Fitim Islam Duraku (27.9.1975 - 4.4.1999)

Fitim Islam Duraku (27.9.1975 – 4.4.1999)

Rrugët magjistrale, rajonale dhe rurale gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Pashtrikut ishin pikat më të shtrenjta në të cilat që prej 24 prillit të vitit 1998 pozicionoheshin njësitet elite të policisë serbe, të ushtrisë dhe paramilitarët e ndihmuar prej argatëve shqipfolës që ia kishin zanat përgatitjes së pritave, pusive e të tradhtive. Kështu, në aksin e rajonales Xërxë – Rahavec, më 27 maj të vitit 1998, ndërmjet fshatrave Fortesë e Xërxë, marrin përjetësinë: Feim Gashi, Përparim Thaçi e Sakip Bellaqa, më 18 – 23 korrik, po afër fshatrave Fortesë e Xërxë, marrin përjetësinë: Gani Paçarizi, Tafil Zyberaj e Skënder Jahë Kastrati, më 15 gusht afër magjistrales Prizren – Gjakovë, Remzi Ademaj, ndërsa më 6 nëntor në aksin e rurales Rahavec – Therandë, afër fshatit Apterrush edhe Xhelal Hajda – Toni, Selajdin Mullabazi – Mici, Hamdi Hajrizi, Bektesh Haliti e Nezir Ymeri, më 21 janar të vitit 1999, Skënder Rexhepi, më 27 janar te “Ura e Terzive”, Kasim Shala e Hamdi Berisha, më 28 janar buzë magjistrales Prizren – Gjakovë edhe Gaspër Karaçi e më 29 janar te “Ura e Rogovës”, gjatë përpjekjeve për ta trupuar magjistralen ranë edhe: Agim Zeneli, Agron Rama, Sejdi Rama, Ilir Merturi, Vejsel Abdyli, Naim Gashi, Daut Kelmendi, Sahit Krasniqi, Valon Gashi, Gëzim Ademaj, Agush Gjocaj, Bahtjar Morina, Emrush Çeta, Haxhi Lipjani, Luan Islamaj e Naim Dreshaj, kurse gjatë majit edhe Pal Paluca, Fetah Gega e Xhavit Bajraktari në aksin e magjistrales Prizren – Therandë, e Bedrush Avdi Gashi në ruralen Rahavec – Palluzhë.
Ky varg emrash të dëshmorëve të lirisë flet se arteriet e kalimit nëpër Zonën Operative të Pashtrikut për t’u lidhur me Zonën Operative të Rrafshit të Duakgjinit, të Drenicës e të Nerodimes u lanë me gjakun e një plejade të djelmoshave që aktivitetet luftarake i zhvilluan pranë këtyre rrugëve dhe ranë bri cepave për të mbetur fanarë kah shtetësia e Kosovës. Në këto arterie rrugore e në një pritë të këtillë, ndërmjet fshatrave Sopë e Fortesë, më 21 janar, kur merr përjetësinë komandant Skënder Rexhepi e plagosen Xhavit Elshani, Mustafë Bajraktari, prej plagëve të kësaj prite, më 4 prill pushon zemra e Fitim Islam Durakut nga Krusha e Madhe.
Dëshmori i kombit Fitim Duraku është i lindur më 27 shtator të vitit 1975 në fshatin Krushë e Madhe të Anadrinit të Rahavecit. I ati Islami, zejtar i vyeshëm ëndërronte për t’i shkolluar të fëmijët e tij: Nasiben, Veliun, Ikballin, Dritën e veçanërisht Fitimin. Po këtë dëshirë e ëndërronte edhe nëna Rabije, bijë e Gashëve të Studençanit, e cila ëndërronte që Fitimi t’i bëhej si profesor Ukshini. Shkollën fillore, Fitim Duraku, e kreu në vendlindje ku vazhdoi edhe gjimnazin i cili sot mban emrin e Xhelal Hajdës – Tonit, që Fitimi e kishte nipash, shok, bashkëluftëtar dhe komandant në Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Si nxënës, merr pjesë në Protestat e Janarit për ta ndezur “Flakën e Janarit” më 27 janar të vitit 1990. Për pjesëmarrje në këto protesta, Fitimi ishte i organizuar me të gjithë anëtarët e familjes së madhe patriotike Duraku, e cila në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dha mbi njëzet luftëtarë e prej tyre katër dëshmorë. Pas mbarimit të shkollës së mesme, Fitimi regjistrohet në Degën e Gjeografisë pranë Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore në Universitetin e Prishtinës, ku i kishte të gjithë krushjanët që hapëronin shtigjeve të profesor Ukshin Hotit, e të cilin edhe Fitimi e kishte idol.
