LDK: Strategjia e Zgjerimit e BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën
Elemente të korrupcionit dhe kapjes së shtetit vërehen në nivele të larta të institucioneve.
Çdo ditë po shkelen standardet e vendosura në Qeverinë Mustafa, që zyrtarët e lartë për të cilët organet e drejtësisë ngritin aktakuzë të lirohen nga detyra.
Në këtë qeveri, janë tre ministra që kanë aktakuzë të ngritur.
Është edhe një ministër që ka shkelur Kodin Penal duke rrezikuar sigurinë publike, por që është mbajtur në qeveri me votat e deputetëve të partive në koalicion.
Dhe një tjetër ministër me akuza edhe më të rënda për keqtrajtim të shqiptarëve në Prishtinë gjatë luftës, por që z.Haradinaj u detyrua ta mbante në qeveri.
Ta kemi të qartë se ne e respektojmë parimin e pafajësisë të secilit derisa nuk ka një vendim përfundimtar të gjykatës që e vërteton fajësinë.
Por, nuk mund të pajtohemi që këta persona me aktakuzë të vazhdojnë të kryejnë detyrën e tyre.
Është e qartë se në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare, këta persona nuk mund të jenë të paanshëm në ndërkohë që hetohen.
Të nderuar deputetë,
Nesër Komisioni Evropian publikon raportin për secilin vend të Ballkanit perëndimor, përfshirë Kosovën. Sigurisht se këto akuza ndaj ministrave do të zërë vend në këtë raport, përfshirë këtu edhe: përpjekjen e partive të koalicionit për t’ju ikur obligimeve ndërkombëtare lidhur me Dhomat e Specializuara të Gjykatave dhe Prokurorin e Specializuar në Hagë, nismën për amnisti të deputetëve që kanë përdorur dhunë dhe gaz lotsjellës në Kuvend, si dhe dështimin e institucioneve të respektojnë të drejtat elementare njerëzore me rastin e dëbimit të shtetasve turq. Grupi Parlamentar i LDK-së e ka mbështetur qeverinë në ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, si kusht për liberalizimin e vizave.
Por, tash ne nuk mund t’ju ndihmojmë që të pastroni radhët e juaja nga njerëz që po akuzohen çdo ditë për vepra të ndryshme. Është e qartë se ky koalicion ka humbur legjitimitetin në çdo aspekt për të qeverisur me vendin.