Është një reagim pozitiv shkrimi i Xhevdet Shehut për merita të shkrimtarit Ismail Kadare në zhvillimin e gjuhës shqipe, përqasur me gjuhëtarin e mirënjohur, prof. dr. Xhevat Lloshi. Vërtet Kadare në tërë krijimtarinë e tij origjinale e shkrifëroi edhe më tej dheun e ngjeshur të gjuhës shqipe, “gjuhë që provoi / Akrepët e shkretëtirës, gjuhë martire/ lehonë e përjetshme/ Që lindi mes Dhembjesh/ Art të pavdekshëm”, por Ai ka meritën e madhe se e zhvilloi gjuhën shqipe përmes një mendimi dhe vetëdije të përparuar, e ndërlidhi me nyjet e identitetit kombëtar, si një imazh artistik për Shqipërinë që i takojnë kohërave të ndryshme dhe situatave të larmishme të historisë kombëtare.
Me gjuhën e tij të bukur, Kadare përfshiu konfliktet e thella të jetës në kohën që jetoi, dhe kjo, përbën kryesoren. Disa analiza e interpretime që janë bërë për veprën e Kadaresë nga disa profesorë universitetesh të botës, e pretenciozë vendas, tingëllojë të ftohta, të mekura, karakterizime libreske, që nuk arrijnë të zbulojnë as autenticitetin e jetës shqiptare as konkretësinë e situatave politike, ideologjike dhe ekonomike, kur u formua dhe krijoi ky shkrimtar. Të gjitha vlerësimet për Kadarenë në arenën ndërkombëtare, shprehin faktin se Shqipëria kulturalisht, estetikisht, intelektualisht është Evropë dhe botë e emancipuar. Kadare është një dëshmi, se Shqipëria e asaj kohe, si në asnjë kohë tjetër, arriti të krijojë shkrimtarë me kaq identitet dhe autenticitet kombëtar.
Për Kadarenë kanë shkruar shumë kritikë e studiues si Dalan Shapllo, Razi Brahimi, Adriatik Kallulli, Alfred Uçi, Rexhep Qose, Tefik Çaushi, Jorgo Bulo, Isak Shema. Moikom Zeqo, e shumë të tjerë, të cilët kanë evidentuar vlerat ideore dhe artistike të krijimtarisë së tij letrare. Do të mjaftonte kjo panoramë, që Xhevdet Shehu të mos mbetej thjesht në çështje gjuhe, si trampolinë për të kaluar në kundërvënie: “Ismaili nuk ka nevojë për avokat. Duke qenë plotësisht i ndërgjegjshëm dhe i përgjegjshëm për vlerat që ka krijuar, ai është një nga shpërfillësit më të mëdhenj të mediokërve që e sulmojnë pambarimisht”.
Me të vërtetë Kadareja nuk ka nevojë për avokat, e ca më tepër për avokat mediokër, sepse nuk është fjala thjeshtë për Kadarenë, por për trashëgiminë letrare të tij si pasuri e kulturës kombëtare. Si do të përdoret kjo pasuri, ky ushqim shpirtëror dhe mendor nga lexuesit nëpër dekada? Xhevdeti i shmanget kryesores dhe merret formalisht me probleme që i përkasin kritikës artistike: “Për t’iu kundërvënë gjithë kësaj fame botërore të shkrimtarit, prej më shumë se dy dekadash, janë artikuluar dy akuza apo sajime që janë amplifikuar me shumë kujdes. E para: pas përmbysjes së diktaturës, Ismaili ka humbur shkëlqimin e tij si shkrimtar, duke lënë të nënkuptohet se veprat më të mira i ka shkruar nën diktaturë”.
Xhevdet Shehu nuk na thotë se ç’farë tematikë ka krijimtaria e Kadaresë pas viteve të socializmit?
Xhevdeti nuk na thotë se ç’tematikë ka krijimtaria e Kadaresë pas viteve të socializmit? Ç’frymëzim sjell vepra e tij letrare shkruar jashtë atdheut në këto vite? Çfarë e shqetëson Xhevdetin, sikur t’i mbetet Kadaresë qoftë edh ajo pjesë e krijimtarisë nën diktaturë, ku Shqipëria do të trashëgojë një pajë goxha të madhe, pa mohuar krijimtarinë e pas viteve ’90, nëse ajo është po aq e bukur artistikisht, edukative dhe frymëzuese? Nisur nga nënkuptimet, Xhevdetin e ha meraku për famën botërore, jo për veprën e Kadaresë në shërbim të kombit të vet, ndërkohë që vet Kadarenë, e ha meraku se si do të trajtohet vepra e tij madhore që tajton realitetin në Shqipërinë e viteve kur nisën shndërrimet e thella ekonomiko-shoqërore.
