Të nderuara dhe shumë të respektuara familje: Ajeti, Aliu, Begu, Berisha, Bushi, Çeta, Duraku, Emini, Gashi, Hasani, Hajzeraj, Haskaj, Havolli, Idrizaj, Januzaj, Jashari, Kelmendi, Koraqi, Krasniqi, Koxha, Lika, Lipa, Lushaku, Lleshi, Malaj Metaj, Morina, Mullabazi, Musa, Olluri, Përgegaj, Raka, Rama, Roci, Sadikaj, Salihaj, Selmani, Suma, Shala e Thaçi, që sot keni ardhur këtu në këtë përurim të librit, ku janë shkrirë e skalitur përpjekjet për t’u spikatur madhështitë ideale të bijëve tuaj:
Abedinit, Agimit, Agronit, Albanit, Albertit, Avdullahit, Avniut, Bashkimit, Bekimit, Bujarit, Domenikut, Elhames, Emrushit, Envrit, Farukut, Fitimit, Gëzimit, Hajzerit, Halilit, Halitit, Hamzës, Hysenit, Hysniut, Isajt, Isasë, Isufit, Jahës, Jehonës, Kolës, Maxhunit, Mialimit, Mirasdit, Muhametit, Muradit, Muratit, Musasë, Myrtezit, Naserit, Nazmiut, Ndriçimit, Njomzës, Nuriut, Nysrretit, Pajazitit, Pajtimit, Përparimit, Raifit, Sahitit, Shabanit, Shahinit, Shaqirit, Shefkiut, Valonit, Xhaferit e Xhemsedinit që dikur u nisën prej Hertice, Shushice, Smolice, Llapashtice, Karaçice e Landavice, Gjakove, Jeshkove e Rogove, Shkabajt, Gjilani, Lubozhde e Librazhdi, Prekazi, Gllamniku, Vojniku, Kaçaniku e Bërveniku, Vojnovci, Zhegoci e Turbuhoci, Algjerie e Retie, Krushe të Madhe, Krojmiri, Shkabajt, Rahaveci, Xërxe, Franjake, Vraniqi e Veriqi, Buçani, Temali, Kaqanolli e Prapaçani, Bobi, Qafëshqipja, Hani i Elezit, Bajgora, Kruma e Hasit, Kovaçeci, Drinasi, Buzëllapi e Reçaku, për t’ u bashkuar me djelmoshat e Komandantit Legjendar Adem Jashari, e të prijësve Zahir Pajaziti, Luan Haradinaj, Mehë Uka, Rexhep Mala, Remzi Ademi e Agim Bajrami, Tahir Sinani e Fadil Nimani, me të cilët tash gjenden në përjetësi.
Dëshirë e kësaj redaksie ka qenë që ky edicion, me 60 dëshmorë, me shkrime, portrete dëshmorësh,16 fotografi të monumenteve të përjetësisë, i pajisur me një parathënie të redaksisë, me një recension të prof. dr.Zenun Gjocajt të paraqitur më 11 nëntor të vitit 2006, pra me rastin e përurimit të numrit 8 të këtij edicioni,me listë të nënshkrimeve, me një faqe plotësim gabimesh dhe me literaturën e konsultuar, që kapton 284 faqe tekst, të ilustruar mirë, të përurohet në ditët e korrikut, sipas planit në javën e parë, por temperaturat e larta të kësaj vere dhe pushimet verore ndikuan që ky përurim të shtyhet deri në ditën e sotme dhe shpresojmë se do të kemi mirëkuptim, prandaj, para jush, auditor dhe redaksi e nderuar, ne do të përpiqemi që në këtë parafjalë të spikasim biografitë e gjashtëdhjetë dëshmorëve që sajojnë monografinë me një histori, me një gjeografi, me një psikologji dhe me një rapsodi të pambaruar edhe pas gjakut të derdhur, edhe pas gjymtyrëve të mbetura anembanë trojeve etnike, edhe pasi u rritën e u burrëruan bonjakët e dëshmorëve tanë, e do të jemi shumë të nderuar nëse mirëkuptohemi.
Edhe kjo monografi, sikurse tetë të tjera të deritashme, është vazhdimësi e punës shkencore e hulumtuese të bashkëpunëtorëve, të bashkëbiseduesve e të bashkëluftëtarëve përkatësisht të bashkëkohësve të kësaj ngjarje të madhe që drodhi e përdrodhi rrjedhën e historisë së kësaj toke që po lahet me gjakun e bijëve të vet me shekuj.
