Fitore R. Dhembje e mbytur nga heshtja

Fitore R. Dhembje e mbytur nga heshtja

Poezia “Dhembja e lulëkuqeve“, dedikuar grave të përdhunuara gjatë luftës, lexuar në vigjilje të Ditës së Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë

(Mbi poezinë si art i lojës së fjalëve)

Si vrushkuj ndjenjash më vërshuan mendimet duke i lexuar vargjet e poezisë “Dhembja e lulëkuqeve” të poetes Elife Luzha. Vetë titulli, në fillim, të huton, sepse duket si një bashkim anakronik i fjalëve. Logjikisht nuk shkojnë së bashku fjalët ”lulëkuqe” dhe ”dhembje”. Por në poezi, gjithsesi, shkojnë. Ato shprehin një gjendje në mënyrë të goditur: “lulëkuqet”, që simbolizojnë gjininë e butë, femrën, do të duhej të shprehnin ngjyra gjallërie (lule + e kuqe), por, si një re e zezë, asaj i paraprinë fjala “dhembje”. Dhembja është një pëlhurë e zezë, me sëmbime të fuqishme. Nga ato prej të cilave do të duhej të buronte jetë, ngazëllim, hare, motiv, vullnet, joshje e gëzim, nga lulëkuqet pra, në këtë poezi, ato shprehin një bukuri e cila kalon nëpër vuajtje. Qysh titulli të tërheq vëmendjen nëpërmjet lidhjes së pazakonshme të fjalëve.

Në aspektin estetik, poezia konceptohet si arti i së bukurës. Kjo, gjithsesi, është kështu. Por, për më tepër, poezia vetë është një lojë. Është lojë e fjalëve. Lojë, natyrisht, artistike. Nëse poezia, pra, është art i së bukurës, kjo bukuri ka të bëjë më lojën e fjalëve. Të njëjtat fjalë, mund të gërshetohen e të tingëllojnë krejt ndryshe nga secila fjalë marrë veç e veç. Të shkëputura, fjalët e poezive, për shembull, të Ismail Kadaresë apo të Ali Podrimjes, të Pablo Nerudës apo të Frederiko Garcia Lorkës, të Nazim Hikmet-it apo të Tomas Tranströmer-it e poetë të tjerë të njohur, janë fjalë që nuk tregojnë thuaja asgjë të veçantë. E pra, ato bëhen të jashtëzakonshme duke përçuar mesazhe, kuptime, emocione, pasione e perceptime estetike tepër të fuqishme, në një gërshetim e lojë artistike të fjalëve, të cilat bëhen metafora që shprehin një perceptim të ri, krejt ndryshe. Prandaj, për dallim nga zhanret e tjera të artit, poezia shquhet me ekskluzivitetin e fjalëve të cilat në vargjet e poetëve marrin ngjyra magjike, nxjerrin në pah kuptime që askush nuk i ka menduar, dhe referojnë te ndonjë entitet i pranishëm. (Vargu: Lulëkuqe në dhimbje e plandosur).

Nuk qëndron fuqia e një poezie te klithmat, te patetizmi, te çirrmat, të cilat mund të jenë vetëm instrumente parciale, për të shprehur efekte anësore. Fuqia e vërtetë artistike e poezisë qëndron te nxjerrja në pah e thelbit të asaj që synohet. E ky thelb mund të jetë nga më të ndryshmet, si  dhembje, vuajtje, traumë, tmerr apo qetësi, prehje, kënaqësi, mirësi, solidaritet, urrejtje apo dashuri. Mund të jetë një përjetim tepër i rëndë, që askush të mos mund as afërsisht ta ndjejë peshën e saj; një përjetim që tjetrën/tjetrin e bën të mbyllet në vetvete, të shkëputet nga bota, të ndjehet i/e huaj, i/e zhvlerësuar, dinjitet nëpërkëmbur, moral-prishur. E këto mund t’i ndezin në shpirt një zjarr që përvëlon. (Vargu: Lotët si vrer gëlltit çdo ditë.)

Të gjitha këto, e shumë të tjera, mund të mos shprehen kurrë së jashtmi. Një shikimulur, një fytyrëzbehje, një anemicitet në përditshmëri, një heshtje e trishtueshme që nuk konsumohet kurrë. Secila në vetvete është një histori, një rrëfim, një ngjarje, një sekuencë tërë dramacitet në tragjedinë e madhe të kombit. Atyre u janë sosur fjalët për të shprehur, për t’u artikuluar, për të treguar përjetimin e tyre trishtues. Ato flasin me heshtjen e tyre. Prania e tyre është si hijet. Enden në mesin tonë sikur të mos ishin (vargu: Para syve tanë e syrgjynosur ). A janë vallë hijet, a kanë qeniesi ato? E pra, mbi supet e tyre ato bartin barrën e përdhunimit. Ai kujtim morbid nuk harrohet kurrë, se në kujtesën e secilës/secilit ka lënë vrragë rrëqethëse. Si një kryq, përdhunimi u rëndohet e ua zë frymën gjithnjë më shumë sa më shumë kalojnë vitet. Ky është një martirizim i çdoqasshëm. (Vargu: Vitet zinxhirohen në të pafundmin tunel.)

Po ne, ç’bëjmë ne? A sillemi me indiferencë, apo shtiremi sikur nuk dimë gjë? A kemi kurajo t’ua themi një fjalë të mirë? A mundemi ne t’ua ndezim nga një qiri në errësirën e tyre mbytëse? Çfarë mund të bëjmë ne që t’u shprehim dhembshurinë dhe mirëkuptimin? Me një buzëqeshje, me një përshëndetje, me një shikim dashamirës. Me një gjest të vockël, të çiltër, ne mundemi t’ua ushqejmë shpresën e besimin. Nëse nuk bashkëndjejmë sinqerisht, ne jemi të ligë. Nëse nuk tregohemi solidarë me shpirt, ne jemi ata që nuk kemi dinjitet. Nëse i shpërfillim, cilët bëhemi ne? Ndëshkimi është në veten e secilit/secilës, në ndërgjegjen e secilit/secilës që shtihet indiferent. (Vargu: Shkaras jo nuk i kalohet vuajtjes sate/ Ndryshe pafajësia jote do na ndëshkojë).

Poetja Elife Luzha me këtë poezi ngacmon ndërgjegjen e secilit/secilës. Na e përkujton se dhembja nuk hiqet duke e injoruar. Ajo, me refleksivitetin poetik, përkujton tmerrin dhe gjenocidin. Dhimbjet e mëdha mund të lehtësohen vetëm duke u ndarë me të tjerët, duke u marrë nga secili pjesë të atyre dhimbjeve, e kështu atyre që kanë përjetuar – u mbetet pak fare. Kësisoj, përditshmërinë mund ta bëjmë më njerëzore, më miqësore e më dashamirëse.

 

 

 

 

Elife Luzha

 

DHEMBJA E LULËKUQEVE

 

(Grave shqiptare të përdhunuara nga forcat pushtuese serbe)

 

 

 

Në sythin e mendimit më përhitesh

 

Lulëkuqe në dhimbje e plandosur

 

Lotët si vrer gëlltit çdo ditë

 

Para syve tanë e syrgjynosur

 

 

 

Në errësirë vetmie mallkon fatin

 

Vitet  zinxhirohen në të pafundmin tunel

 

Shkaras jo nuk i kalohet vuajtjes sate

 

Ndryshe pafajësia jote do na ndëshkojë

 

 

 

(Nga përmbledhja poetike ”Mos ma vrisni lotin”, shtëpia botuese Faik Konica, Prishtinë 2017).

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …