Qeverisja 10-vjeçare e Partisë Socialiste në Shqipëri, ka shënuar një frymë të re të zhvillimit në të gjitha fushat e jetës, edhe pse në mënyrë sistematike është penguar shantazhuar, sulmuar e përdhunuar nga opozita e shkapërderdhur, e dhunshme dhe pa dinjitet, veçmas të drejtuesve të saj politikë.
Përparimet që ka shënuar Shqipëria gjatë këtyre viteve në të gjitha segmentet e jetës urbane e rurale janë kolosale, janë të panumërta, janë evidente në çdo cep të Shqipërisë, qoftë në ndërtimin e rrugëve, autostradave, në zhvillimin e turizmit, në ruajtjen e ambientit, në planifikimin dhe realizimin urban të qyteteve, investimet kapitale në infrastrukturë, në krijimin e vendeve të reja të punës, në arsim, shëndetësi, në ndihmën kapitale dhënë ndërmarrësve privatë, mbështetje financiare për bizneset, rritjen deri në dyfish e më shumë të pagave, në të gjithë sektorët shtetërorë, rritjen e pensioneve, të të gjitha kategorive, përforcimin e Policisë së Shtetit dhe të Armatës Shqiptare, bashkëpunimin e jashtëm jo vetëm me vendet fqinje por me të gjitha shtetet e rajonit, Evropës e botës.
Shqipëria sot është emër nderi që dëgjohet në KS të OKB, në BE, në Këshillin e Evropës dhe në të gjitha organizatat e rëndësishme ndërkombëtare, në Lindje e në Perëndim, me zhvillimin e marrëdhënieve ndërshtetërore, mbi principe të miqësisë, barazisë, mirëkuptimit e tolerancës.
Asnjëherë prej vitit 1991 e deri tani, Shqipëria nuk kishte arritur këtë nivel të dinamizimit të zhvillimit të jetës në të gjitha aspektet shoqërore, politike, ekonomike, tregtare, që ka arritur sidomos në 10 vitet e fundit
Populli shumicë i sheh, i ndjen, i mbështet këto të arritura, sepse janë të pranishme kudo ku kthen sytë, Është vetë populli shumicë, i cili është bërë e po bëhet pjesë e këtyre zhvillimeve që janë në radhë të parë për popullin, pse jo edhe për të pasurit, për oligarkët, për klasën pushtetare, sipas standardeve, bashkëkohore, kapitaliste.
Shqipëria nuk është më vendi i barazisë sociale, megjithatë Partisë së majtë Socialiste, i takon ky zhvillim mbi principe të barazisë dhe është për të besuar se në këtë segment kjo është partia e vetme që ka shënuar të arritura kapitale, të cilat mund të mos pranohen, por nuk mund të fshihen dot, sepse janë faktet që flasin, është zhvillimi i hovshëm që del në sipërfaqe me statistika ndër më të ndryshmet, me monitorime vendore e ndërkombëtare.
Duke marrë parasysh këtë nivel të zhvillimit shoqëror që flet vetvetiu, votuesit në zgjedhjet vendore të 14 majit, nuk do të kenë dilema, sepse nuk kanë as edhe një arsye të vetme t’ iu besojnë premtimeve të Sali Berishës e Ilir Metës, sepse ata kanë treguar me vepër për çka e kanë përdorur pushtetin.
Ata, me gënjeshtra e mashtrime, duke u thirrur në emër të votuesve e kanë zhvatur këtë vend dhe janë bërë miliarderë bashkë me familjet, të afërmit, miqtë e kumbarët e tyre, bashkë edhe me armiqtë e Shqipërisë, me fazliça e dobiqa, me thithjen e parave të pista nga Moska e Beogradi, me besnikët e Greqisë e të qarqeve mafioze kudo në rajon e më gjerë. Pikërisht për këtë Sali Berisha është shpallur “non grata” nga Amerika, aleatja më e fuqishme e Shqipërisë, Kosovës dhe mbarë shqiptarëve. Të pretendosh se do të fitosh vota duke qenë i rreshtuar kundër Amerikës, është pritje e kotë dhe e papranueshme, është pritje debile, për çdo mendje që mendon dhe vepron esëll, përveç atyre që blihen e shiten me para, skena që i kemi parë sidomos gjatë muajit të fundit, por nuk heq shumë as kandari i tyre.