Me përmbysjen e bazës ekonomike të socializmit pas vitit 1990, përfaqësues nga shtresat e përmbysura, të dënuar politik, të pakënaqur për veprën me motive dhe përmbajtje socialiste të Kadaresë, iu vërsulën atij dhe krijuesve të tjerë të realizmit socialist, egërsisht! Reagimi i tyre ishte klasor, antikomunist. Nën këtë trysni, si dhe me orentimin e qarqeve të caktuara, Kadare, si një shkrimtar i angazhuar në ndonjë rast përmes intervistave ndryshoi qëndrim, duke kritikuar komunizmin të cilit ai i kishte ngritur hymne, çka në një kuptim, dëshmonte për mohim të vetvetes. Kthesa e tij, doemos zëmëroi atë kontingjent lexuesish serioz, që e kishin adhuruar krijimtarinë e tij letrare. Në një rast të tillë, metamorfoze të ngjashme, Bjelinski i shkruan Gogolit: “po nuk mund të durosh po të të prekin ndjenjën e dashurisë për të vërtetën …nuk mund të heshtësh kur nën maskën e fesë dhe mbrojtjen e kamxhikut, të të predikojnë gënjeshtrën…ju nuk e kini vënë re se Rusia nuk shpreson të shpëtojë me anën e misticizmit, as me anën e asketizmit ose të pietizmit, po me anën e sukseseve të qytetërimit të arsimit dhe të humanizmit…ajo ka nevojë për të drejta dhe ligje të frymëzuara jo nga doktrina e krishterë, por nga arsyeja e shëndoshë dhe drejtësia dhe për një zbatim të tyre sa më të përpiktë…
Dhe në këtë kohë, një shkrimtar i madh – që me veprat e tij tërë art të mrekullueshëm dhe vërtetësi të thellë i ka dhënë një ndihmesë shumë të madhe Rusisë për të njohur vetveten, për të fituar vetëdijen, del me një libër ku, në emër të Krishtit dhe të kishës e mëson çifligarin barbar t’i shtyp, t’i shajë e ti fyej sa më shumë fshatarët…Edhe sikur të ishit përpjekur të më vrisnit, nuk do t’ju kisha urryer aq sa për ato radhë të…O predikues i kamxhikut, apostull i injorancës, flamurtar i obskurantizmit, panegjirist i zakoneve tatare, ç’po bëni kështu? Si është e mundur që ju autori i “Revizorit” dhe i “Frymëve të vdekura”, t’i kini thurë lavdi me gjithë shpirt klerit të poshtër rus…Ju qëndroni shumë lart në sytë e opinionit publik rus, aq lart, saqë ky nuk mund të besojë që këto mendimet tuaja të jenë të sinqerta. Ajo që duket e natyrshme tek budallenjtë, nuk mund të duket e tillë te një njeri gjenial…ju thoshit përpara botës se do të ishit i kënaqur nga veprat tuaja vetëm po të ishte i kënaqur cari prej tyre…populli është gati ta fali shkrimtarin për një libër të keq, por kurrë për një libër të dëmshëm… “
Edhe për ndryshimet e Kadaresë, plot lexues kanë të drejtën të revoltohen dhe ta kritikojnë, por, në ndryshim nga Gogoli, Kadare ende nuk ka shkruar një vepër artistike me përmbajtje antikomuniste, është mjaftuar vetëm me fjalë gazetash e pamflete sipërfaqësore. Ai as e ka mohuar veprën e tij letrare, as nuk ka shkruar në këto 27 vjet kapitalizëm, një vepër ku t’i ngrihet himn shfrytëzimit të njeriut në Shqipëri nga borgjezia e re dhe të korrupuarit. Por, Ai, as edhe e ka dënuar këtë shfrytëzim dhe kriminalizim të shoqërisë shqiptare, sikundër ka bërë Drajzeri me “Një tragjedi amerikane” , “Gjeniu”, apo Xhek Londoni me “Thundra e hekurt”.