Gjatë studimeve në Prishtinë, Fitimi është i organizuar me veprimtarët: Ismajl Kryeziu, Mensur Zyberaj, Bedrush e Feim Gashi, Muhamet Malësori, Behajdin Hallaqi, Hysni Duraku, Bekim Gashi, Enver Duraku, Dalip Behra e Ismajl Gashi, sot dëshmorë të kombit e me Fatmir Limajn, Smajl Latifin, Rexhep Hotin, Bedri Zyberajn e Arsim Shtërbanin, Fatmir Kadirin, Mifterem Gashin e Afrim Popajn, sot veprimtarë.
Për studentin e ri, Fitim Duraku, ato ishin vitet kur shtohej dhuna policore çetnike, por edhe koha e vlimeve dhe e kulmimit të veprimtarisë ilegale në Rrafshin e Anadrinit, veçanërisht në fshatrat: Krushë e Madhe, Qëndresë, Drinas, Drenaj e Fortesë ku rinia mblidhej rreth Nait Hasanit, Smajl Latifit, Mensur Zyberajt, Dervish Çadrakut, Durmish Gashit dhe profesor Ukshin Hotit.
Rrethanat e disfavorshme për arsimin shqiptar dhe veçanërisht mbi rininë studentore, ndikuan në formimin e karakterit të fortë dhe në vrullin luftarak të Fitim Durakut, prandaj çdo herë është në krye të protestave për mbrojtjen e arsimit, por edhe në manifestimet për mbështetjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Takimi i Marsit në Has dhe funksionalizimi i korridorit logjistik të Hasit që kalonte nëpër Krushë të Madhe, Celinë, Fortesë, Sopë, Drenaj e Zatriq, ngjalli veprimtarinë guerile dhe aktivitetin e Këshillit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ndikim të veçantë në zhvillimin e situatës në terrenin e Anadrinit patën luftimet e 24 prillit të vitit 1998 të zhvilluara për shpërthimin e “Pritës te Përroni i Keq” në aksin e magjistrales Prizren – Gjakovë, te Krusha e Vogël dhe Pirana, kur shkatërrohet patrulla mobile çetnike dhe ngadhënjen njësiti i djelmoshave të Adem Jasharit. Ky moment ishte vendimtar për Fitim Durakun, Bekim Gashin, Agim e Sami Nallin, Hysni e Enver Durakun, Hida, Isak, Ismet, Sedat, Sinan, Shukri e Visar Hotin, Naser e Sahit Kraniqin e shumë studentë të tjerë anadrinas, që pushojnë me “kërkimin e dijes” i ndërprejnë studimet e braktisin Prishtinën për të zbritur në Rrafshin e Anadrinit dhe u bashkohen kolegëve – studentë: Mensur e Bedri Zyberajt, Bedrushit, Feimit, Islamit, Florimit e Beqir Gashit e Përparim Thaçit që gjendeshin me pushkë në dorë, nëpër male, e që sot janë dëshmorë të kombit, invalidë e veteranë të pambrojtur e të burgosur.
Studenti Fitim Duraku, me vëllezër, me nipa, me dajallarë, me mbesa e kushërinj, organizohet në formacionin e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fshatin Drenaj të Anadrinit për t’i mbaruar stërvitjet e para në Zatriq te komandant Xhemë Gashi – Gjermani. Luftimet në fshatin Fortesë, më 18 korrik të vitit 1998, kur divizioni famëkeq i Mane Marçetiqit nga Prizreni, pretendon për të depërtuar në Rahavec, Fitimin e gjetën luftëtar të përgatitur mirë sa për luftë frontale, aq edhe për depërtime e aksione guerile. Merr pjesë në Betejën e Fortesës dhe nuk tërhiqet për asnjë çast, ndërsa rënia e dëshmorëve: Agim Kelmendi, Gani Paçarizi, Tafil Zyberaj e Skënder Jahë Kastrati, bëri që Fitimi të forcohet e të qëndrojë heroikisht në Fortesë e Rahavec deri në tërheqjen e qytetarit të fundit për ta shpëtuar prej zjarrit që e pati kapluar e mbuluar Anadrinin.
