Fitorja e Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit nuk ishte as mund të jetë referendum në kuptimin e besimit të qytetarëve të Kosovës

Fitorja e Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit nuk ishte as mund të jetë referendum në kuptimin e besimit të qytetarëve të Kosovës

Nuk ishte Referendum, fitorja e djeshme në zgjedhjet e 14 shkurtit nga Vjosa Osmani e Albin Kurti,  sepse 56 për qind e qytetarëve të Kosovës nuk morën  fare pjesë në zgjedhje, meqë nuk i besojnë krerëve politikë,  të cilët e udhëheqin vendin dhe qëndrojnë indiferentë ndaj cilësdo parti që merr shumicën e 45 përqindëshit,  që iu beson politikanëve, nga të cilët, shumica syresh  përfitojnë në të gjitha segmentet si zënien me punë në të gjitha nivelet, grante për firma dhe veprimtari prodhuese, fitim tenderësh dhe sa e sa burime të tjera pasurimi.

Askund në botë nuk ka referendum të suksesshëm me 45 për qind të qytetarëve të një shteti dhe për më shumë nga kjo përqindje,  partia e Albin Kurtit, me gjysmën e LDK-së që e mori përmes votuesve të Vjosa Raif Osmanit, arriti të marrë 48 për qind të votuesve, jo në nivel vendi sikur thuhet me prepotencë, arrogancë e eufori, por në nivel të 45 përqindëshit që ka marrë pjesë në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Albin Kurtit tani nuk po i kujtohet koha kur si humbës për 15 vjet garë, me protesta,  identifikohej me 60 përqindëshin e qytetarëve të Kosovës që nuk votonin. Tani nuk flet fare për gjysmën tjetër, që numerikisht është shumë më e madhe, por flet për besimin që ka marrë nga më pak se gjysma e atyre që kanë marrë pjesë në zgjedhjet e 14 shkurtit dhe kjo do të thotë se flet në emër të një të katërtës së numrit të përgjithshëm të qytetarëve me të drejtë vote në Kosovë.

Po kështu Albin Kurti, sapo u shpall rezultati preleminar premtoi se nuk do të hakmerret, por pa treguar se për cilën hakmarrje paska qenë fjala, ndaj kujt paska qenë e orientuar ajo dhe kë paska vendosur ta mëshirojë e ta amnistojë.

Pozita superiore nga e cila flet Kurti, tregon më së miri pretendimet, ambiciet dhe hakmarrjen, sidomos tani kur kreu i luftës së UÇK-së po përballët me padrejtësinë më të madhe që iu ka bërë jo vetëm Kosovës por tërë shqiptarëve liridashës nga  e ashtuquajtura “drejtësi ndërkombëtare”. Se cili është qëndrimi i Albin Kurtit lidhur me të arrestuarit e Gjykatës Speciale, flet fakti se kërkon lirimin nga arresti vetëm të bashkë-partiakut të tij, Rexhep Selimi, pasi e konsideron të pafajshëm, vetëm sepse ka ndjekur besnikërisht veprimet e dhunshme  të Vetëvendosjes në sheshet e Prishtinës dhe brenda Kuvendit të Kosovës.

Nuk mund të quhet referendum dhe votë përcaktuese e popullit fitorja në zgjedhje mbi kurriz të kreut të luftës së UÇK-së dhe partive politike, që kanë prejardhje nga lufta jonë çlirimtare e fitimtare.

“Referendumi” që anashkalon luftën e UÇK-së, nuk ka bazë morale, as përcakton vullnetin e shumicës së 55 për qind të qytetarëve, që nuk kanë marrë pjesë në zgjedhje dhe pjesës tjetër që ka votuar për PDK-në, AAK-në dhe Nismën.

Fitorja e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit, është fitore e thjeshtë politike e bashkimit të dy forcave me programe  të kundërta mbi bazën e përcaktimeve partiake, pjesës pacifiste rugoviane dhe asaj revolucionare, një ngjizje  që ka gjetur gjuhë të përbashkët për tu veshur me pushtet dhe për të thithur të gjitha të mirat materiale që i afron qeverisja e bashkëqeverisja. (RKL)

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Islami: Me fitoren e Donld Trumpit në Amerikë, Opozitës në Shqipëri i duket se iu afrua Shtëpia e Bardhë

Ka një gëzim të ekzaltuar dhe të pritur në opozitën shqiptare lidhur me rikthimin e …