Dikur, përmes një grotesku Kadare ka shkruar për kapitalistin si një përbindësh: ” Ai mori pirunin / dhe mua mu duk se/ si pasta/ ndërtesat stacionet muzetë/ bëhet gati t’i hajë/Zhytur në kolltuk / hamë drek ne të dy / vërtitet mbi botë piruni i tij.(Buzëqeshja mbi botë) I bindur se: “Kapitali /duke parandjerë netët e fundit të agonisë/ me vete botën e tërë deshte të zvarriste,/ në një kaos gjaku e ulërimash tragjike”, Kadare e denoncon atë. Me këto krijime dëshmohet se Kadare është më aktual se kurrë!
Ai shqetësohej për fatet e njerëzimit, urrente luftën, dhe i ishte përkushtuar mbrojtjes së paqes, ishte përjetues e pasqyrues kontradiktash e antagonizmash tronditëse, mahnitej me arritjet e revolucinit teknik e shkencor, stigmatizonte ato shtete që frytet e gjenialitetit njerëzor donin t’i përdorin për shantazhe militariste e agresione që: “nga trupi i planetit/ si nga një plagë kozmike / do të pluskonin të gjakrat shatërvanave”, nga kapitali që botën do ta zvarrisë “në një kaos gjaku e ulërimash tragjike”.
Në këto situata që kalonte jeta ndërkombëtare dhe kombëtare, Kadare ka treguar gatishmëri për t’iu përgjigjur “alarmit të shenjtë“ të atdheut, të cilit siç pohon ai solemnisht: “të gjitha të përkasin ty Adheu im: /Jeta ime. ëndrrat, fantazitë”. Kjo është kredoja e Kadaresë. Mendojmë se këto janë më me vlerë, sesa thashethemet e pavlerë, me të cilat merret Xhevdeti.
Heroi lirik i Kadaresë është mishërim idealesh e iluzionesh të mëdha të shek. të XX, të komunizmit dhe të Shqipërisë
Ajo që duhet të diskutohet dhe të propagandohet, si nevojë për njohjen e brezit të ri sot, është uni poetik i Kadaresë, nga ç’motive është frymëzuar heroi lirik i poezisë së tij, cili ka qenë ideali i tij estetik? Në trajtë të përgjithësuar heroi lirik i Kadaresë është mishërim idealesh e iluzionesh të mëdha të shek. të XX, të komunizmit dhe të Shqipërisë, i njesuar me flakët e lëvizjeve revolucionare e të luftërave çlirimtare, me sukseset e socializmit, me bindjen se atdheu i tij është vënë në këtë rrugë me thirrjen për t’u ngjitur më lart, e konceptuar kjo në rrafsh optimizmi historik. Është një hero lirik i kushtëzuar qartë si bir i shekullit të vet. Në rrafsh konkret ky hero lirik përcaktohet në fizioniominë e vet prej realitetit shqiptar të gjysmës së dytë të shekullit me drit-hije dhe atavizma të së kaluarës dhe ardhmërisë. Brenda këtij kushtëzimi historik (shoqëror, ideologjik, politik e kombëtar), Kadare u përfshi në veprimtari krijuese me predispozitën e misionarit shoqëror. Krijimtaria e tij kishte vlerën e pasqyrimit të jetës në zhvillim revolucionar përmes kontradiktash e konfliktesh shoqërore e politike. Letërsia e tij u frymëzua nga populli, iu drejtua popullit dhe ai e pëlqeu, duke përqafuar sentencën e Hygoit: “Në art jam për të madhen kundër të voglës, në politikë jam për të vegjëlit kundër të mëdhenjve”.
Kadare pasqyroi me vërtetësi realitetin bashkëkohës, dëshmoi për partishmëri komuniste, frymë popullore dhe karakter kombëtar. Do të mjaftonin disa vargje nga poemat “Ëndërr industriale”, “Shënime për brezin tim” etj. ku shpërthen entuziazmi revolucionar: “Këta tela tensioni të lartë që zgjaten pa kufi, që si nuse të stolisura/ janë nervat e tua të ndezura / nervat e tua me çelik salduar/ nervat e tua të hekurta, Shqipëri”, ndërkohë që qeleshet e bardha të shqiptarëve i duken poetit si një “buzëqeshje mbi botë”.