…
I ballafaquar me një opozitë të vrazhdë, cinike, goditëse, hakmarrëse, arrogante, shantazhuese dhe kurdoherë e gatshme për ta marrë pushtetin, qoftë edhe me dhunë, ashtu sikur ka provuar shpeshherë dhe ka bërë disa herë apozita, Qeveria Rama, deri tani ka treguar tolerancë maksimale, kulturë të fortë politike, durim deri në shkallën sipërore, por edhe veprim të fortë institucional në realizimin fillestar të programit e reformave, të cilat tashmë kanë filluar të prekin të gjitha segmentet e jetës, sepse 20 e më shumë vjet keqqeverisje, korrupsion, plaçkitje bizare të gjithçkaje, ndërtime pa leje, dëmtim i pasurisë publike, vjedhje e energjisë elektrike, vjedhje madje edhe të Thesarit të Shtetit, arsim dhe shëndetësi të korruptuar e të manipuluar, 20 vjet anarki, nuk kalohen dot me disa vite qeverisje të mirë dhe në dobi të qytetarit shqiptar, apo të shqiptarëve përgjithësisht.
Hapat konkretë që deri tani ka realizuar Qeveria e Kabinetit Rama, janë për çdo lëvdatë, në të gjitha segmentet. Këta hapa i vërejnë shqiptarët kudo ku jetojnë dhe i përcjellin me vëmendje zhvillimet në Shqipëri, sepse vetëm një Shqipëri e fortë, stabile, një Shqipëri perspektive është në dobi të kombit të katandisur në pesë shtete, kombit, të cilit iu ka kërkuar në të kaluarën dhe i kërkohet aktualisht të jetojë i ndarë për hir të paqes në rajon dhe për hir të interesave të Serbisë, Greqisë, Maqedonisë, Malit të Zi, e mbi të gjitha edhe për hir të BE-së, e cila ekskluzivisht kërkon paqe në rajon, pavarësisht se sa dëmtohet zhvillimi dhe perspektiva e shqiptarëve në këtë drejtim.
Në një gjendje të tillë, ku Shqipëria po lufton për të vendosur ligjin, rendin, sigurinë dhe funksionimin e shtetit në të gjithë sektorët, ku Kosova po ballafaqohet me presionin gjithnjë në rritje të Serbisë, për t’ ia deformuar pavarësinë dhe perspektivën e saj, ( vazhdimisht e përkrahur edhe nga Brukseli zyrtar) ku shqiptarët në Maqedoni nuk po arrijnë të realizojnë qëllimet për të cilat kanë luftuar, ku shqiptarët e Kosovës Lindore nuk gëzojnë madje as të drejtat elementare njerëzore e kombëtare, ku shqiptarët në Mal të Zi janë shumë larg realizimit të një niveli normal të të drejtave të tyre elementare, është vështirë të bëhet ndonjë kthesë për 10 vjet, edhe pse shumëçka është arritur. Megjithatë, në të gjitha këto segmente të jetës kombëtare e shoqërore të shqiptarëve në Ballkan ka një lëvizje, të paktën një qëndrim më unifikues të Qeverisë së Tiranës, në mbrojtje të interesit kombëtar të shqiptarëve, që tani po artikulohet me një gjuhë më realiste, jo më me atë gjuhën e dhjamosur diplomatike, të ndrydhur dhe të frikshme, e rezervuar për ta thënë troç të vërtetën.
Edi Rama, të vërtetën faktike të shqiptarëve dhe të aspiratave të tyre e ka thënë në zemër të Beogradit, para syve të Vuçiqit, pa u frikësuar fare. Ai kishte kumtuar burrërisht atje ku nuk e kishte thënë asnjë politikan shqiptar i derisotëm, e tha edhe në Prishtinë e në Tiranë dhe pa asnjë mëdyshje do ta thotë edhe në BE dhe në OKB, sepse nuk mund të shtyhet më tej padrejtësia historike shumë shekullore që iu ka bërë dhe po iu bëhet 7 milionë shqiptarëve të shkapërderdhur në pesë shtete të Ballkanit.
Duke gjalluar ndër shekuj me ndjenjën e inferioritetit, të skllavit, të pacifistit, politikani shqiptar i së kaluarës, në një masë të madhe edhe ai i së sotmes, mbi të gjitha ka qenë një servil i neveritshëm në qasje e sjellje ndaj çdo të huaji. Vetëm në raste të veçanta ai ka shprehur qartë identitetin, kërkesën e tij të ligjshme dhe të natyrshme dhe ka mbrojtur interesin e kombit e Atdheut. Kryeministri Rama ka shkëlqyer në këtë drejtim, jo me retorikë false, jo me ekuivoke e servilizëm sikur bënin e bëjnë Sali Berisha, Ilir Meta e të tjerë, por ka vepruar me një qëndrim dhe veprim të pjekur politik, të moderuar në kuptimin realist të fjalës, pavarësisht se i ka mbetur apo jo hatri Evropës Plakë. Ai është i vetmi politikan shqiptar që në KS të OKB-së ka mbrojtur luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe krerët e saj, të cilët padrejtësisht prej nëntorit të vitit 2020 po mbahen në paraburgim në Gjykatën Speciale, në Hagë. Me nismën e tij është paraqitur kërkesa në Parlamentin Evropian për demontimin e dikreditimin e raportit të Dik Martit, për gjoja trafikim të organeve të serbëve nga ushtria Çlirimtare e Kosovës, raport i cili nuk u mbështet me asnjë të dhënë reale dhe si i tillë u anashkalua edhe nga Gjykatës Speciale.
Ta mbrosh të drejtën tënde, të drejtën e kombit e të popullit tënd të ndarë e të copëtuar padrejtësisht, nuk është asgjë tjetër, nuk është asgjë më shumë, pos një e drejtë e natyrshme dhe e patjetërsueshme, është detyrë mbi të gjitha detyrat, sepse kështu bëjnë qeveritarët e vërtetë kudo në botë.
Edi Rama nuk ka nevojë për lavde as elozhe, madje ai duket krejt indiferent ndaj tyre, por ka nevojë për përkrahje e mbështetje nga të gjithë shqiptarët liridashës, jo sepse vjen nga radhët e Partisë Socialiste, jo sepse është i majtë, por sepse e ka treguar me vepër atë që nuk e treguan si duhet e sa duhet pararendësit e tij në Qeverinë e Tiranës, të paktën jo në nivelin e tij.
Partia Socialiste në pushtet dhe Edi Rama u ballafaquan me sfida ndër më të rëndat e më tragjiket që kanë ndodhur në Shqipëri gjatë këtyre dhjetë viteve. Sfidat kulmuan me tërmetin katastrofal të vitit 2019 e pak më vonë edhe me pandeminë e virusit korona. Të dy këto tragjedi të natyrës së jetës njerëzore, Shqipëria i ka përballuar me vendosmëri, kujdes, përgjegjësi dhe në nivelin më të larë të mundshëm, në kushte dhe rrethana tepër të rrezikshme, pa mbështetje të opozitës, për më tepër të një opozite destruktive e cila i dogji mandatet, doli në rrugë dhe u dha flakën institucioneve të Shtetit, me qellim të shkatërrimit dhe kthimit të Shqipërisë në vitin 1997 e më keq.
Një ballafaqim me sfida të tilla, nuk e ka përballuar askush në të kaluarën as do të mund ta përballonte kurrë sikur e përballoi me suksesin meritor, Edi Rama, me stafin e tij qeveritar dhe përkrahësit e përkushtuar, secili në vendin dhe në punën e vet.
Nëse zgjedhjet do të zhvillohen me standarde, pa ndërhyrje e pa pretendime për t’i manipuluar ato, duke u bazuar në sondazhet e deritanishme por edhe të disponimit të shumicës së shoqërisë shqiptare në Shqipëri dhe kudo ku jetojnë shqiptarët,Partia Socialiste do të fitojë edhe kësaj radhe në shumicën e bashkive, dhe që do të jetë një precedent për të mirë i llojit të vet, por edhe një realitet që po ndodh para syve tanë, sepse dhjetë vite e më shumë të qeverisjes së mirë, madje shumë të mirë, hetohen kudo në të gjitha pjesët e vendit, në rrugë, ndërtime me leje, ngritje të qindra shkollave e spitaleve të reja, ngritja e aeroporteve, ngritja e mirëqenies së popullit dhe sa e sa përparime të tjera, të gjitha të dukshme në çdo kënd të Shqipërisë. Fati i së ardhmes së Shqipërisë dhe i shqiptarëve përgjithësisht është fitorja edhe kësaj radhe e Edi Ramës dhe e Partisë Socialiste.
Ahmet Qeriqi
13 maj 2023
Prishtinë