Këtu gjenden 60 biografi të dëshmorëve; 12 nga Burimi me rrethinë, apo nga arealja luftarake të cilën e mbulonte Brigada “Adrian Krasniqi” e Zonës Operative të Rrafshit të Dukagjinit, 5 nga Gjakova ose arealja të cilën e mbulonte Brigada 137 “Gjakova”, 1 nga Peja, 1 nga Deçani, 2 nga Prizreni, të cilin e mbulonin brigadat 124 “Gani Paçarizi” e 125 nga Prizreni dhe Rahaveci, 3 nga Kastrioti, 1 nga Gjilani, 7 nga Skënderaj, 5 nga Besiana, 3 nga Shtimja, 7 nga Rahaveci, 2 nga Lypjani, 4 nga Kaçaniku, 2 nga Mitrovica, 2 nga Hani i Elezit, 1 nga Dardana, 1 nga Algjeria dhe 2 nga Shqipëria e të cilët kapin grupmoshat prej 22 vitesh në klirensin moshor prej 14 pranverave të Njomëz Lipajt, 16 pranverave të Dominik Përgegajt e deri te 64 vjet të moshës së Halit Jasharit prej Prekazi legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit e të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare e që sajojnë plajadën e feniksëve që ringjallen dhe ua rrëfejnë rrugën pasardhësve dhe bashkëkohanikëve duke llogaritur se sa pëllëmbë e hapa bëmë ne prej ditës kur Ata morën përjetësinë, prej ditëve kur krahas 57 burrave të këtij libri u përjetësuan edhe bijat e motrat tona si Elhame Jashari, Jehonë Raka e Njomëz Lipaj dhe vëllezërit Dominik Përgegaj e Kolë Lleshi, e që të gjithë së bashku sajojnë anatominë unike e emblematike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gjatë hartimit të shkrimeve edhe të këtij libri, autorët ndoqën një metodologji bashkëkohore në kuadër të historiografisë moderne brenda pozitivizmit bashkëkohor që aplikohet në shkencat shoqërore në përgjithësi e të e historisë, në veçanti. Së këndejmi lexuesve u hiqet barra e vështirësive për ta kuptuar luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe potencialet me të cilët disponohej atyre ditëve kur çdo gjë në këtë Kosovë digjej nën flakë e zjarr, për ta sajuar imazhin për luftëtarin e denj të lindur në këto troje e të rritur për ta bartur mbi supe barrën më të madhe të përgjegjësisë historike, prandaj edhe pikërisht këtu qëndron madhështia e djemve tuaj, bijve të këtij populli, për ta sajuar tablon e luftimeve të gushtit të vitit 1998 kur Salihajt e Shushicës së Burimit iu kundërvënë okupatorit pa bërë mend se sa e shtrenjtë është liria, kur Shaljanët e Vërrinit nuk mendonin aspak se për lirinë e këtyre trojeve do të mbeten pa 3 meshkuj e Ramët e fshatit Shkabaj të Kasatriotit do të sajojnë një gardh me trupa burrash të cilët sot janë në përjetësi, kur Ramët e Smolicës së Rekës së Keqe u mobilizuan pa llogaritur se mund të mbeten pa Agronin e pa Sjedinë ose Markalleshët e Vraniqit të Gjakovës pa Markun plak, pa Kolën, pa Prenin e pa Memën, Salihajt pa Abedinin, Arbenin, Hysenin, Hysniun, e Milaimin sepse Komandantit Legjendar Adem Jasharit i duhej një krah i fortë, Luan Haradinajt i duhej një familje e madhe vëllezërish e motrash që do t’ i prinin kësaj Valleje të Haresë së Madhe që quhet Kosovë e Pavarur dhe duhet të njihet si Kosovë e Pavarur,
“Dhe s’ka fuqi,
Nuk ka që hovin ma t’ na ndali, dhe
t’harrohet emni që mbeti me shekuj si kala.
se lirinë e fituam me gjak e kurrkush s’ na e fali, tue luftue errsinën u bamë t’ vetëdijshëm edhe na.”
thoshte poeti ynë i madh Esat Mekuli që pati kënduar edhe në ditët kur i ishte ndaluar të këndojë në gjuhën e dëshmorëve të kësaj plejade të cilës i prijnë Pajtim Roci i Krumës së Hasit e Ndriçim Koxha i Librazhdit të buzë Shkumbinit, sepse këtu në këto kodra e male të Kosovës gjetën Tahir Sinanin e Tropojës e Indrit Carën e Kavajës, gjetën Muhedin Aliun e Tetovës e Ismet Jasharin e Kumanovës, gjetën Pal Palucën e Trepeticës e Ismet Asllanin e Prapashticës.
Në këtë rrafsh gjithëpërfshirës, edhe pse libri ka biografizëm historik për dëshmorët, nuk mendojmë se do të zbehen portretet fizike dhe shpirtërore të dëshmorëve të lirisë sepse mendojmë se dëshmorët nuk kanë nevojë të himnizohen e as të glorifikohen;
Ata kanë famën e tyre dhe vetës me kohë i thurën epope për të mos lënë turp djalë pas djali. Ata, dhe vetëm Ata vënë me kohë një kufi të prerë i cili i ndan argatët e mbarë prej shqipfolësve të shitur të cilët nuk munguan, nuk mungojnë dhe nuk do të mungojnë as në të ardhmen. Tekstet për jetën dhe veprimtarinë e dëshmorëve të kombit lexuesi ynë mund t’i lexojë me lehtësi të madhe andaj edhe mund t’i kënaqet kureshtja kur ta kuptojë se asgjë në histori nuk ngjan rastësisht dhe se “përherë dardha pik nën dardhë”. Këtu lexuesit mund t’i kënaqet kureshtja gjatë zbulimit të njohurive për lëvizjen tonë kombëtare në tërë rrafshin organizativ prej ilegales së Zahirit, Edmondit e Hakifit, deri te lufta frontale në Tabet e Llapashticës apo në Krushën e Madhe të Ukshin Hotit.
Shkrimet e këtij libri mbajnë vulën e evolucionit të instrumentit të forcës që shpërtheu si uragan dhe gëlltiti njëherë e përgjithmonë artilerinë serboçetnike që pretendonte mbajtjen e tokës së huaj të skicuar me hartat e Çubrilloviqit e të Hartvigut, të bekuara nga Pavli i Pakracit e të djegura flakë nga dora e kryekriminelit serboçetnik Sllobodan Millosheviq.
Lënda e mbledhur në terren është sistematizuar, strukturuar dhe argumentuar në frymën e parimeve standarde të shkrimeve biografike duke u fokusuar në atë që është esenciale e lëndore për jetën e një të riu që ishte detyruar të burrërohet para kohe, që ishte i gatshëm të shtegtojë për ta thyer Pashtrikun nga disa herë, për ta blerë armën e për ta sjellë në këto troje e në fund edhe të përjetësohet. Dhe le ta gjykojmë të gjithë: a thua vallë nuk qëndron pikërisht këtu madhështia e djelmoshave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës?! Këtë fakt e forcon gjeografia e 60 dëshmorëve të këtij libri, shtrirë anembanë trojeve etnike; Kosovë, Maqedoni, Luginë e Preshevës, Shqipëri e madje dhe internacionalistë të Algjerisë, sepse bota e pati kuptuar se shqiptarët bëjnë një luftë të drejtë, i përgjigjen një lufte të imponuar dhe janë të gatshëm që për lirinë dhe trojet e të parëve ta sakrfikojnë vetën dhe familjen ashtu siç bënë bijtë e këtij kombi në ditët e sotme të shtatorit të vitit 1998 kur zhvillohej Beteja e Vërrinit dhe përjetësohen 15 Berishë të Lezit të Vërrinit, kur në Prizrenin e Remzi Ademit përjetësohen vëllezërit Poniku, kur granatohej Prejlepi i Deçanit, kur në Zatriqin e Anadrinit, në Palluzhë, Dejë e Lugmir luftohej fyt për fyti me çetnikët e Sllobës, kur në Qafën e Mileshecit serbi vë pritë pas prite e përjetësohen Adonis Beci, Naim Gjukaj, Shpëtim Bobi, Ekrem Lulaj, Burhan Dervishaj, Sadri Vishaj, Xhemajl Agushi, Xhevdet Sejfijaj, e Përparim Krasniqi i vëllaj i Adrianit, kur digjej Gllogjani e aty rezistonin deri në përjetësi vëllezërit Ukaj; Isufi, Azemi dhe Sadriu nga Ratishi i Poshtëm, kur digjej Shqiponja e ku shkrihej trupi i Xhevdet Hotit, e Prapaçanit i përjetësohen Hakiu e Haxhi Krasniqi me Muhamet Shalën, kurse në Shqiponjë Driton Zeneli, në Shtime Skënder Salihaj e në Kaqanoll: Bekim Maliqi, Bekim Lushaku, Fadil Sejdiu, Habib Zeka, Islam e Selim Rekaliu, Ilaz Hyseni, Musë Begu, Ramadan Behrami, Nazmi Zhegrova, Avni Shabani, Rifat Zeneli, e kah Jezerci i Nerodimes Arsim Bega, Ismajl Luma, Bekim Osmani, e ditët kur në Shkabaj përjetësohen bashkëshortët Lladrovci, Fehmiu dhe Xheva së bashku me Afrim Sahitin, Behxhet Karaxhën, Fatime Hetemin, Fatmir Ahmetin, Hamit Lladrovcin, Kadri Mehmetin, Mehmet Salihun, Murat Halitin, Nazmi Haxhiun, Shefqet Zekën, Shemsedin Haxhiun, Skënder Karaxhën, Xhevgjet Maliqin, Bajram Berishën, Dritan Brahimin, Fejzë Ramadanin, Muharrem Misini, Naim Gashi, Naim Berisha, Xhavit Bislimi e shumë luftëtarë emblematikë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët nuk e pritën tetorin e vitit 1998 e as lirinë e Kosovës.
Dhe në fund, lexuesve të këtij libri u dëshirojmë kënaqësi dhe fëmijëri më të lumtur se fëmijëria jonë, rini e moshë më të bardhë se sa rinia jonë, etërve të dëshmorëve, pleqëri më të lumtur, nënave forcë burrërore për t’u përballuar dhembjeve kurse Kosovës i duam realizimin e dëshirës së sendërtuar në amanetin e dëshmorëve të kombit sepse këto amanete sajojnë ciklin më madhështor të amanetologjisë shqiptare.
Dëshmorëve lavdi,
Juve ju faleminderit!