Po me kaq entuziazëm, Kadare ka zbuluar madhështinë dramatike të transfornimit shoqëror: “Larg/plot reflekse do të përgjaken mjegullat prej furrnaltave”, të cilin e pasqyron me imazhe romantike: “korrenti/ çdo kalbësirë dhe ndryshk do përcëllojë/ si çelik i shkrirë i ndritshëm/ i pastër / nderi proletar do rrezullojë”, dhe më tej “në furnalta do t’i hedhim/ shpatat e vjetra/ që ne t’i shkrijmë për atdheun/ t’i bëjmë raketa“.
Eskili, Aristofani, Dantja, Shekspiri, Molieri, Gëte, Balzaku, Tolstoi, Gogoli, Hygoi, Xhek London, Gorki, Majakovski, Romeo Rolan, Po Elyar, Heminguej, Tomas Man, Bertold Breht, Pablo Neruda, Ricosi, Kazanzaqi, etj, nuk do të kishin qënë ata që njohim, nëse në veprat e tyre, nuk do të qenë pasqyruar raliteti, probleme e shqetësime të kohës, dhe ata vetë nuk do të ishin vënë në pararojë të zhvillimit të epokave përkatëse, në qoftë se nuk do të kishin synuar vërtetësinë e s’do të kishin qenë tendenciozë për çka aspironin.
Kadare mbeti i përjetshëm në letërsinë shqipe, sepse pasqyroi realitetin e epokës së tij, prandaj nuk mund ta përgjegjësojmë për këtë pasqyrim korrekt të jetës dhe realitetit historik. Në qoftë se ka njerëz që poemat: “Shekulli im”, “Ëndër industriale”, “Përse mendohen këto male të lartë”, “Shqiponjat fluturojnl lart”, apo romani “Dimri i madh”, i quajnë krijime letrare me tendenciozitet të theksuar ideologjik e politik, duhet të pranojmë se ky tendenciozitet ka qenë emancipues, përparimtar, demokratik e humanitar, tendenciozitet i luftës për ngadhënjimin e dritës, mbi errësirën, i çlirimit mbi skllavërimin shpirtëror, i shkencës mbi obskurantizmin, pavarësisht se, sikundër ka shkruar i madhi Dritëro, “sot errësira e mundi dritën”. Kjo ka të bëjë me faktor madhor ndërkombëtar, që edhe Kadareja, por edhe lexuesit, e dinin mirë luftën midis dy vijave, kapitaliste dhe socialiste, sikundër e dinë se historia lëviz përmes spiralesh.
Në rrafshin shoqëror, ideologjik, politik e moral, Kadare u bë përfaqësues i drejtimit të ri të letrar të quajtur, realizëm socialist
Në rrafshin shoqëror, ideologjik, politik e moral, Kadare u bë përfaqësues i drejtimit të ri të letrar të quajtur realizëm socialist, duke mbajtur anën e LANÇ, të pushtetit popullor, të reformave demokratike, të ndryshimeve që po ndodhnin, duke qnë i bindur se e ardhmja i përkiste socializmit. Kadare hyri në letërsi në kohën kur letërsia shqipe e pas lufës ishte në zhvillim e sipër në raport me nivelin kulturor masiv, kur shkrimtarët e rinj guxuan, dhe krijuan vepra të cilat u hapën rrugën zhvillimeve të mëtejshme të letërsisë sonë kombëtare. Kadare u bë piknisje për autorë më të rinj që mësuan jo vetëm prej arritjeve, por edhe prej mangësish, dobësish e të metash të vërejtura e të kritikuara.
Për ne, do të mbetet Kadareja i shqiptarëve, me barrën e rëndë të atavizmave mesjetarë, me vullnetin për më shumë mirëqënie, e më shumë dritë, me fuqinë për “të zbritur nga qielli Arushën e Madhe”, që me zë kumbues prej luftëtari thëriti: “Ne…fitimtarë/ nga fushat e betejave do të kthehemi/ plotë flamuj të kuq/ dhe fasha të bardha /Në kaltërsitë e mëngjezeve të ardhme /do të kthehemi /në gjokset njerëzore drejt nga gjiri i vdekjes /do të hidhemi/ se…”Nderin e Atdheut /më lart se këto male e mbajmë”. Prandaj edhe i drejtohet: “Sikur, Atdhe i shenjtë,/t’i thërrasësh brezit tonë :/Radhën ke!/Për ne alarmi yt do të jetë i shenjtë,/do jetë ligj për ne/Minat në s’maftofshin / shpirtrat tanë si mina do të vendosim/fushave të pambaruara që ti armik të mos kalosh”, dhe kjo sepse: “Ka një forcë të madhe /sot Shqipëria,/ q’u shtohet maleve, stuhive, krenarive/të saj/forca e re/ Partia”.