Në këto luftime për mbrojtjen dhe tërheqjen e popullatës civile rezistoi deri më 2 gusht 1998 nëpër luftimet e frontit të Anadrinit, veçanërisht në “Lugun e Shqipeve” më 26 korrik dhe në “Lugun e Thatë” (Burim i Epërm – Maqinë – Drenaj), ku “Djemtë e Krushës” shkëlqejnë në krye të çdo operacioni. Pas 2 gushtit, edhe kompania e Krushës së Madhe ndjeu nevojën për riarmatosje, sepse Betejat e Anadrinit (Përroni i Keq, Bardhatini, Gardhishti, Drinasi, Bokat e Kromnikut, Apterrushi, Retia, Fortesa, Rahaveci, Lugu i Shqipeve) dhe aksionet guerile e patën dobësuar në rrafshin logjistik Brigadën 124 “Gani Paçarizi”, veçanërisht kompaninë e Krushës së Madhe.
Në luftimet te “Udhëkryqi i Apterrushit” më 6 nëntor të vitit 1998, Fitim Duraku me kompaninë e Krushës së Madhe shpërthen rrethimin dhe në krye të togut të policisë ushtarake lufton për tërheqjen e të plagosurve. Në këto luftime shkëlqen së bashku me Ismail Gashin dhe Dalip Behrën, sot dëshmorë të kombit.
Rënia e profesor Muhamet Malësorit, Skënder Hamelit, Hysni Durakut, Sinan, Hida, Isak, Sedat e Ismet Hotit, më 3 dhjetor 1998, në Malet e Gurrazhubit, për Fitimin, për Krushën e Madhe, për Anadrinin dhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës u bë një tronditje e thellë, por Fitimi me Ismail Gashin dhe Ismail Kryeziun vendos për të depërtuar në Hasin, tashmë të gardhuar prej forcave policore, ushtarake e paramilitare çetnike serbe.
Më 14 dhjetor 1998, Fitimi gjendet në operacionet për tërheqjen e luftëtarëve të lirisë nga rrethimi në “Lugun e Zi”, kurse së bashku me Dalip Behrën dhe tërë farefisin siguron kolonën e kortezhit prej Krushës së Madhe deri në Palac të Skënderajt, duke shpërthyer bllokadat serbe te Mirusha dhe Llazica.
Më 21 janar të vitit 1999, Fitimi së bashku me komandant Skënder Rexhepin dhe bashkëluftëtarët Xhavit Elshani e Mustafë Bajraktari, ngarkon veturën me armatim dhe niset për në destinacionin Rrafsh i Dukagjinit. Gjatë udhëtimit ishte planifikuar një aksion kundër forcave serbe të pozicionuara në pikat: “Bardhabreg”, “Bërnjakë” e “Mali i Vogël”, ku forcat serbe ndihmoheshin edhe prej kolaboracionistëve shqipfolës. Dhe kështu, në kodër të “Bardhabregut”, afër fshatit Sopë (ish – Sopniq) merr përjetësinë eprori Skënder Murat Rexhepi, kurse plagosen Xhavit Elshani, Fitim Duraku e Mustafë Bajraktari. Në tërheqje të të dëmtuarve marrin pjesë luftëtarët e Brigadës 124 “Gani Paçarizi” e veçanërisht bashkëluftëtarët: Fatmir Dushaku, Xhavit Gashi, Ilir Popaj, Enver Duraku, Isa Gashi, Agim Popaj, Selami Popaj, Shefki Thaçi, Shefqet Thaçi e Bashkim Gashi, ndërsa për kurimin e Fitimit në spitalin e Pagarushës u kujdesën Dr. Ali Hoti, Dr. Xhemal Dana, Dr. Fahredin Hoti, Dr. Besnik Nuredini e Enver Hoti, nën përkujdesjen e Dr. Agim Hazrollit dhe të Milaim Hysenit, e pranë i rrinte edhe i ati, Islam Duraku, plak i vendosur. Me gjithë kujdesin maksimal, më 4 prill të vitit 1999 në Kleçkë merr përjetësinë Fitim Islam Duraku. Varrimi i tij bëhet në Kleçkë ndërsa pas ndërprerjes së aktiviteteve luftarake rivarroset në “Kopshtin e Dëshmorëve” të Krushës së Madhe pranë bashkëluftëtarëve dëshmorë e pranë krushjanëve, shumicës së të cilëve nuk i dihen shenjat sepse ende shpresohet për të zhdukurit e këtij fshati në mesin e të cilëve Fitimi ka të anë, Islamin, xhaxhallarët, Eqremin e Ismetin dhe shumë anëtarë të tjerë të farefisit Duraku. Në “Bardhabreg” qëndron lapidari për Skënder Rexhepin dhe Fitim Durakun, mermer ky që flet se shumë të këtillë kanë mbushur rrugët, shtigjet, kodrat, fushat dhe malet e kësaj Kosove që po lahet me gjak në luftë kundër shkaut të pabesë tash e një shekull. (S. C.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …