Në rrethanën kur LDK përbënte pjesën më numerike qytetare, që identifikoheshin me të, kur ajo nuk përfaqësonte një parti politike por nje lëvizje, është e gabuar tendenca e veshjes dhe lidhjes së përkatësisë politike të viktimave që pësuan në rrethanë të luftës, me LDK-në e cila tani është opozitë!
LDK ishte një organizëm që brenda saj përbënte njerëzit të cilët nuk përfaqësonin ndonjë profilizim, orientim të veçantë apo të dallueshëm, që mund të bëhej cak i atakimeve politike apo të çfardo natyre tjetër. Për tërë atë strukturë, emërues dhe orientim i përbashkët ishte opsioni paqësor për arritjen e lirisë apo pavarësimit nga Serbia! Shumica e qytetarëve të Kosovës atëbotë, kishte këtë orientim, sepse kjo ishte njëherësh edhe identifikim me një alternativë që e kishte ofruar udhëheqja e LDK-së! Ishte organizim i legalizuar formalisht për konkurrim në ate terren politik dhe ishte më e lehtë ti besohej e të pasohej, sepse për aleat kishte frikën nga brutaliteti i dhunës serbe!
Udhëheqja e LDK- së kishte vlerësuar sutuatën socioekonomike dhe psikologjike të masës nën okupim dhe kishte zgjedhur që pikërisht këtë gjendje shpirtërore dhe këtë frymë ta shfrytëzonte, duke e ngritur në nivelin e një filozofie politike udhëheqëse të saj, me besueshmërinë që kjo do të ishte varianti më e lehtë dhe më e pasuar!
Dhe është e natyrshme që shumica përherë të përqafoje rehatinë dhe angazhimin që do të mund të rezultonte me sa më pak sakrificë.
Ishte shumë e besueshme që kjo udhëheqje që bënte thirrjet për paqe, të faktorizohej duke marrë rolin e timonierit legjitim të vendit! Dhe jo rrallë masat, duke besuar, kishin dhënë legjitimitetin dhe orientimeve të gabuara!
Asnjë popull asnjëherë nuk do të çlirohej duke i filluar veprimet çlirimtare nga momenti kur do të arrinte statusin e palës së barabartë nderluftuese me pushtuesin, sepse kjo s do të arrihej kurrë!
Andaj rolin prijës në këtë rrethanë do të duhej të merrte një pjesë e idealistëve sakrifikues që përfaqësonin idenë e stërprovuar dhe të besueshme, se për tu çliruar do të duhej veprime aktive të cilat njëherësh për pasojë mund të prodhonin dhe humbje njerëzore e materiale!
Në këtë rrethanë diametrale të përjetimit, dikujt mund edhe t’ i prisheshin llogaritë, komoditeti apo qetësia!
Gjasa është përherë më e madhe që të pësonte ndonjëri nga pjesëtarët me përkatësi të masës numerikisht me të madhe se sa dikush nga pjesëtarët që do ti takonin një grushti njerëzish me cilësi luftarake në rrugën e çlirimit!
Tendenca e përvetësimi të viktimave eventuale të luftës si politike, në cilëndo rrethane të ketë ndodhur kjo, dhe identifikimi me përkatësinë e shumicës së LDK-së, së asokohe, është shumë e gabuar!
Për më keq kjo është e rrezikshme në dy rrethana të instrumentalizimit të kësaj situate!
E para është nxitje e kundershtive ndershqiptare, që bëhet nga ana e “avokateve” të paautorizuar të shumicës së supozuar si viktimë nga radikalët, me qëllim përfitimi politik për subjektin të cilit i takon dhe e dyta, sforcim i këtyre kundershtive nga ana e shërbimeve te huaja të veçanta, me qëllim të përshkallëzimit të tyre deri ne një përçarje me pasojë për substancën tonë!
Çështja e Lirisë dhe Shtetit, duhet te jetë e të gjithëve, me gjithë të mirat dhe të ligat e saj!