Ismaili, sikundër thekson me të drejtë Xhevdeti, nuk shkruajti si sejmen oborri, tonalitetin ideotematik Kadaresë ja dhanë veprat kushtuar bashkëkohësisë. Te ”Dimri i madh”, Kadare, më tepër se në çdo vepër të mëparshme paraqitet si shkrimtar politik i angazhuar, admirues i personalitetit dhe veprës atdhetare të Enver Hoxhës, njeriu që guxonte të përballej burrërisht edhe i vetëm me kundërshtarë të fuqishëm e të shumtë, i sigurt në drejtësinë e çështjes që mbronte, i vendosur të ruajë të pacënuar sovranitetin kombëtar. Kadare ka qenë i prirë t’i pasqyrojë konfliktet e romanit në plan heroiko-tragjik, si prelud tragjedish që përgatiten për luftën në skenën botërore. Në të Kadare ka sintetizuar me mjeshtëri jehonën historike, atdhetari, ndërgjegje kombëtare e shpirt revolucionar, patos politik, e motivim shoqëror, vazhdimësi e veçori brezash. A nuk e vlerësonin edhe De Goli e shumë politikanë dhe intelektualë të huaj, Enver Hoxhën? Nuk mund të thuhet se ata ishin “oborrtarë” të tij!
“Akuza e dytë – merakoset Xhevdeti – është një shkrimtar i madh, por jo i tillë si njeri. E ndajnë në mënyrë më të përbindshme shkrimtarin nga njeriu. Një njeri i keq nuk mund të bëjë vepra të mëdha…Të mjerët ju, nuk jeni në gjendje të bëni art të madh dhe mereni me vogëlima, me vese njerëzore, lehtësisht të injorueshme dhe pa kurrfarë vlere, Fatkeqësi për ju…Ismaili është njeri, dhe si njeri ka veset e tij”.
Se si ka qenë Kadareja si njeri, e dinë mirë ata që kanë provuar hakmarrjet e tij
Xhevdeti, ndonse e do Kadarenë të madh si shkrimtar edhe si njeri, duket se ka marrë përsipër të konfirmojë veset e Kadaresë, thua se kjo na qenka më e rëndësishme për të, dhe për kohën!
Nëse do të lexonte disa nga biografitë e shkrimtarëve të mëdhenj, Xhevdeti do të mësonte se ka patur shumë shkrimtarë botërorë, me probleme në etikën dhe sjelljen e tyre njerëzore: si Pushkini, Dostojevski, Jesenini, (që gdhihej birucave të policisë i dehur), Turgenievi, Heminguei, Pol Verlen, e qysh në antikitet me Safon. Kohët e fundit për Kadarenë si shkrimtar i madh dhe njeri i vogël, ka shkruar edhe një nga personalitetet e letërsisë tonë, bashkëkohës i Kadaresë. Si mund të jetë kaq i papërgjegjshëm Xhevdet Shehu, të përgjithësojë si mediokër të gjithë ata që kanë vërejtje për Ismailin, si njeri, kur mes tyre janë prezantuar si të tillë edhe krijues me vlera kombëtare! Xhevdeti nxiton t’i deklarojë Kadaresë devotshmërinë e tij të pafund, por në vend që ta mbrojë, e ekspozon për anën e diskutueshme. Se si ka qenë Kadareja si njeri, e dinë mirë ata që kanë provuar hakmarrjet e tij, por kjo s’ka rëndësi për lexuesin dhe kulturën kombëtare shqiptare, e cila konservon vlerat letrare dhe artistike, jo veçoritë psikologjike të karakterit të autorit, kjo le të mbetet individuale për sejcilin lexues.
Përse Xhevdeti kërkron medoemos ta bëjë Kdarenë njeri të Madh! Pas 100 apo 200 vjetësh, nuk do të thonë se si ka qenë Kadare si njeri, por sa bukur ka shkruar për Shqipërinë e viteve ‘60-80, e ndoshta edhe më von, sikundër thonë për Balzakun, Hygoin etj. Ismaili është pronë shpirtërore e çdo shqiptari për krijimtarinë e tij, jo për veset e tij.
Xhevdeti bën një “zbulim”, sikur veprat kryesore të tij, Kadare “i ka realizuar në kulmin e zymtësisë së diktaturës”! Po e ballafaqojmë me diskutimin e Kadaresë në Kongresin e II të LSHA: “Sot letërsia jonë ndodhet përpara një faze të re zhvillimi. Tipari kryesor i kësaj faze të re, është thellimi i mëtejshëm i karakterit socialist të saj. Kur socializmi të hyjë dhe të bëhet pjesë organike e veprave tona , kur ai të futet në çdo qelizë, në çdo ind të veprave tona, ne do të kemi arritur një sukses të madh. Ky do të jetë çelësi me anë të të cilit, ne do të zgjidhim shumë probleme të tjera që na kanë munduar dhe na mundojnë vazhdimisht”.
Të tilla qëndrime të Kadaresë mund të sjellim me dhjetëra, por Kadare nuk kritikoi e nuk pasqyroi të metat e sistemit, më shumë se sa i kritikonte ato, vetë Enver Hoxha në Plenume, Kongrese e mbledhje të ndryshme partie. Ishin këto vërejtje për praktikën socialiste e kuadrot e saj, nxitje që e frymëzonin dhe e bënin të guximshëm Kadarenë në trajtimin e kontradiktave të kohës, nga të cilat nuk u rrezikua kurrë. Letërsia në çdo kohë ka qenë pasqyrim i njëmendësisë shoqërore të epokës përkatëse, dhe Ismaili ka qenë e mbetet zëdhënës idesh dhe prirjesh shoqërore, ideologjike e politike, nëpërmjet të cilave ka shprehur qëndrime ideo- emocionale ndaj dukurish e procesesh të vërtetësishme si: nismat revolucionare, lufta kundër burokratizmit, lëvizja për emancipimin e vajzave e të grave, sulmi kundër patriarkalizmit e meskinitetit mikroborgjez etj. për Kadarenë letërsia ishte dëshmi artistike e kohës, me funksione njohëse dhe vlerësuese, ishte formë e posaçme e ndërgjegjes shoqërore e jo trillim, që s’paska të bëjë me realitetin.
Disa lexues sensibilizohen përse Kadare shprehet kundër socializmit dhe Enver Hoxhës, për të cilët ai u përkushtua tërë jetën. Këta lexues harrojnë se Kadare jeton në një sistem kapitalist, në një vend të huaj dhe nën trysninë e “censurës së tregut”, formë e kamufluar e censurës ideologjike e politike. Atij i duhet të jetojë, të manovrojë me koncepte abstrakte, me figura metaforike e surrealiste, me goditje anësore, pa prekur thelbin e veprave të vet. Po sjellim një shembëll nga intervista tij e fundit në gazetën “L’Ekspres”, botuar në gazetën Dita, 27 janar 2017: tema është për mohimin e kafeneve në epokën e socializmit, ku “shkëmbeheshin mendimet e lira”:
-gazetarja: “A mendoni se “ideokracitë” komuniste, duke penguar këtë lloj shkëmbimi, arritën më në fund të shkatërrojnë jetën letrare”?
-Kadare: “Për fat të keq po, në pjesën dërrmuese! Sepse regjimet e llojit të Enver Hoxhës, kanë shkëlqyer në krijimin e artificeve qesharake dhe për të ardhur keq, të cilat, me lejen e tyre ishin të destinuara për të zënë vendin e gjithçkaje që kishin ekzistuar para tyre…Një nga obsesionet më konstante të Enver Hoxhës, ishte të mbyste këtë jetë kafenesh. Me rënien e murit të Berlinit, shqiptarët iu kthyen me gëzim kafeneve. Është logjike: kur sundon një ideologji e hekurt, nuk ka më vend për lojën e lirë të mendimeve”.
Për këtë deklaratë ironike, Kadare duhet të përshëndetet, sepse pohon një të vërtetë që e lartëson Enver Hoxhën dhe realitetin shqiptar. Enver Hoxha nuk i la njerëzit kafeneve, megjithse të tilla kishte plot nëpër Shqipëri, madje shkrimtarët kishin klubin e gazetarëve dhe klubin e Lidhjes së Shkrimtarëve, por i futi të tërë në punë, ku nuk bënin dot llogje kafenesh, por prodhonin të mira materiale. Mendimt e lira në epokën e socializmit, populli dhe rinia i thoshin, skundër ka shkruar Kadare atëherë, pranë turbinave, hidrocentraleve, brezareve, furrnaltave, kombinateve, uzinave dhe fushave të lulëzuara.
