tonë mund të bashkëpunojnë me tanët – u duhet peshkop Nolit dhe kandidatëve të tjerë të opozitës të shëtitin Shqipërinë, duke i folur popullit”. Në prag të zgjedhjeve Konica e angazhon veten me Partinë Liberale: “Partia Liberale që u organizua në Shqipëri do të mundohet të fitojë shumicën e zgjedhjeve që të vërë në veprim idealet e Vatrës. Ju pëlqen ky mendim? Përkraheni me sa mundet Partinë Liberale, duke mos u vënë veshin larove, të cilët pa fjalë do të bëjnë zanatin e tyre”.
Me përmbysjen e Revolucionit demokratik të qershorit 1924, Konica kalon në krahun e Ahmet Zogut, ndërroi grazhdi. Lufta kundër Nolit ka qenë e paskrupullt. Shqiptarët e Amerikës u tronditën, u demoralizuan, gazetat iu kundërvunë keq Faikut për shpifjet dhe intrigat e tij. Injorimi dhe armiqësia e Faikut arrin kulmin kur kërkon ta ekspozojë Fan Nolin sikur është me origjinë joshqiptare: “Patriotët e Amerikës i kanë shtëpitë në Shqipëri, jo në Edrene” dhe “Imigranti” i përgjigjet: “Po ti bej ku e ke shtëpinë, cili është pallati yt? Guverna e Romës…s’ka dyshim”.
Loni Peristeri e denoncon ashpër: “Faiku ç’kish për të bërë e bëri, na ropi, na shau, na fëlliqi, na shqelmoi dhe, së fundi, nisi të shajë edhe Imzot Nolin, duke u përpjekur me çfarëdo mjeti makiavelist të na çnderojë edhe të vetmin udhëheqës që u ka mbetur vatranëve të Amerikës. Përse gjithë kjo mbi Nolin e pafajshëm? Vetëm se nuk qe i zoti të kurdiste Gurakuqin me shokë që të binte Faik benë në presidencën e Shqipërisë, por, po të ftonte Faikun në Shqipëri, e dinte edhe vetë Noli dhe shokët e tij se do t’u ngjiste, jo kështu siç u ngjau, por më keq se kur vajti me Esat Pashën dhe formoi një “qeverickë” dhe iu duk vetja se u bë president”.
Situata u ashpërsua keq, “Imigranti” ndërhyn: “I themi Faik Konicës se të doli kripa, Imzot Nolin ne e njohim shumë mirë, veprat e tij të shkëlqyera dhe të çmuara për shqiptarët flasin vetë”.
Në këtë situatë, Konica, si kryetar i Vatra-s, i propozuar nga Noli, vendos censurë ndaj themeluesit të gazetës “Dielli”: “A është i ndershëm Faiku kur refuzon të botojë te “Dielli” artikuj të një ish-zyrtari të Vatrës për të mbrojtur veten nga akuzat në kolonat e kësaj gazete?”.
Rexhep Qosja, i cili, duke i krahasuar këto dy figura, shkruan: “Babai i “Albanisë”, si e kanë quajtur, ishte një shqiptar i europianizuar dhe, ndoshta përfaqësuesi më i spikatur i atyre që ia ngjesin kulturës për bishti e jo prej kreje: Shqiptar i europianizuar që ka humbur cilësinë themelore të shqiptarit spontan – vendosmërinë…Kultura perëndimore e kishte bërë atë për vete më tepër se ç’e kishte asimiluar ai këtë kulturë… Faik Konica ishte njeri i cili, përkundër Nolit, që tërë jetën ka menduar për fshatarët dhe punëtorët, e shikonte masën e gjerë prej lartësisë së një aristokrati fodull. Ndryshimi më i madh ndërmjet tyre ishte ky: Faik Konica si edhe shumica e bejlerëve të degjeneruar dinte të kthehej shpejt pas krahut të erës, kurse Noli, si një individualitet stabil, dinte të qëndronte vetëm, i papërkulur dhe me shikim të kthyer në një drejtim të caktuar. Nuk është e çuditshme pse miqësia e tyre e njohur shpesh, është kthyer në armiqësi, bashkëpunimi në polemikë, kurse komunikimi intelektual në heshtje mortore”.
Është spekulluar shumë me vlerësimet e Nolit, i cili e ka quajtur Konicën “Kryelëronjësin e gjuhës shqipe, kryekalorës të lirisë dhe indipedencës shqiptare”. Për të përligjur qëndrimin e tij të papajtueshëm me interesat kombëtare, sikundër ishin: bashkimi me Esat Pashë Toptanin kundër Qeverisë së Ismail Qemalit dhe akuzat kundër luftëtarëve të Vlorës më 1920 si banditë dhe hajdutë të botuara në shtypin italian, Faik Konica vendos të bashkojë forcat e tij me forcat e opozitës demokratike kundër partisë qeveritare dhe Ahmet Zogut, në krye të të cilave qëndronin miqtë e tij të vjetër, Noli dhe Gurakuqi. Qëndrimet e Konicës, kundër çifligarëve, bejlerëve dhe qeveritarëve, fillimisht nisën nga pozita personale. Nën ndikimin e Nolit, Gurakuqit dhe opozitës demokratike, ato marrin karakter parimor me trajtime politike. Në ato situata dramatike për opozitën dhe të ardhmen e demokratizimit të Shqipërisë, ky qëndrim ishte i mirëpritur për Nolin, për vetë mprehtësinë demaskuese të Konicës dhe pozicionin si kryetar i “Vatrës”, shoqërisë më të madhe patriotike. Ishte kjo arsyeja që në 9 nëntor 1922 në Kuvendin Kombëtar Noli dhe Gurakuqi morën në mbrojtje Konicën dhe “Diellin” nga sulmet e deputetëve proqeveritarë.
Akuzën e Mehdi Frashërit kundër Konicës e mbyll kryeministri Xhafer Ypi: “Dielli” paska thënë se shqiptarët nuk kanë vleftë dhe nuk meritojnë për indipendencë… në rast se kryesia e Vatrës nuk e hjekin atë kryetar, e vazhdon Dielli në këtë mënyrë, të gjithë pjesëtarët e Vatrës kanë me u quajtur si komplotistë të Faik Konicës”.
Noli realizoi se me dënimin e Konicës, do t’i vinte radha të dënohej e tërë opozita prej Ministrit të Brendshëm Ahmet Zogu. Ai përcaktoi taktikën e mbrojtjes së Konicës, të pashkëputur prej Vatrës, pavarësisht nga gabimet në lidhje me çështjen shqiptare në të kaluarën, duke lënë të nënkuptohet se opozita kishte një mbështetje të madhe te shqiptarët që kishin kontribuar te “Vatra”.
Mijëra vatranë ishin kthyer në Shqipëri dhe kishin krijuar degët e Vatrës, duke mbështetur përfaqësuesin e tyre në parlament, organi i tyre në Korçë ‘’Shqiptari i Amerikës’’, u bë mbështetje e fuqishme e Nolit duke propaganduar fjalimet e tij. Në këto rrethana Noli u detyrua t’i ngrinte Faikut një monument poetik: “Duke dënuar Faikun keni për të dënuar edhe Vatrën, edhe anëtarët e saj që e kanë zgjedhur për Kryetar…Guverna juaj mezi mblodhi me pahir një hua të brendshme prej 100.000 franga në vitin 1922 pasi u zgjidh çështja e kufirit, ndërkohë që Vatra i mblodhi Guvernës një hua prej 1 milion franga ari më 1920, kur puna e Shqipërisë ishte ende në rrezik…po të mos kishim pasur burra idealistë si Faiku, Shqipëria nuk do të ishte e lirë sot…rrimë në sofrën të cilën Faiku është përpjekur tërë jetën e tij të na e shtrojë, korrim drithin që ka mbjellë Faiku…nderojmë kryetrimin dhe patriotin Faik, jeta e të cilit është një Lushnjë që në krye e gjer në fund….”
Në të vërtetë këto fjalë i përkasin Nolit, pasi në vitin 1920, Konica ka qenë në Europë, në Itali, ku i shërbente imperializmit italian. Në vitin 1921 u kthye në Amerikë, por një fisnik si Noli, nuk mund t’i ngrinte lavdi vetes, ndaj e ekspozoi veprën e tij në udhëheqje të “Vatrës”, si meritë e Faik Konicës. Kundër kujt e mbrojti Noli Faik Konicën? Kundër çifligarëve, bejlerëve dhe Ahmet Zogut. Ku e futi kokën Konica, pasi hodhi poshtë shokët e tij të armëve: Nolin, Gurakuqin, Avni Rustemin? Në prehrin e çifligarëve, bejlerëve dhe Ahmet Zogut!
Ky ishte “kryekalorësi i indipedencës shqiptare”. Lind pyetja: vërtet nuk e dinte Noli qëndrimin proitalian të Konicës në vitin 1920, luftën kundër qeverisë së Lushnjës, qëndrime që rrezikonin pavarësinë dhe integritetin e Shqipërisë së pavarur? Paditja që i bëri Noli dy vjet më vonë Faik Konicës, na bind se i dinte fare mirë qëndrimet antishqiptare të tij, por duke mbrojtur Faikun, Noli mbronte opozitën, krahun që synonte të merrte pushtetin politik në rrugë konstitucionale, për një Shqipëri të pavarur dhe demokratike me orjentim perëndimor. Një atdhetar e ka qortuar Nolin për këto ekzaltime: “Faiku u bë legjendë në imagjinatën e shumë shqiptarëve, për këtë vepër nuk ka tjetër njeri më përgjegjës se Peshkop Noli”.
Zigzaget politike të Faikut do ta çonin në akuza të paprincipta, fyerje dhe injorime ndaj Nolit. Faik Konica në shënjestër të sulmeve të paprincipta vuri: vëllezërit Frashëri, Shahin Kolonjën, Luigj Gurakuqin, Ismail Qemalin, Kristo Luarasin, Avni Rustemin, patriotët e Shoqërive të Stambollit, të Bukureshtit, Egjyptit, arbëreshët e deri te demokratët e antifashistët e viteve 1920-30. Ai goditi lëvizjet popullore e kombëtare luftarake, kulturore, gjuhësore, arsimore dhe letrare e publicistike, që nga kryengritja e Tanzimatit, Lidhja e Prizrenit, Kongresin e Manastirit, Kongresin e Lushnjës, Qeverinë Demokratike të Nolit, pa hequr dorë nga natyra prej mercenari të fjalës e të penës në shërbim të atyre shteteve e autoriteteve që e paguanin. Lind pyetja: përse ky njeri i kulturuar u vendos kundër Rilindjes Kombëtare dhe patriotëve shqiptarë?!
Vangjel Koça do të sqaronte: “Konica në vend që ta merrte problemin e brendshëm shqiptar si problem edukate…për fat të keq e mori si problem kamzhiku dhe sharjeje. Mirëpo bota shqiptare e Rilindjes e tëhu s’kishte nevojë për një “shigjetar” a la Faik, kishte nevojë vetëm për edukatorë, për pedagogë”.
Taktikat me Zogun
Fillimisht Konica e ka diskretituar Ahmet Zogun në dhjetra shkrime: “Bota e tërë e dinë se Ahmet Zogu nuk është veçse një komitaxhi serb i mbuluar me maskën e një qytetari shqiptar!…Zogu merrte para dhe nga Italia…një ministër (faqe me nder) që pëlqen ryshfetet nga një guvernë e huaj, pse të mos marrë nga dy, tre, nga disa guverna të huaja?”. Me hypjen ne fuqi të Zogut në dhjetor 1924, Konica do të shprehej: “I vetmi njeri sot që mund të shpëtojë Shqipërinë është Ahmet Zogu”.
Konica përpunoi një justifikim të studiuar për pozitën e re politike: “Fundi i Revolucionit të Qershorit qe një shkatërrim dhe maskarallëk pa emër. Ç’mund të bënim? Dy udhë qenë të hapura për ne. Vazhdim i përkrahjes së maskarallëkut gjersa të bëhej gjak dhe të prishej Shqipëria, ose të kthyerit në politikën e parë të Vatrës, e cila ka qenë të vënit përpara të Zogut si kryetar i Shqipërisë; zumë udhën e dytë…”.
Asnjëherë “Vatra” nuk e ka diskutuar apo projektuar Ahmet Zogun si kryetar të Shqipërisë, përkundrazi, ai gjithmonë ka qenë në qendër të kritikave dhe sulmeve të “Vatrës”, por Konica vazhdon hosanatë: “Presidenti Zog ka disa ideale politike të caktuara, t’i jepet fund armiqësisë që ka mbetur gjer më sot në Shqipëri, të vendoset disiplina, t’u pritet sulmi rebelëve dhe t’u vihet demagogëve një hallkë në hundë. Të ç’rrënjoset sëmundja e shoqërive të fshehta”.
Për të përligjur monarkinë, si forma më e mirë e qeverisjes dhe e bashkimit të popullit rreth regjimit çifligar, ai përdor arsye politike, historike dhe argumente psikologjike, se gjoja kjo përputhej më tepër me mentalitetin dhe psikologjinë e popullit shqiptar. Konicën e ngazëllon shpallja e monarkisë. Ai e vë penën e tij në shërbim të Zogut: “Mbreti është prej katër dyerve më të mëdha të Shqipërisë! Zogu përmban një energji të çuditshme…Shqipëria ka nevojë për një dorë të fortë…Shqipëria, që të shtrohet, të stabilizohet, e të hyjë në udhën e reformave e të qytetërimit, ka nevojë për një dorë të hekurt dhe se ajo dorë, është Ahmet Zogu”.
Për këto sherbime, falë ndërhyrjeve të sherbimeve të fshehta, Zogu e emëron ambasador i Shqipërisë në SHBA, dhe me shpalljen monarkisë Dielli shkruan:
“Kryetari ynë i nderuar vete në Tiranë për të shfaqur respekt mbretit dhe për të shpënë traktatin e miqësisë që nënshkroi midis Amerikës dhe Shqipërisë, por shumë Vatranë dhe shqiptarë të Amerikës, që dëshirojnë përparimin e vendit të tyre urojnë që z. Konica të mbetet në Shqipëri dhe të japë në mënyrë efektive shërbimet e tij mbretit dhe Atdheut”.
Kjo ishte dëshira e parealizuar e Konicës nëpër vite, prandaj në intervistën dhënë “Gazeta e Re” Tiranë, Konica shpalos tërë frymëzimin e tij prej lajkatari dhe servili ndaj monarkut: “Madhëria e tij më priti me një fisnikëri që ma shtoi edhe më tepër nderimin që kam pasur për karakterin e tij. Përveç një grushti njerëzish të paguar nga Moska me anë të zyrës bolshevike në Vjenë, pritja e monarkisë në mes të shqiptarëve të Amerikës ka qenë përgjithësisht e shkëlqyer”.
Dhe, si për t’i vënë kapakun këtij servilizmi, Konica në shkrimin e gjatë “Shqipëria si m’u duk”, shkruante: “Mbreti është pasqyra e mirësisë së shpirtit. I ka hije kurora e mbretërimit,…Të spastruarit nga të liqtë, të qëroj grurët nga kashta…i ftoj gjithë shqiptarët e mirë të bashkojnë urimet e tyre për një mbretërim të gjatë të madhërisë së tij!”. (Dita)