Për kundër kësaj manovre, më poshtë Kadare evidenton: “Vendlindja ime, e cila është një joshje mesjetare, u quajt Gjirokastër. Popullsia ishte shumë armiqësore ndaj komunizmit, dhe frekuentimi i kafeneve ishte shumë i përhapur. Për mua dhe shokët e mi në klasën tonë të shkollës së mesme, duhet të kemi qenë 12 apo 13 vjeçarë, një nga shenjat më të dukshme të lirisë ishte të kishte mundësi të shkoje në kafene”.
Nëse do të pyesnim Kadarenë: frekuentimi i kafeneve ishte shumë i përhapur, apo duhej rrëzimi i murit të Berlinit që shqiptarët t’u ktheheshin me gëzim kafeneve? Përderisa frekuentimi i kafeneve, ishte shumë i përhapur në Gjirokastër në kohën e komunizmit, përse 12 vjeçari Kadare dhe mosha e tij nuk shkonte në këto kafene?! Kjo kontradiktë brenda të njëjtës intervistë, nuk është lajthitje e Kadaresë, por lojë fjalësh me gazetarucet që u pëlqen të shkruajnë kundër komunizmit dhe Enver Hoxhës për të shitur gazetën! Kadare e kupton fare mirë se, vendi i 12 vjeçarëve për të shkëmbyer mendime të lira, nuk është kafeneja, as mungesa e tyre në Gjirokastër, përveç dhjetra syresh, që kishte brenda qytetit, u ndërtuan kafenetë e bukura në Këcullë dhe në Virua, prandaj lexuesi nuk ka pse sensibulizohet për talljet e Kdaresë ndaj gazetarësh fluturakë, që i bëjnë hyzmet kohës. Kadare, kundrejt leverdisë së tij, duke e kuptuar kërkesën e tregut mediatik, ua plotëson dëshirën, sepse nuk humbet asgjë, as vendi i tij Shqipëria nuk humbet asgjë, nga këto pohime antikomuniste, kur sot shqiptarët po mbushin kafenetë me llogje pazari, sepse nuk kanë punë! Mund të sensibilizohemi, nëse Kadare do të mohonte faktin se rinisë nuk i mungonin shkollat, nuk i mungonin bibliotekat dhe mjediset sportive e artistike, ku ata ushtronin aftësitë dhe talentet e tyre, aksionet e marshimet ditën dhe natën, ku rinia diskutonte dhe çuçuriste për mendime të lira dhe dashurore…
Krijimtaria e Kadaresë ka karakter thellësisht human, emancipues, qytetërues, përparimtar e revolucionar
Krijimtaria e Kadaresë ka karakter thellësisht human, emancipues, qytetërues, përparimtar e revolucionar, përshtat shndrimeve shoqërore që janë kryer në Shqipëri, me bindjen mbi epërsinë e rendit socialist, dhe mbi drejtësinë e vijës së PPSH. Veprat më të mira artistike të Ismail Kadaresë, janë fryt njohjeje, lidhjeje shpirtërore e përkushtimi atdhetar. Prandaj nuk ka pse, nga ndonjë intervistë e rastësore, apo pasazh antikomunist, të shtrëmbërojmë buzët dhe të heshtim para veprës së tij madhore mbi Shqipërisë Socialiste.
Vetë Kadare ka shkruar se: “s’na u ndanë armiqtë/ Të neveritshmit, barbarët/armiqtë/ Të pabesët, provokonjësit / armiqtë, shekullorët…” Janë pikërisht këta armiq që e përgojojnë Kadarenë dhe që duan të na largojnë ne dhe brezat e rinj, nga vepra e tij, të cilën, Ai e ka ribotuar disa herë të plotë, pa mohuar asnjë prej tyre. Brezat do të lexojnë veprën, do të frymëzohen prej saj, dhe jo prej llafeve që tiren gazetave me mendjelehtësi, apo rrugëve…Njerëzve të ndershëm u duhet më tepër vepra e Ismail Kadaresë, sesa një fjalë e thënë në mënyrë fluturake. (Dita)